ANALIZË: A do të ftohë “dushi” politik nga Bullgaria marrëdhëniet ekonomike me Maqedoninë?

Dëmi nga vetoja bullgare është bërë. Edhe për Maqedoninë, në rrugën e integrimit evropian, por edhe në Bullgari, e cila në të ardhmen e afërt do të përballet me pasojat e këtij vendimi. Fqinji ynë lindor, gjeografikisht i afërt, është një nga partnerët më të rëndësishëm tregtarë të vendit, një destinacion i rëndësishëm investimi për ne, por edhe për ta. Kapitali bullgar në vend është regjistruar në disa sektorë.  Hekurudha për në Bullgari mbetet ende, për gati tre dekada, një “dëshirë e zbrazët” si një mega-projekt në letër, i cili në realitet ende nuk ka arritur ta dëgjojë zërin e trenave, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk.

Maqedonia dhe Bullgaria shkëmbejnë mallra dhe shërbime në vlerë prej 640 milion euro…  

Edhe pse territorialisht afër nesh, Bullgaria megjithatë nuk është në “pesëshen” e para të vendeve me të cilat Maqedonia ka vëllimin më të madh të shkëmbimit tregtar. Në veçanti, me një shkëmbim total prej 482 milion euro prej janarit deri në tetor, Bullgaria renditet e gjashta. Para Bullgarisë, sipas shkëmbimit të përgjithshëm tregtar, janë Gjermania, e cila është gjithashtu në vendin e parë, e ndjekur nga Britania e Madhe, Serbia, Kina dhe Greqia.

Krahasuar me të njëjtën periudhë të analizuar të vitit të kaluar, shkëmbimi i përgjithshëm tregtar me Bullgarinë u ul për 55.4 milion euro. Rënie ka edhe në shkëmbimin tregtar me Gjermaninë dhe Serbinë, por ka rritje me Kinën dhe Britaninë e Madhe. Analiza e të dhënave të publikuara nga Enti Statistikor tregon se eksporti maqedonas në Bullgari ka rënë ndjeshëm krahasuar me importin bullgar në vend. Konkretisht, në dhjetë muajt e parë të këtij viti, Maqedonia eksportoi mallra dhe shërbime me vlerë prej gati 223 milion euro në Bullgari, ndërsa importi nga Bullgaria ka qenë në vlerë prej gati 260 milion eurosh.

Shkëmbimi i përgjithshëm tregtar midis Maqedonisë dhe Bullgarisë në nivel vjetor është afër 640,000,000 euro.

Investimet bullgare në Maqedoni “peshojnë” 24,000,000 euro!

Kapitali bullgar në vend është i regjistruar në aktivitete të ndryshme – nga tregtia deri në banka.

Megjithëse investimet nga Bullgaria arrijnë në dhjetëra miliona euro, Bullgaria megjithatë nuk është ndër investitorët e parë në Maqedoni. Vitin e kaluar, të dhënat e përmbledhura tregojnë se investimet totale të drejtpërdrejta të Bullgarisë në Maqedoni arritën në gati 24 milion euro.

Para Bullgarisë, sipas vlerës së IHD-ve në vend janë Gjermania me 49 milion euro, Kina 25 milion euro, Sllovenia 37.5 milion euro, Austria 31.4 milion euro, Greqia 30 milion euro dhe Bermuda 96 milion euro.

Kapitali bullgar në vend ka depërtuar në disa aktivitete dhe sektorë, kurse më i rëndësishëm është sektori financiar-bankar. Në fakt, pronësia bullgare është e pranishme në “Kapital Bank”, “UNI Bank” dhe Banka Qendrore Kooperative.

Në fund të vitit të kaluar, u paralajmërua njëri  nga investimet më të mëdha bullgare, i kompanisë softuerike “Scale Focus” me një plan për të investuar 45 milion euro për një periudhë prej pesë vjetësh.

Pak para vetos bullgare, autoritetet e vendit njoftuan se po tërhiqeshin përkohësisht nga investimet në centralin nuklear bullgar Belene dhe se planet e investimeve të vendit do të orientoheshin drejt termocentralit grek Aleksandropolis, me arsyetimin se ky projekt kishte mundësi më mëdha për zbatim më të shpejtë. Në të njëjtën kohë, Qeveria paralajmëroi investime prej 50 milion eurosh në infrastrukturën rrugore që na lidh me Bullgarinë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button