Tetovë, trotuaret në shkollën e muzikës me vetura dhe kosha për mbeturina, nxënësit në rrugë!

Të stërmbushura me vetura të parkuara dhe kosha për mbeturina ishin trotuaret rreth shkollës së muzikës “Todor Skallovski” në Tetovë. Nga mungesa e infrastrukturës së sigurt, nxënësit e kësaj shkolle rrezikojnë jetët e tyre për të arritur deri te objekti. Nga Komuna e Tetovës premtojnë zgjidhjen e këtij problemi brenda 1 muaji, shkruan Portalb.mk.

Në shkollën e muzikës “Todor Skallovski” në Tetovë përveç nxënësve të shkollave të mesme, ka edhe filloristë të cilët janë të regjistruar dhe ndjekin çdo ditë orët e tyre. Bëhet fjalë për fëmijë të moshën nën 14 vjeç që çdo ditë detyrohen të ecin në rrugë, për shkak se trotuaret i kanë të mbushura me vetura.

Kështu dukej trotuari i kësaj shkolle:

Trotuaret rreth shkollës së muzikës "Todor Skallovski", Tetovë.
Trotuaret rreth shkollës së muzikës “Todor Skallovski”, Tetovë.

Për këtë shkollë dhe shkollat tjera të cilat kanë mungesë të bllokatorëve, edhe atë: SHF“Naim Frashëri”, SHF “Migjeni”, SHF “Goce Delçev” nga Komuna e Tetovës për Portalb.mk premtuan se në ditët e para të vitit 2021, ky problem do të zgjidhet.

Teuta Arifi
Teuta Arifi

“Aktualisht na kanë mbaruar sasitë e materialeve që i vendosim për të bllokuar veturat nga parkimi në trotuaret përreth shkollave fillore, e kemi në plan ti vendosim edhe te disa shkolla tjera mirëpo ngelet për vitin e ardhshëm, apo në një afat prej 1 muaji, ditët e para të vitit të ardhshëm” thanë nga Komuna e Tetovës.

Ndërkaq nga Sektori për Punë të Brendshme (SPB) na informuan se tre vitet e fundit ka pasur rritje të butë të numrit të këmbësorëve të cilët janë lënduar nga automjetet, bëhet fjalë për gjithsej 308 këmbësorë për 4 vite.

  • 2017 – dy viktima, 67 këmbësorë me lëndime të lehta trupore, 18 këmbësorë me lëndime të rënda trupore.
  • 2018 – një viktimë, 72 këmbësorë me lëndime të lehta trupore, 18 këmbësorë me lëndime të rënda trupore.
  • 2019 – dy viktima, 74 këmbësorë me lëndime të lehta trupore, 16 këmbësorë me lëndime të rënda trupore.

Marrë parasysh se ende nuk ka mbaruar viti 2020, deri tani gjithsej janë regjistruar 38 këmbësorë të lënduar nga automjetet në Tetovë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button