Zana Shehi: Të jemi zëri i të pazëshmive, kafshët nuk mund t’i shprehin nevojat e tyre

“Ne duhet të jemi zëri i të pazëshmive” thotë Zana Shehi, aktiviste për të drejtat e kafshëve e cila jeton në Shkup. Zana, që në një moshë shumë të vogël ka shfaqur kujdes për kafshët e rrugës. Në një intervistë për Portalb.mk ajo u shpreh se qëkur ka qenë e vogël nuk ka qenë në gjendje të perceptojë se sa i madh është problemi me kafshët endacake. Por, kur u rrit, u vetëdijësua për këtë çështje dhe tani nuk mund të qëndrojë symbyllur këtij problemi. 

Zana deri më tani ka adoptuar tre qen: Nonon, Millën dhe Negron. Nonon e ka gjetur para tetë viteve në rrugë, në gjendje të mirë shëndetësore ndërkaq Millën dhe Negron i gjeti në gjendje të vështirë.

“Kam pasur shumë raste të tilla dhe do të kem edhe më shumë në të ardhmen, por do të kisha dashur t’i veçoj rastet me tre qentë e mi, Nonon, Millën dhe Negron. Nonon e kam gjetur para tetë viteve në lagje, ai ishte në gjendje të mirë shëndetësore, fatmirësisht. Por, kur i kam gjetur dy qentë e tjerë, Millën dhe Negron, ata të dy ishin në gjendje shumë të vështirësuar shëndetësore, pasiqë i kishte shkelur vetura. Ka qenë një proces shumë i lodhshëm dhe i rëndë deri sa u shëruan të dy, por, fatmirësisht, tani janë mirë të dy”, shprehet Zana.

This slideshow requires JavaScript.

Por, kujdesi i saj ndaj kafshëve nuk përfundon këtu. Zana, kohë më parë pa një qen në rrugë dhe u përkujdes për të, duke i siguruar një vend në pansion (hotel për kafshë) deri sa të gjendet një shtëpi për të. Qenushi pas pesë muajsh gjeti familjen e tij në Gjermani.

“Rastin tjetër që dua ta përmend është kur para nëntë muajve u shfaq një qen në lagje te ne dhe pasi që tashmë kam tre qen, nuk vinte parasysh të adoptoj edhe një tjetër. Kështu që fillova vetëm ta ushqej, duke krijuar një orar, ai vinte në ora shtatë dhe çdo ditë e ushqeja. Por, pas një kohe, filluan kërcnimet nga fqinjët se nuk e duan qenin këtu dhe fillova të gjej alternativa të tjera. Fillova të mendoj për pansion për qenë dhe për këtë më ndihmoi një shoqe e cila ma rekomandoi dhe më lidhi me një organizatë që punon për mbrojtjen dhe avancimin e mirëqenies së kafshëve “Daisy”. Ne u morëm vesh që unë do t’ua paguaj pasionin për qenin, ndërsa ata do të përpiqen që brenda asaj periudhe t’i gjejnë një shtëpi. Nodhi që pas nëntë muajsh ata i gjetën shtëpi në Berlin dhe tani ai është atje i lumtur. Sapo e dërgova qenin në Gjermani, që ditën e nesërmer gjeta një qen tjetër, të cilin gjithashtu e dërgova në pansion derisa t’i gjejmë një shtëpi” , tha Zana.

Zana harxhon para për përkujdesjen e kashëve, por këtë nuk e sheh si një problem. Problemi i vetëm është harxhimi emocional.

“Shpenzimet mujore janë rreth 6.000-7.000 denarë, por shpeshherë nuk është problemi te financat sa është probemi te harxhimi emocional. Siç e dini, çdo ditë ballafaqohemi me raste të ndryshme të keqtrajtimit dhe abuzimit të kafshëve, helmimin e tyre, vrasjeve, dhe këtu qëndron problemi më i madh”, shtoi Shehi.

Sipas Zanës, duhet të gjithë të kujdesemi për kafshët, aq sa kemi mundësi.

“Kafshët nuk flasin dhe nuk mund t’i shprehin nevojat e tyre. Unë e di që ky problem nuk mund të zgjidhet shpejt, por, është shumë e rëndësishme që të fillojmë t’i bëjmë hapat e vegjël. Mjafton që ushqimi që na mbetet të mos e hedhim, por, t’ua japim atyre. Është një vepër shumë humane, sidomos gjatë periudhës së dimrit, kur kafshët e kanë shumë të vështirë të gjejnë ujë dhe ushqim. Shpeshherë më thonë “Zana, a nuk ke punë tjetër?” Kemi shumë probleme më të rëndësishme në jetë, e ti po merresh me kafshët… Unë plotësisht pajtohem me këtë, por, prapëseprapë, nuk duhet të anashkalohet se edhe ato janë qenie të gjalla, edhe ato kanë ndjenja”, shtoi Zana.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button