Roth: Bullgaria e mban peng të kërkesave të veta bilaterale zgjerimin e BE-së

Zgjedhja e Joe Biden-it si Presidenti i ri i SHBA-së ofron shans të ri për angazhim të përbashkët më të fortë të BE-së dhe SHBA-së në Ballkanin Perëndimor, shkruan Michael Roth në një artikull për gazetën gjermane Welt. Megjithëse tema e tekstit ishte 25 vjetori i nënshkrimit të Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit, sekretari gjerman i shtetit vëmendje të madhe i kushtoi zgjerimit të BE-së dhe bllokadës së Bullgarisë mbi përparimin e Maqedonisë së Veriut, shkruan DW, transmeton Portalb.mk.

“Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, në rrugën e tyre drejt BE-së, kanë arritur shumë, përmbushën një agjendë ambicioze të reformave dhe nuk lejuan që të ndaleshin nga pengesa të ndryshme. Duke zgjidhur mosmarrëveshjen e emrit me Greqinë, Maqedonia e Veriut shkroi historinë në kuptimin e vërtetë të fjalës”, shkruan Roth.

“Drita jeshile për fillimin e negociatave të pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut ishte hapi i duhur dhe i domosdoshëm. Tani patjetër në afat sa më të shkurtër që të jetë e mundur të mbahen konferencat ndërqeveritare me të dy vendet, pasi të plotësohen kushtet. Gjermania e ka mbështetur fuqimisht këtë gjatë presidencës së saj të BE-së”.

Ai porosit se “BE-ja duhet të përmbushë premtimin e saj” dhe se Bullgaria nuk mund të imponojë kërkesat e saj bilaterale në nivel evropian.

“Procesi i pranimit nuk duhet të vonohet për një kohë të pacaktuar, vetëm sepse një anëtar i vetëm i BE-së e bën atë peng të kërkesave të veta bilaterale”, shkroi Roth.
Ministri gjerman vlerëson se nevojiten sinjale urgjente pozitive për Ballkanin Perëndimorë, duke shtuar se “asgjë më pak se besueshmëria e BE-së nuk është në lojë”.
“Lidhja e ngushtë me Ballkanin Perëndimor është interesi ynë më i madh strategjik. Përndryshe, do të ketë aktorë të tjerë që nuk kanë shumë gjëra të përbashkëta me vlerat tona. Nuk duhet ta lejojmë atë në një botë ku jemi në konkurrencë me forcat autoritare”.
Roth paralajmëron se nëse BE-ja nuk arrin t’i përmbush premtimet e saj në Ballkanin Perëndimor, atëherë ajo nuk mund të profilizohet as si një lojtar global. Në këtë drejtim, ai pret mbështetje nga administrata e re e SHBA-së.
“Edhe administrata e re e SHBA-së do të presë që të marrim përgjegjësi më të madhe në lagjen tonë. Zgjedhja e Joe Bidenit si President i Shteteve të Bashkuara ofron shans për të punuar së bashku përsëri dhe me vendosmëri për lirinë, pajtimin dhe demokracinë në Ballkanin Perëndimor”, shkruan Roth për Welt.

Kujtojmë se, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria kanë tensionuar raportet muajve të fundit, për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Tito. Paraprakisht, në një dokument gjashtë faqe, me arsyetime të gjata historike për “ideologji shtetërore antibullgare” në Maqedoninë e Veriut, Bullgaria u dërgoi memorandum sqarues vendeve anëtare të BE-së në prag të vendimit për fillimin e negociatave me Unionin.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedono – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button