Ndërveprimi midis letërsisë shqipe dhe letërsive të tjera

Janë të rralla letërsitë e kombeve të vegjël si yni që kanë krijues të pothuajse gjithë periudhave letrare. Kjo, pa dyshim, ka mundësuar ndërveprimin e hershëm midis letërsisë shqipe dhe letërsive tjera të botës, që zuri fill në kohën e Rilindjes evropiane, kur krijimtaria letrare e mbarë kontinentit shkruhej në gjuhën latine.

Fatmirësisht, tradita ndërvepruese vazhdoi edhe me krijuesit e periudhës që sot njihet si Letërsi e vjetër shqipe (letërsi me bazament feje po me copëza të letërsisë laike); me krijuesit e Rilindjes shqiptare, disa prej të cilëve arritën renome ndërkombëtare dhe krijuan nën ndikimin e fuqishëm të letërsive më të mira të orientit dhe oksidentit; me krijuesit e mërguar për arsye të ndryshme ekonomike e politike; me krijuesit shumëgjuhësorë dhe gjithsesi me krijuesit më të përkthyer në gjuhët e mëdha të Evropës dhe botës, si: Ismail Kadare, Lin Delija, Elvira Dones, Bashkim Shehu, Xhevdet Bajraj e shumë të tjerë.

Gjithsesi një kontribut të shquar në planin e ndërveprimit të letërsive po jep edhe mjeshtri i prozës narrative Luan Starova, i cili me 22 romanet e Sagës ballkanike ndërlidh denjësisht letërsinë shqipe me letërsinë botërore.

Ndikimet në fusha të caktuara që lidhen me temën apo tipin e romanit që kultivon Starova janë evidentuar nga studiues të shumtë. Ata e kanë përmendur emrin e tij krahas emrave të një vargu të gjatë krijuesish të shquar të letërsisë evropiane e botërore, që nga autorët e mëdhenj shqiptarë e ballkanas: Konica, De Rada, Sami Frashëri, Pashko Vasa, Kadareja, Danillo Kishi, Mesha Selimoviqi, Vasili Vasilikosi… e gjer tek autorët e mëdhenj të letërsisë botërore: Servantesi, Gogoli, Kafka, Kamyja, Montenji, Prusti, Elijari, Malarmeja, Moreni, Grasi, Mani, Shollzenjicini, Kundera,  Markesi…

Sipas tyre (studiuesve), veprën e Starovës me veprën homerike e lidhin heronjtë apatridë e endacakë që, secili në mënyrën e vet, kërkojnë udhët e kthimit në tokën e të parëve të tyre nëpër labirinthet ballkanike; me Servantesin betejat utopike/ donkishoteske të babait; me Fransoa Rablenë – ironia tipike rableane; me Marsel Prustin – romani autobiografik, kërkimi i kohës së humbur, rrëfimi i çliruar nga shablonet tradicionale, imagjinata që bredh nëpër kundërshtitë e jetës; me Floberin – ndoshta dimensioni i marrisë, si diçka që shoqëron njeriun nga zanafilla; me Franc Kafkën – shumkuptimësia e prozës dhe parabola; me Bertolt Brehtin – parabola e  dramës; me Alber Kamynë – tema e absurdit, individi i gjendur në mëshirën e dhëmbëzorëve drobitës të pushtetit, para të cilit është gjithnjë fajtor; me Tomas Manin – sintezat me thellësi mitike dhe lehtësi humoristike; me Balzakun – romani serik, me Gogolin – elementi i burleskut; me Xhorxh Oruellin – projeksionet simbolike; me Apolinerin – fati i shkularakut (njeriut të shpërngulur nga vendlindja) dhe ai i njeriut kosmopolit; me Borhesin – universi i jetës së ndërlidhur me bibliotekën, me Ginter Grasin – mbështetja në konceptin e njëjtë kulturor dhe analogjia ndërmjet jetëve dhe veprave të tyre (që të dy janë fëmijë refugjatësh dhe i kanë përjetuar golgotat e shpërnguljes me syrin e fëmijës…); me Jose Saramagon – evokimet e kujtimeve të fëmijërisë në kontekst të së vërtetës jetësore/ historike, fort të ngjashme me skenat e romanit “Koha e dhive”; me Panajot Istratin, Nikos Kazanzakisin, Selimoviqin, Vasilikosin, Donçevin, Sijariqin, Crnjanskin… – tema otomane, prezenca e melankolisë, zgjerimi i kornizave të mitologjisë letrare, brenda së cilës bashkëjetojnë urtësia lindore dhe racionaliteti perëndimor, dritarja e kulmit, e kthyer kah mitet, kuptimi për përrallën e letërsisë ballkanike; me Kishin – madhësia e homazhit kushtuar babait; me Kadarenë – tema osmane e staliniste, lehtësia me të cilën orientohet në hapësirën ballkanike dhe idetë koniciane…

