Në anën e gabuar të konflikteve

Që nga Greqia e Lashtë e deri në konfliktin e fundit në Lindjen e Mesme, mercenarë kemi pasur nga të gjitha anët. Gjatë Luftës së Peleponezit (431-405) p.e.s., mercenarë nga qytet-shtetet i gjetëm në anën e Athinës dhe të Spartës. Historiani dhe strategu ushtarak Ksenofani pas humbjes së luftës prej Spartës në shenjë revolte dhe për nder të gjeneralit dhe strategut athinas të luftës Tukididit, me1000 luftëtarë u largua në drejtim të Persisë, në një ekspeditë ushtarake disavjeçare në territorin e pushtuar nga Syrusi i II mbreti i Persisë.

Në luftërat për dominim detar në Detin Mesdhe në mes Romës dhe Kartagjenës, në tre “Luftërat Punike”, mercenarë të huaj në anën e Hanibalit, mijëra kilometra udhëtuan për të luftuar kundër Romës. Në rrugë e sipër drejt Romës, strategjia e Hanibalit konsistonte në rekrutimin e mercenarëve të huaj për objektivat e ushtrisë kartagjenase. Të njëjtën gjë e zbatuan edhe gjeneralët e Romës, që në pamundësi të ushtrisë së pastër romake u detyruan qoftë me anë të draftit ushtarak ose vullnetit të mirë, të organizonin angazhimin e ushtarëve me dhe papërvojë në njësitë e jashtme të ushtrisë romake. Në veri të perandorisë, betejat e shpeshta në mes romakëve dhe fiseve Germanica, tregonin se pjesa dërmuese e ushtarëve ishin të huaj dhe të paguar nga thesari që e aprovonte Senati në Romë.

1.Dy mijë vjet më pas, natyra dhe motivet e konflikteve ende mbeten të njëjta, ka ndryshuar vetëm forma dhe strategjia. Shpërbërja e katër perandorive evropiane para dhe pas Luftës së Parë Botërore nuk kaloi padhimbje dhe humbje në njerëz.

Ka po shkojnë këta djemë të rinj, po thojnë se shkojnë në Jemen. Po shkojnë në atë vend oj e zeza nanë…”. Janë këto disa nga vargjet e këngëve që i hasim në lirikën tonë të paraqitura në zhanre të ndryshme, e të dëgjuara në ambientet për djemtë që shkuan dhe nuk u kthyen më nga Jemeni dhe shtetet tjera të Lindjes së Mesme. Disa prej tyre ishin me fat dhe pas 12 vjetëve shërbimi dhe në moshë, nëpërmes rrugëve të ndryshme arritën në vendlindje, ndërkaq disa të tjerë u vranë në frontet e huaja për kauza të panjohuara. Largimi i dhimbshëm drejt Jemenit dhe Irakut (B.e Basrës) në vitet (1915-1916) nga rëfimet e gjeneratave që lanë pas, përshkruhet si një faktor i panjohur për motivet drejt pjesëmarrjes në taboret dhe regjimentet e ushtrive të huaja.

Shkuarja individëve në konfliktet e huaja si sektare apo etnike nuk i takon dekadës së fundit. Termin “Luftëtarë të huaj” e kemi dëgjuar dhe lexuar pas vitit 2014, gjatë luftës në Levant me shfaqjen e Shtetit Islamik si aktor konflikti. Autorë të huaj e sidomos nga rajoni i Ballkanit, fenomenin e trajtonin si çështje të re, duke mos i shqyrtuar mirë burimet historike, rrënjët e shpërthimit të konfliktit dhe arsyet e ikjes nga vatani i pjestarëve. Këtu kemi një dallim në mes largimit të pjesëtarëve apo grupeve nga Ballkani në luftërat e shekullit XX, në krahasim me largimin e tyre të fundit drejt Sirisë.

E para lidhej me rendin e ri ndërkombëtar që ishte si prodhim i shpërbërjes së perandorive-nevojës kritike të qeverive për ushtarë për të mbyllur konfliktet dhe betejat e hapura, duke filluar nga Beteja e Galipolit ose e quajtur e Çanakalasë (1915-1916) e deri në ngushticën e Adenit. Ndërsa vala e dytë e ikjes drejt Lindjes së Mesme është më e ndërlikuar dhe e lidhur ngushtë me motivet e brendshme të shteteve prej nga pjesëtarët e larguar e kanë prejardhjen.

2.Në kohën sotit mund të gjejmë raste të shkuarjes në luftërat e huaja për qëllime etnike, fetare dhe financiare. Për t’iu referuar të kaluarës së afërt, gjatë luftës mëse dhjetëvjeçare të BRSS-së në Afganistan gjatë viteve (1979-1989), luftëtarë të huaj nga shtetet arabe shkuan në Afganistan për të luftuar kundër okupimit rus. Gjithashtu në fillim të viteve të 90-ta, luftëtarë të huaj nga e gjithë bota në rrugë të ndryshme vërshuan drejt Bosnjës dhe Hercegovinës.

Në konfliktet ndërshtetërore etnike dhe fetare, luftëtarët e huaj ka të ngjarë të ndodhin në anën e gabuar të luftës. Sipas një raporti të OKB-së mbi 5000 mijë qytetarë nga Evropa Perëndimore dhe afro 25. 000 mijë shtetas të huaj, morën pjesë në Siri dhe Irak duke përfshirë këtu edhe qytetarët e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Janë bërë disa përpjekje për të adresuar shkaqet e largimit të pjesëtarëve të bashkësive të ndryshme drejt Lindjes së Mesme por jo me aq sukses. Miratimi i ligjeve të përshtatshme dhe të drejta është një element thelbësor për të adresuar çështjen e luftëtarëve të huaj në mënyrë efektive. Për këtë qëllim, një numër shtetesh anëtare të Bashkimit Evropian (BE) dhe shteteve të Ballkanit, janë zotuar se do t’i ndjekin penalisht të ikurit pas kthimit në atdhe. Megjithatë, pa një zbërthim të mirë të arsyeve të pjesëmarrjes në luftërat e huaja, dënimet nuk do të ndihmojnë pjesëtarët dhe as më pak shtetet.

Autoritetet qeveritare dhe gjyqësore do të duhet të gjejnë përgjigjen e saktë tek masat parandaluese dhe burimet e ikjes së qytetarëve drejt territoreve të huaja dhe që dallon shumë nga vala e parë e shkuarjes në luftërat e huaja të qytetarëve nga Ballkani, atëherë nga Vilajetet. Për më tepër, Maqedonia e Veriut ka aprovuar një legjislacion kundër luftëtarëve të huaj, ka themeluar një “Këshill Kombëtar” për parandalimin e ekstremizmit dhe ka organizuar aktivitete në këtë fushë por pa u fokusuar në burimet e largimit të individëve.

“O nizam nizam të rinj a ju ka marrë malli për shpi. Malli më ka marrë zemra më është përvlue, kush ka lanë nane e kush ka lanë grue…”. “Vin vaporat vin vaporat moj nane bregut t’detit o dil e shihni moj nane asqert e mretit o dil e shihni moj nane asqert e mretit o gjysa kajshin moj nane e gjysa knojshin o ka ni leter moj nane nvilajt e qojshin o ka ni leter moj nane nvilajt e qojshin…”.

Rekrutimi vazhdoi nga Luftërat Ballkanike, në Frontin e Sremit dhe të Trieshtës (1944-45), duke i njohur motivet e pjesëmarrjeve në krahasim me dy të lartëpërmendurat që kërkojnë hulumtime të pavarura.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button