Buçkovski pas takimit në Sofje: Sigurova Zaharievën se jemi të vendosur të inmplementojmë Marrëveshjen për Miqësi

Përfaqësuesi special për Bullgarinë, Vlado Buçkovski, pas takimi të sotëm në Sofje me minsitren bullgare, Ekaterina Zaharieva, deklaroi se ka pasur takim konstruktiv dhe bisedime miqësore. Ai tha se takimi i sotëm është një hap për kthimin e besimit të humbur dhe se ka siguruar Zaharievën se vendi është i vendosur të implementojë Marrëveshjen për Miqësi nga viti 2017, transmeton Portalb.mk.

“Jemi të bindur se kemi siguruar minsitren Zaharieva se jemi të vendosur që të implementojmë Marrëveshjen për Miqësi. Pranojmë se është humbur besimi. Unë shprehi kënaqësinë time që Bullgaria e vlerëson emërimin tim si përfaqësues special si përpjekje shtesë që të kthejmë besimin e humbur. Jemi pajtuar se është koha që të lavdërohemi për atë që kemi punuar me vepra dhe jo me fjalë të zbrazëta. Historinë e përbashkët nuk mundemi ta ndryshojmë as unë, as Zaharieva, por mundemi t’i ndryshojmë punët në pjesën e infrastrukturës, projektet e përbashkëta kapitale, në arsim, kulturë dhe atë do ta bëjmë”, tha Buçkovski në konferencë për media pas takimit me ministren bullgare.

Zaharieva nga ana tjetër tha se, ajo që Bullgaria nuk e miratoi kornizën negociuese për negociatat qasëse të Maqedonisë me BE quhet veto në mënyrë jo të duhur.

“Nuk ka dyshim se gjendemi në periudhë delikate. Të dyja palët jemi të zhgënjime se nuk u miratua korniza negociuese. Ajo është ashtu jo sepse Bullgaria i ka vendosur veto Maqedonisë, por sepse nuk është përmbushur Marrëveshja për Miqësi e vitit 2017, për çka i kemi alarmuar fqinjët tanë. Fushata antibullgare, tezat se kemi vendosur veto apo se kemi kontestuar të drejtën për vet përcaktim nuk janë të sakta dhe nuk ndihmojnë për ndërtimin e besimit mes dy popujve”, tha Zaharieva.

Vllado Buçkovski sot zhvillon vizitën e tij të parë zyrtare në Sofje prej se u emërua përfaqësues special i Qeverisë maqedonase për të zgjidhur mosmarrëveshjen me Bullgarinë. Buçkovski ka mandat prej një viti dhe do të punojë në zbatimin e planit të veprimit për zbatimin e suksesshëm të Marrëveshjes së Miqësisë.

Bullgaria edhe një herë dje i vendosi veto Maqedonisë së Veriut për miratimin e kornizës negociuese. Qeveria  e ka quajtur veton si një gabim të papërgjegjshëm gjeo-strategjik, duke theksuar se e “ardhmja maqedonase është evropiane”.

Megjithëse, vizita e Buçkovskit duket shpresëdhënëse, pas takimit të djeshëm të Këshillit të Ministrave në Bruksel, që përfundoi pa miratimin e kornizës negociuese për Maqedoninë e Veriut, gjasat duken tepër minimale që vendi të fillojë këtë vit negociatat e pritshme për anëtarësim në BE.

Gjasat duken edhe më të vogla kur dihet se edhe komisioni për çështje të historisë me Bullgarinë nuk ka progres. Bashkë-kryesuesi i palës maqedonase Dragan Gjorgiev, tha se përfaqësimi i Mbretit Samoil dhe përdorimi i mbiemrit “maqedonas” në protokollin – janë dy çështjen në të cilat ka ngecur ky komisioni.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button