Nëse një administrator i MO-së përjashtohet nga puna, ai mund ta padisë shtetin dhe në instancën më të fundit do të fitojë

Ligji për sistemimin e administratorëve të punësuar me programin K-5, i cili kaloi në Kuvend, nuk është zgjidhja definitive për sistemimin e të gjithë administratorëve që rrinë në shtëpi dhe marrin rroga. Veçanërisht jo e atyre të cilët, nuk do ta pranojnë vendin e punës që i është ofruar, pasi ata mund të thirren në ligjin për nëpunësit administrativ dhe ligjit të të punësuarve në sektorin publik. Ndryshe, kjo do të thotë që: nëse e përjashtojnë nga puna një administratorë që ka refuzuar ofertën e punës, ai mund ta padisë institucionin dhe në instancën më të fundit do të fitojë, do t’i kthehet vendi i punës dhe madje edhe do të dëmshpërblehet, shkruan Portalb.mk.

Këtë e deklaroi edhe vetë kryeparlamentari Talat Xhaferri, i cili tha se, ligji në thelb vetëm i obligon institucionet që të mos mund të refuzojnë nëpunësit të cilët do t’i ofrohen, por jo edhe e kundërta.

Talat Xhaferi
Talat Xhaferi

“Zbatimi i këtij ligji pas vetes ka edhe disa ligje tjera që duhet marrë parasysh për t’i zbatuar, gjegjësisht respektimin e ligjit për nëpunësit shtetëror dhe nëpunësit publik. Atje ka disa parakushte për transferim, se ai duhet të bëhet transfer mbi bazën e transferit, bartjes së nëpunësit nga një institucion në një institucion tjetër. Në aspekt vendimmarrës administrativ, dikush mund të bie vendim që dikush të mbetet pa punë, në aspekt juridik, mbi bazë të drejtave, nuk ka hapësirë, pasi edhe sikur të ndodhë ai që do të mbetet pa punë e fiton të drejtën për tu rikthyer në punë, madje edhe dëmshpërblehet. Ligji për nëpunësit shtetëror ka tjera norma ligjore që përkufizon të drejtat e punëdhënësit dhe punëtorit, këta njerëz që rrinë në shtëpi e që janë të punësuar në Ministrinë për Sistem politik, kanë status të nëpunësit shtetëror dhe nëpunësi shtetëror mbi bazë të ligjit për nëpunësit shtetëror dhe  publik ka obligime dhe të drejta që burojnë nga atje dhe nuk mund të përjashtohen, pasi është korpusi i rregullave që duhet të respektohen. Kështu që nuk ka hapësirë  të fundit që dikush të mbetet pa punë. Ndoshta dikush do të mund të vije në situatë që të ngrisë procedurë ligjore, por në instancë të fundit e fiton atë”, deklaroi Xhaferi në një paraqitje të tij në TV21.

Por, ndryshe e prezantoi këtë ligj ministri për Sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive, Artan Grubi, i cili tha se nëpunësve administrativ, do t’u ofrohet vend pune dhe nëse nuk e pranojnë të njëjtin, do t’ju ndërpritet marrëdhënia e punës dhe do të kalojnë në listën e transferit ku do t’iu jepet edhe një mundësi e dytë për punësim dhe nëse e refuzojnë edhe këtë, do të humbasin përgjithmonë vendin e punës . Por, në ligj, nuk specifikohet se pas kalimit në listën e transferit nëse refuzojnë ofertën do ta humbasin vendin e punës apo se çfarë konkretisht do të ndodhë më tej.

Sipas paragrafit 9 të nenit 4, “I punësuari që nuk do të nënshkruaj deklaratën e përmendur në paragrafin (8) të këtij neni do t’i ndërpritet puna në Ministrinë për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive dhe do të regjistrohet në listën e transferit për marrje të mundshme në Ministrinë për Shoqëri Informatike dhe Administratë”.

Në asnjë pjesë të ligjit, nuk specifikohet nëse këta persona që kalojnë në listën e transferit do të marrin një ofertë tjetër të mundshme ose do të lidhin marrëdhënie pune me Ministrinë e Informatikës dhe Administratës ose se nëse e refuzojnë do të humbin vendin e punës, ndryshe nga Grubi, i cili gjatë paraqitjeve të tij thotë se pas refuzimit të një oferte tjetër pune, nëpunësit do ta humbasin përfundimisht vendin e punës.

