Kosovë, u ndanë çmimet fituese në garën me fotografi “Faji i Korrupsionit” (VIDEO)

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka ndarë çmimet e përvitshme për garën me fotografi “Faji i Korrupsionit”, organizim që mbahet për të shënuar Ditën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit, raporton Anadolu Agency (AA).

Ceremonia e ndarjes së shpërblimeve për foton më të mirë ka për qëllim të ofrojë një formë të vetëdijësimit të qytetarëve rreth së keqes shoqërore.

Përmbajtja e fotografive në këtë garë kryesisht fokusohet tek ndikimi i korrupsionit në jetën e njerëzve e sidomos të grupeve më të rrezikuara – fëmijëve dhe të moshuarve.

Zyrtari ligjor i KDI, Florent Spahija bëri të ditur se pjesëmarrës në këtë garë që ka qenë e hapur për një muaj, kanë qenë 49 aplikues. Ndërsa, forma e votimit ka qenë me pikë nga një juri prej tre anëtarëve.

“Kemi pasur një juri profesionale në përbërje të fotografit Ferdi Limani, gazetarit Imer Mushkolaj dhe menaxherit të programit kundër-korrupsion në KDI, Arben Kelmendi. Forma e votimit ka qenë në dy raunde. Raundi i parë ka përfshirë të gjitha fotografitë aplikuese ku juria ka poentuar me pikë nga 1 deri në 20 fotografitë dhe nga 49 fotografi janë zgjedhur 33 fotografi të cilat kanë shkuar në raundin e dytë dhe më pas kemi zgjedhur 3 fotografi fituese”, tha Spahija.

Fituesi i çmimit të parë, Valdrin Fetahu u shpreh i kënaqur me vlerësimin e jurisë, por ai shprehu dëshirë që viteve të ardhshme në Kosovë të ketë sa më pak lloje të korrupsionit.

“Jam shumë i lumtur kur arrij sukses me fotot e mija, por nuk jam i lumtur për atë që brenda kësaj ekspozite, brenda 49 fotografive janë diku 20 lloje të korrupsionit që janë të pranishme ende edhe pas 20 vitesh në Kosovë”, tha Fetahu.

Fotografia e Valdrin Fetahut ka në epiqendër ndikimin e korrupsionit tek fëmijët. Gjithashtu me të njëjtën temë ka qenë përmbajtja e fotografisë së dytë fituese nga Fatlinda Daku. Ndërsa çmimi i tretë u nda për Korab Bashën, me temë të fotografisë mbindërtimet apo ndërtimet pa leje.

Organizata ndërkombëtare “Transparency International” në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2019, ka radhitur Kosovën në pozitën e 101, me 36 pikë. Ky rezultat do të thotë se Kosova ka shënuar përkeqësim në luftën kundër korrupsionit krahasuar me vitin paraprak, kur ka qenë në vendin e 93-të, me 37 pikë.

Pesëmbëdhjetë vite më parë në këtë datë ka hyrë në fuqi konventa e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) kundër korrupsionit, e cila bën thirrje për forcimin e masave parandaluese, përfshirjen e veprave korruptive në kodet penale të shteteve nënshkruese, fillimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në parandalimin dhe ndjekjen e korrupsionit, fuqizimin e asistencës teknike, shkëmbimin e informatave midis shteteve nënshkruese dhe ndërtimin e mekanizmave zbatues.

Kjo konventë mbetet mekanizmi i vetëm ndërkombëtar kundër korrupsionit dhe deri më sot është nënshkruar nga 187 palë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button