Déjà vu

Edhe kësaj rradhe nuk ia dolëm. Vetoja bullgare ndaloi hapërimin drejt hapjes së negociatave për aderim në Unionin Evropian. Në fillim ishte Greqia, problem u zgjodh pas 30 vitesh negociata. Pastaj erdhi Franca me interpretimet e saja të pakuptueshme rreth metodologjisë së zgjerimit të UE-së në Ballkanin perëndimor. U ndryshua edhe metodologjia. Në ndërkohë erdhi periudha e zgjedhjeve në Bullgari, dhe ja ku jemi tani, duke u përpëlitur në dushin e ftohtë të vetos që ata thonë se nuk është veto. A thua sa do të zgjasin bisedimet me Bullgarinë? A thua do të ketë përparim në mars kur të mbarojnë zgjedhjet atje? A thua si do të reflektojë e gjithë kjo në zgjedhjet tona?

Kur analizohet reagimi ndërkombëtar lidhur me veton bullgare nuk mund të anashkalohet ndjenja e déjà vu-së. E kemi kaluar edhe më herët këtë moment, kur përkundër gjithë përkrahjes që ky shtet e kishte nga vetë presidenti Bush dhe administrata e tij, Greqia vendosi veto për anëtarësimin në NATO. Ajo u kritikua nga e gjithë bota lidhur me këtë, por ja që vetoja mbeti aty deri sa u arrit marrëveshja e Prespës. Në vitet mes 2008 dhe 2016 pamë një regres eklatant në marrëdhëniet me Greqinë si dhe me gjithë botën e civilizuar, pamë regjimin që doli nga të gjitha kontesktet logjike, u fut në antikizim si dhe në format më të errëta të demokracisë joliberale. Mezi dolëm nga ajo situatë, me shumë sakrifica dhe këmbëngulësi. Mezi u kthyem në rrugën e integrimit në Unionin Evropian, mezi e morëm veten nga ato dhjetë vite. Ende nuk e kemi marë veten tërësisht dhe rreziku i rikthimit të asaj gjendjeje është gjithmonë aty.

Kur Franca vendosi veton e saj dhe nuk leoji hapjen e bisedimeve me Maqedoninë e Veriut  duke thenë që metodologjia e zgjerimit të Unionit Evropian duhet reformuar, u përball me kritika të shumta për këtë veprim. Ata poashtu theksonin që kjo nuk është veto, por në fakt veto ishte, edhe atë veto e madhe. Franca u kritikua nga të gjithë por vetoja qëndroi, kështu puna u zvarrit deri tani, kur Franca dha përkrahjen e saj, por tani u aktivizua Bullgaria me retorikën e saj parazgjedhore dhe me ritheksim të problemeve historike. Është absurde të lexosh lajme të tilla si “Komisioni i historianëve është bllokuar tek vendimi lidhur me mbretin Samoil”. Është absurde ardhmëria evropiane e një shteti të varet tërësisht nga ajo se çfarë ka qenë Samoili, dhe çfarë ka ndodhur në këto territore shekuj më parë, kur Unioni Evropian as që eksistonte.

Edhe Madeleine Albright kritikoi Bullgarinë lidhur me veton e saj ndaj Maqedonisë së Veriut dhe e quajti tragjike këtë situatë. Të gjithë e kritikojnë Bullgarinë, por sa rendësi ka kjo? Vetoja është aty edhe kur Zaharieva thotë që kjo nuk është veto. Vetoja mbetet aty edhe kur mbraojnë të gjitha kritikat ndaj Bullgarisë. Vetoja e mbylli për momentin rrugën e integrimit tonë evropian, dhe mund të hapë rrugë tjera, të njohura tani më për ne, në të cilat nuk është mirë të hapërojmë sërish.

E gjithë kjo situatë tani më e parë, tani më e përjetuar, nuk mund të mos na e kujtojë izolimin në të cilin u fundosëm pas vetos së Greqisë për anëtarësimin në NATO. Për fat shumë të mire dhe si reyultat i po atyre angazhimeve që na kthyen në rrugët normale dhe na nxorën nga qorrsokaqet, tani më jemi në NATO dhe kjo është një përparësi shumë e madhe. Kjo është një siguri se punët nuk mund të dalin tërësisht jashtë kontrolli si në të kaluarën. Por nuk i dihet asnjëherë. Edhe shtete të tjera që janë në NATO shpesh kanë treguar afinitete të mëdha për tu transformuar në demokraci joliberale pasi janë përballur me realitetin se nuk do të mund të anëtarësohen në UE. Mundësitë reale për tu anëtarësuar në UE dhe vetë procesi i negociatave janë një ndihmesë e madhe për demokratizimin e institucioneve të një shteti. Sa është e mundur që reformat e gjyqësorit dhe administratës publike realisht të vazhdojnë nëse perspektiva e integrimit në UE zbehet ose pengohet çdo ditë nga një shtet tjetër? Sigurisht që shteti do të argumentojë tërë kohën se punon tek reformat, por realisht, përparimi do të jetë i ngadalshëm dhe sipërfaqësor.

Alternativë tjetër përveç hapjes së negociatave për aderim në UE nuk ka. Ato që disa i quajnë alternativa nuk janë fare të tilla sepse përfundojnë në rrugë pa krye dalja nga të cilat është e lodhshme dhe e vështirë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button