Deputeti i BDI-së, Artan Grubi
Deputeti i BDI-së, Artan Grubi

“Kjo listë e cila do të miratohet në Qeveri shpresoj që të realizohet brenda dy-tre muajve të parë të vitit të ardhshëm dhe në qoftë se refuzojnë ndonjë prej këtyre individëve, atëherë do të futen në transfer-listën e Ministrisë së Shoqërisë Informatike dhe Administratës, ku do të kenë edhe një ofertë pune dhe në qoftë se e refuzojnë do e humbin vendin e punës përfundimisht. Në të kaluarën qoftë institucioni ka refuzuar ta pranojë individin, qoftë individi ka refuzuar ta pranojë institucionin, ndërsa me ligjin e ri, nuk do të mund ta bëjë as njëri as tjetri atë gjë, sepse sipas ligjit, parashihet që Qeveria të miratojë një listë me shpërndarjen e të gjithë këtyre personave në institucionet përkatëse, domethënë çdo person do ta ketë vendin e punës në institucionin përkatës dhe kjo listë do të miratohet në Qeveri dhe pastaj Ministria për Sistem Politik do t’ju dorëzojë vendime të gjithë këtyre personave, të cilët me detyrim e kanë të paraqiten në vendet e tyre të reja të punës dhe me detyrim e ka institucioni që t’i pranojë këto të punësuar në institucione të ndryshëm”, tha Grubi gjatë një interviste në TVM2.

Pra është e paqartë, se si do të vijojë më tej procedura e zyrtarëve administrativ. Do të kenë ndërprerje të përhershme të marrëdhënies së punës ose thjeshtë do të vazhdojnë të marrin rroga duke qëndruar në shtëpi, vetëm duke qenë të regjistruar në të ashtuquajturën ‘listë transferi’.

Kundër këtij ligji është shprehur edhe bashkë partiaku i Grubit, Izet Mexhiti, i cili vetë, kishte votuar i përmbajtur duke u arsyetuar se “shumë vajza dhe djem shqiptar mund të mbeten pa punë, për shkak se mund t’ju ofrohet ndonjë vend pune, i cili nuk përshtatet me nivelin arsimor të ndonjë nëpunësi”.

“Ajo që i mungon këtij ligji është transparenca për vendet e punës ku do të transferohen. Kjo analizë me siguri ekziston, por nuk po prezantohet. Pse pas 10 viteve mos të kenë edhe ata shansin të dëshmojnë kapacitetet e tyre nepër institucione që tradicionalisht janë të mbyllura për shqiptarët dhe përfaqësimi është më i ulët. Të themi Regjistri Qendror, inspektorate të ndryshume apo Ministri. Dhe në fund, Ky ligj nuk e zgjedh problemin. Ky ligj vetëm e transferon problemin nga Ministria për sistem politik tek Ministria për Shoqëri informatike, sepse, sipas ligjit, personat që nuk do marrin vend pune, vetëm me automatizëm hyjnë në një “Liste transfertash” dhe nga këtu nuk është e qartë çka do të ndodh me ata, që është përsëri një mashtrim i punëtorëve dhe opinionit”, shkroi MexhitiFacebook.

Sidoqoftë, gjatë përgatitjes së Planit për sistemimin e administratorëve do të merret parasysh, niveli aktual në vendin e punës, të dhëna për arsimin, si dhe titullin e institucionit në të cilin do të merret nëpunësi. Madje, Artan Grubi, njoftoi se ka nënshkruar “vendimet e të gjithë administratorëve të cilët fillimisht janë punësuar me shkollim të mesëm, ndërsa në ndërmjet kohë kanë diplomuar edhe në arsim të lartë duke rritur rrogat e tyre në mënyrë të ndjeshme bashkë edhe me pozitat e punës”.

Gjithsesi, nuk dihet nëse ky është shqetësimi i vërtetë i Mexhtit apo thjeshtë sa për të kundërshtuar bashkë-partiakun e tij, Grubin, përplasjet e të cilëve kanë filluar që nga formimi i Qeverisë, kur Mexhiti atëherë paralajmëroi se nuk do të votojë për Qeverinë, nëse Grubi dhe Bujar Osmani bëhen pjesë e pushtetit ekzekutiv.

Shqetësim kryesor nuk duhet të mbetet papunësia e administratorëve, pasi siç duket ata i mbrojnë ligje të tjera, me të cilat nuk mund të përjashtohen aq lehtë.

