Reshjet e shiut paraqesin shqetësim për lagjen e Seravës, Komuna e Çairit akoma nuk ka rregulluar kanalizimin atmosferik

Qytetarët e Shkupit disa ditë zgjohen me të reshura të shiut ndërsa parashikimet janë që të njëjtat do të vazhdojnë edhe gjatë ditëve në vijim. Për shumicën e qytetarëve ky është një lajm i zakonshëm dhe i pritshëm në stinën e vjeshtës , por për banorët e lagjes së Seravës, ky është një lajm shqetësues, shkruan Portalb.mk.

Reshjet e shiut paraqesin frikë dhe shqetësim për banorët e kësaj lagje, ku akoma nuk është rregulluar çështja e kanalizimit atmosferik, i shumë premtuar nga ana e Komunës së Çairit, shkruan Portalb.mk.

Pothuajse çdoherë kur bie shi, banorët përballen me problemet e njëjta, rrugët vërshohen nga uji, ndërsa si pasojë e mungesës së kanalizimit atmosferik, uji vërshon edhe shtëpitë e banorëve, duke iu shkaktuar dëme të konsiderueshme.

“Shirat janë të frikshëm për ne si banorë të lagjes Seravë, pasi që rrugët mbushen me shumë ujë, bëhen lum për shkak të kanalizimit të parregulluar. Kjo paraqet vështirësi për ne si banorë të kësaj lagje, pasi që shpesh ndodh që nga uji të na dëmtohen edhe shtëpitë dhe detyrohemi me mjete tona shtëpiake ta bëjmë largimin e ujit. Kjo është e dëmshme edhe për shëndetin tonë e të fëmijëve”, tha një banore e Seravës.

Banorët e kësaj lagje, ndjehen të neglizhuar dhe të lënë në harresë dhe thonë se janë lodhur nga premtimet e parealizuara.

“Për ne si banorë të lagjes Serovë po shndërrohet në një tmerr të vërtet çdoherë që bie shi. Për shkak se tani më një periudhë të gjatë jemi lënë në haresë e vetmja gjë që na mbetet është të lutemi që reshjet e shiut të mos jenë shumë të gjata për shkak se po na shkaktohet me të vërtet dëm i madh nëpër shtëpitë tona. Jemi lodhur nga premtimet e autoriteteve komunale se do të gjejnë zgjidhje për problemin me kanalizimin, megjithatë ditët po ecin ndërsa zgjidhja nuk është gjetur”, tha një banor tjetër.

Portalb.mk kërkoi përgjigje edhe nga Komuna e Çairit se deri ku është projekti për ndërtimin e kanalizimit, por deri në këto momente nuk kanë kthyer përgjigje.

Në fillim të mandatit të tij, kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu, premtoi se do të realizojë shumë projekte në këtë komunë dhe mes tjerash, tha se do të ndërtojë edhe kanalizim atmosferik në lagjen e Seravës, e cila ka më së shumti probleme me vërshimet.

Por, në vitin e fundit të mandatit, kanalizimi dhe shumë projekte të tjera të Ganiut, lidhur me përmirësimin e kushteve të kësaj komune, e cila për vite të tëra është lënë në mjerim dhe në kaos të vërtetë, kanë mbetur vetëm në platformën e fushatës zgjedhore.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button