Radhën e ka Qeveria: Edhe ekologët edhe “Euromaks” presin vendim, çka më tutje me rastin e minierës në Illovicë

Kompania “Euromaks resursis” sot u prononcua lidhur me vendimin e Gjykatës së Lartë administrative, me cilin e konfirmoi vendimin e Gjykatës administrative për shfuqizim të aktvendimit të Komisionit shtetëror për vendimmarrje në procedurë administrative dhe procedurë të marrëdhënieve të punës në shkallë të dytë, me të cilin konfirmohet marrje e lejes për eksploatim e kompanisë për hapje të minierës Illovicë-Shtuka. Nga kompania thonë që me aktgjykimin vërtetohet se Ministria për Ekonomi duhet ta ketë pritur vendimin e Qeverisë për kërkesën për bashkëngjitje të koncesioneve, para se të sjellë vendim për koncesionin, shkruan Meta, transmeton Portalb.mk.

“Duke pasur parasysh “parimin e orientimit për shërbim ndaj palëve”, organi administrativ i shkallës së parë – Ministria e Ekonomisë, duhet ta ketë pritur vendimin e Qeverisë për kërkesën e “Euromaks” për bashkëngjitje të koncesioneve Illovica 6 dhe Illovicë 11 të parashtruar nga 29 janari 2016 e pastaj të vendosë për Kërkesën për lëshim të lejes për eksploatim të lëndëve minerale”, kanë informuar sot nga “Euromaks resursis”.

Nga kompania informojnë që nuk ka ndryshime në strukturën pronësore, ndërsa kompania e regjistruar në Maqedoni “Euromaks resursis SHPK Shkup” dhe projekti “Illovicë-Shtuka” janë në pronësi të plotë të “Euromaks Resources Limited”, shoqëri kanadeze, e regjistruar në Vankuver, Kanada, e cila është publikisht e evidentuar në Bursën e letrave me vlerë në Toronto. Kështu është nga viti 2012 dhe projekti asnjëherë nuk ka qenë i shitur apo i dorëzuar për ndonjë kompani tjetër në vitet e kaluara, ndërsa kapitali është me origjinë të vendeve tjera, nga Kanadaja, SHBA-të, Anglia, Zvicra dhe vendet anëtare të BE-së.

Me vendimin e Gjykatës së Lartë administrative për t’i hedhur poshtë ankesat e Komisionit të Shkallës së dytë dhe të “Euromaks”, procedura për lëndën kthehet disa hapa mbrapa. Apel për Qeverinë, që përfundimisht të vendosë dhe t’i jepet fund kontestit, kishte edhe nga shoqata “Luginë e shëndetshme”. Aktivistët e komunave që gravitojnë rreth lokacionit të minierës potenciale paralajmëruan protesta të reja, si dhe që vazhdojnë me përkushtim synimin që në rajonin e tyre të mos ketë minierë.

“Me aktgjykimin, anulohet marrja e lejes së “Euromaks resursis” për eksploatim dhe së pari kërkohet të zgjidhet bashkëngjitja e dy koncesioneve, pastaj të vendoset për marrje të lejes për eksploatim. Me marrjen e lejes për eksploatim vihet në pikëpyetje edhe vendimi për pezullim të koncesionit, ndërsa ‘Euromaks resursis’ kthehen sërish në lojë. Radhën e ka Qeveria dhe Ministria e Ekonomisë” thonë nga “Lugina e shëndetshme”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button