Procedurat që duhet të ndërmerren sipas ligjit për sistemim

  • Ministria për Sistem Politik dhe Marrëdhënieve ndërmjet bashkësive, më së voni 15 ditë pas hyrjes në fuqi të këtij Ligji, do t’i propozojë Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut Planin për sistemimin e zyrtarëve administrativ nga Ministria, të punësuar përmes programit K-5.
  • Plani i sistemimit përmban: të dhëna personale për të gjithë të punësuarit që duhen marrë dhe sistemuar, të dhëna për nivelin në vendin e punës aktualisht, të dhëna për arsimin, si dhe emrin e institucionit në të cilin do të merret nëpunësi.
  • Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, më së voni 30 dit nga dita e hyrjes në fuqi të këtij ligji do të miratojë Planin e sistemimit.
  • Bazuar në Planin e sistemimit të miratuar nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut,  Ministria për sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive për secilin të punësuar do të përgatisë vendim të përhershëm.
  • Vendimin të punësuarit, do t’ia japë Ministria për sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive
  • I punësuari në afat prej shtatë ditëve nga marrja e vendimit, do të nënshkruajë deklaratë për pranimin e vendimit të përhershëm.
  • I punësuari që nuk do të nënshkruaj deklaratë do t’i ndërpritet puna në Ministrinë për sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive dhe do të regjistrohet në listën e transferit për marrje të mundshme në Ministrinë për Shoqëri Informatike dhe Administratë.
  • Në pajtim me Planin e sistemimit të miratuar nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, institucionet do të marrin vendim për shpërndarjen e të punësuarve të cilët kanë nënshkruar deklaratë në përputhje me paragrafin (8) të këtij neni.
  • Drejtuesit institucioneve janë të detyruar të fillojnë procedurën për harmonizimin e akteve për sistematizimin e vendeve të punës me dispozitat e këtij ligji brenda 30 ditëve nga dita e miratimit të Planit për sistemimin.
  • Gjobë prej më shumë se 2000 eurosh në kundërvlerë denari për shkelje, do t’i shqiptohet personit përgjegjës në institucion nëse nuk harmonizon aktet për organizimin e brendshëm dhe aktet për sistemimin e vendeve të punës në pajtim me nenin 5 të këtij ligji.

Si do të ndodhë shpërndarja e nëpunësve?

Shpërndarja e nëpunësve adminisrativ do të bëhet në të gjitha nivelet, edhe në nivel lokal edhe në atë qendror dhe tashmë, sipas Grubit ekziston një draft plan, që sipasj tij, deri në fund të vitit do të jetë përfundimtar, i cili duhet të kalojë në Qeveri. Sipas tij synimi është që brenda vitit të sigurohet një objekt i ri për ministrinë e tij, marrjen e diku 100 personave në ministrinë për sistem politik që qëndrojnë në shtëpi. Pastaj në atë objekt qëllimi është që të bashkohen Agjencia e Gjuhës dhe Inspektorati i punës edhe Ansambli kombëtar i valleve dhe Instituti, si dhe dy drejtori që janë në kuadër të ministrisë për sistem politik, me çka do të fillohet formësimi dhe konsolidimi.

Punësimi i këtyre administratorëve, gjithmonë është pare si një makineri votuese nga kritikët. Temellko Ristevski, ligjërues në Fakultetin e Administratës Politike, disa muaj më pare deklaroi se “T’i gjesh punë dikujt vetëm sa për ta punësuar, nuk është në rregull, sepse bie ndesh me parimin për të pasur një administratë efikase dhe profesionale. Punësimet për qëllime politike në një mënyrë do të thosha paraqesin gangrenë për funksionalitetin e administratës”.

Ai e mbështeti zvogëlimin e administratës për 20 për qind, megjithëse shtoi se do të jetë shumë e vështirë për ta realizuar, pasi siç nënvizoi, çdo përbërje qeveritare ka frikë nga humbja e votuesve nëse le pa punë një pjesë të administratorëve.

Pikërisht kjo e fundit, lë shumë hapësirë për te dyshuar nëse këta administratorë që nuk pranojnë asnjë vend pune, por duan të marrin rrogë, do të humbasin vendin e punës. Çështja nuk është se ata me çdo kusht duhet ta humbasin vendin e punës, por se duhet t’iu gjendet punë në bazë të përgatitjes së tyre dhe pikërisht sepse kjo mënyrë e të marrit rrogë duke qëndruar në shtëpi minon parimet e meritës.

Ndryshe, problemet me administratën kanë qenë edhe ndër kritikat më të mëdha të Komisionit Evropian dhe grupit të ekspertëve të  Rejhard Pribesë ndër vite. Ata në vazhdimësi kanë kërkuar departizim dhe sistematizim të administratës. Komisioni Evropian në raportin e fundit,  krahas përparimeve, numëroi edhe shumë mangësi në fushën e administratës publike. Sipas raportit administrata e Maqedonisë së Veriut vazhdon të jetë e mbingarkuar, megjithëse janë ndërmarr disa hapa në këtë drejtim. Në të thuhet se duhet të sillet vendim përfundimtar nga institucionet përkatëse për pjesën e mbetur të këtyre punonjësve, pasi kjo çështje prej kohësh minon parimet e meritës dhe efektivitetit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button