Kina po detyron qindra mijëra ujgurë dhe pakica të tjera të punojnë në fushat e pambukut

Kina po detyron qindra mijëra ujgurë dhe pakica të tjera në Rajonin Autonom Xinjiang Ujgur që të punojnë në fushat e pambukut, thuhet në një raporti të publikuar nga BBC dhe zhvilluar nga Adrian Zenz, anëtar i Fondacionit për Përkujtimin e Viktimave të Komunizmit në Washington dhe i njohur për punën e tij mbi çështjet kineze, njofton AA, transmeton Portalb.mk.

Sipas raporteve zyrtare nga qeveria kineze dhe mediave lokale,  qindra mijëra njerëz u detyruan të punojnë në fushat e pambukut në Rajonin Autonom Xinjiang Ujgur.

Zenz theksoi se rezultatet që ai mori nga dokumentet zyrtare dhe lajmet janë të një rëndësie “në përmasa historike”.

Duke përmendur provat e mëhershme që ujgurët ishin detyruar të punonin në prodhim tekstili, Zenz vuri në dukje se dokumentet e reja ishin provat e para që morën në lidhje me grumbullimin e pambukut.

Provat tregojnë se në vitin 2018, vetëm tre rajone ujgure mobilizuan të paktën 570,000 persona në operacionet e mbledhjes së pambukut përmes skemës së trajnimit dhe transferimit të punës së detyrueshme të qeverisë. Transferimi total i punës së pakicave etnike nga Xinjiang në mbledhjen e pambukut ka të ngjarë që e tejkalon atë shifër me disa qindra mijëra.

Duke theksuar që Kina siguron 85 për qind të prodhimit të saj të pambukut nga Xinjiang, Zenz tha se 210.000 mbledhës pambuku janë dërguar në provincat Aksu dhe Hotan vetëm në vitin 2018.

Në dokumentet e marra, kishte deklarata që punëtorëve u jepej trajnim për “t’i rezistuar në mënyrë të vetëdijshme veprimtarive të paligjshme fetare” dhe se kjo tregoi se politikat e punës së detyruar ishin të orientuara kryesisht ndaj grupeve muslimane, veçanërisht ujgurëve.

Ndërmarrja e veshjeve me bazë në Suedi, H&M, njoftoi në tetor se nuk do të furnizohej me pambuk nga rajoni autonom Xinjiang Ujgur i Kinës, për shkak të “punës së detyruar” të pakicave etnike.

Po ashtu, firmat Sumerra, Bureau Veritas SA, TÜV SÜD, RINA SpA dhe Prodhimi i Akredituar i Përgjegjshëm në Gjithë Botën (WRAP), të cilat ofrojnë shërbime në çështje si auditimi ndërkombëtar, kontrolli, çertifikimi, vlerësimi i konformitetit, sigurimi i të drejtave të punëtorëve dhe përdorimi i ndërgjegjshëm i mjedisit, gjithashtu kishin vendosur të mos furnizoheshin.

Në një raport të botuar nga Instituti Australian i Politikave Strategjike (ASPI) në mars, u zbulua se Kina dërgoi me forcë më shumë se 80.000 turq ujgurë për të punuar në fabrika në periudhën 2017-2019. ASPI vuri në dukje se kompania suedeze H&M ishte një nga përfituesit e programit të transferimit të punës së detyruar për shkak të marrëdhënieve të saj me prodhuesin e penjve të lyer Huafu Fashion.

Ndryshe, shumë vende, organizata ndërkombëtare dhe raporte akuzojnë Kinën për shkelje të të drejtave të popullatës ujgure në Xinjiang dhe kampet që veprojnë në emrin “qendra të edukimit”.

Sipas të dhënave të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), vlerësohet se të paktën 1 milion ujgurë mbahen pa vullnetin e tyre në vendet që Pekini i quan si “qendra të formimit profesional” por që opinioni ndërkombëtar i përshkruajnë si “kampe riedukimi”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button