Siç shihet Saga ballkanike është vepër që, përmes analogjishë, mund të ndërlidhet me vepra të njohura të letërsisë botërore, ndaj çdo tentim për ta thënë fjalën e fundit në këtë pikë është i pakuptimtë.  Megjithatë, ne po ndalemi te romani “Trapi prej guri” të shkrimtarit të famshëm portugez Jose Saramago – të njohur për gërmimet drejt rrënjëve personale për të gjetur në to rrënjët e botës…, me të cilat Saga  e Luan Starovës ka ngjashmëri befasuese. Në romanin në fjalë autori shpreh hidhërimin personal dhe hidhërimin portugez, për përçmimin evropian, i cili, çuditërisht është i ngjashëm me përçmimin shekullor të bërë ndaj shqiptarëve. Për ta argumentuar këtë, po reprodukojmë një copëz të deklaratës së Saramagos, të cilën e huazuam nga revista Mehr Licht!, nr. 9, f. 179: “Ky roman që po shkruaja atëherë – Trapi prej guri – e shkëpuste nga Kontinenti gjithë Gadishullin Iberik dhe e kthente në një ishull të madh lundrues, që lëvizte pa rrema, pa vela, pa helika, në drejtim të jugut ‘një masë guri e dheu, e mbuluar me qytete, fshatra, lumenj, pyje fabrika dhe shkurre, ara me njerëz dhe kafshët e saj’, rrugës për të gjetur një Utopi të re: takimin kulturor të popujve të Gadishullit me popuj nga ana tjetër e Atlantikut, duke sfiduar kësisoj mundimin mbytës të ushtruar mbi atë rajon nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës… Një vizion dyfish Utopik do ta shihte këtë prozë politike si një metaforë shumë më fisnike njerëzore: që Evropa, e gjitha, duhet të lëvizë në drejtim të Jugut për të ndihmuar në ekuilibrimin e botës, si kompensim për shtypjen e saj koloniale në të kaluarën dhe në të sotmen. Domethënë, Evropa, më në fund, si pikë etike referimi. Personazhet e romanit Trapi prej guri dy gra, tre burra, një qen – vazhdimisht udhëtojnë nëpër Gadishullin që çanë ujërat e oqeanit. Bota po ndryshon dhe ata e dinë se duhet të gjejnë në veten e tyre njerëzit e rinj siç do të bëhen në të ardhmen (për të mos përmendur qenin, ai nuk është si qentë e tjerë…). Kjo gjë u mjafton”.

Tani, të paktën për njohësit e Sagës ballkanike, është e qartë arsyeja e reprodukimit të këtij paragrafi, që duket i shkruar enkas për zbërthimin e thelbit të korpusit romanor të Luan Starovës, në qendër të të cilit është gjithashtu fati i një familjeje dhe kuptohet, përmes saj, fati i ngjashëm i shqiptarëve dhe ballkanasve me fatin e një gadishulli tjetër të përjetësuar nga një gjeni tjetër letrash me vlerë estetike.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button