ANTROPOLOGJI: QEVERISJA DHE (I)MORALITETI (1)

Termi antropologji rrjedh nga dy fjalë greke, anthropos = njeri dhe logos = shkencë, që do të thotë studim i njeriut, i formave të ekzistencës shoqërore të njeriut anekënd botës dhe nëpër kohë. Është pra një shkencë humane që përpiqet të përftojë përgjithësime të kuptimta për njerëzit dhe sjelljet e tyre dhe ta kuptojë sa është e mundur shumëllojshmërinë e njerëzve ose diversitetin human. Ndahet në antropologji kulturore, fizike, linguistike dhe arkeologji. Një nëndisiplinë e saj është edhe antropologjia politike, merret me shqyrtimin e politikës në rethana historike, sociale dhe kulturore, mes tjerash edhe me relacionin politika dhe morali. Siç dihet, ekziston një tezë e shumëpërhapur dhe defetiste që përjashton çdo vlerë nga politika. Por, edhe antiteza e etikës politike që thotë se morali dhe politika janë ngushtë të lidhura mes vete.

Këtyre ditëve një pjesë të mirë të kohës sonë harxhuam duke e analizuar një artikull interesant lidhur me temën “Dështimi moral dhe falimentimi i shteteve: Një vështrim nga e kaluara”, të zbërthyer në “Big Think” dhe “Eureka Alert”. Në të shpalosej një studim i kohëve të fundit, botuar në Frontiers in Political Science, 16 tetor 2020, që flet për diadën lidershipi i virtytshëm- qeverisja efektive (virtuous rulership and effective governance), që sugjeron se madje edhe shoqëritë dhe perandoritë më të fuqishme janë shkatërruar nëse në krye kanë pasur prijës që kanë shkelur kontratat dhe vlerat sociale. Studimi antropologjik i një kampioni prej tridhjetë shoqërive arkaike apo paramoderne, ku katër janë vënë në fokus më të afërt (Perandoria Romake, Dinastia Kineze Ming, Shteti Mugal dhe Republika Venedikase), mëson se edhe shoqëritë “e mirëmenaxhuara” nuk janë imune ndaj shembjeve katastrofike. Shoqëritë ku qeveritë kanë ofruar benefite dhe shërbime por që nuk kanë penguar pabarazitë drastike të pasurisë dhe pushtetit, kanë tregurar prirje për t’u shkatërruar në mënyrë më dramatike se sa ato që janë udhëhequr nga despotë, madje janë rrënuar më shpesh.

Sipas udhëheqësit të këtij hulumtimi Richard Blanton, profesor i antropologjisë në Purdue University, “dështimi shteteve ka ndodhur si pasojë e faktit që liderët nuk i kanë ndjekur vlerat dhe normat nga të cilat janë udhëhequr prijësit pararendës, gjë që ka shkaktuar humbjen e besimit të qytetarëve te lidershipi dhe qeveria.” Shtetet e organizuara në bazë të veprimit kolektiv dhe qeverisjes së mirë ofrojnë përfitime kolektive, por vetëm për aq kohë sa udhëheqësit dhe qytetarët respektojnë përkushtimet morale. (Levi, 1988) Dështimi moral i prijësisë çon në fatkeqësi, sepse qarkullimi i i gjakut të këtij entiteti (lidershipit) kërcënohet kur humbet besimi te shteti, që si pasojë ka ndarjen dhe përçarjen shoqërore, grindjet, arratisjet dhe motivimin e zvogëluar për të përmbushur detyrimet tatimore; më tej vijon ekonomia fiskale e dobësuar, dështojnë shërbimet, si të mirat publike dhe kontrolli administrativ i korrupsionit, nga të cilat qytetarët janë të varur.

Se si shmangia nga kursi i vlerave morale shkatërron shoqëritë tregon rasti i Dinastisë Ming (1368-1644), themelues i së cilës është Hung Wu, që kishte pasur një program për rigjallërim të filozofisë konfuciane me synim kryesor rritjen e kapacitetit të shtetit për t’i shërbyer të mirës së përgjithshme të shoqërisë. Në këtë drejtim ai realizoi reforma civile dhe administrative kruciale, themeloi mijëra shkolla, bëri hapa galopantë për të siguruar kapital shoqëror për të varfrit, caktoi taksa të barabarta, krijoi mekanizma për monitorim të zyrtarëve dhe për të penalizuar korrupsionin zyrtar. Por ky kurs u ndryshua nga pasardhësit e tij si Wan-li (1567-1572), i cili u largua nga përkorja dhe modestia dhe u bë kërkues i zjarrtë i pasurimit personal, caktoi eunukë që do të shkëpusnin nga burimet publike, u izolua në pallat, iu shmang kontakteteve me zyrtarët e administratës që kundërshtonin veprimet e tij. Neglizhimi i detyrave dhe dështimi moral shkaktuan humbjen e besimit të qytetarëve te udhëheqësia dhe e kufizuan aftësinë e tij për të kontrolluar taksat pa vend dhe korruptimin e kuadrove administrative. Për pasojë, vijuan rebelimet, rënia katastrofike e prodhimit agrar dhe rritja marramendëse e numrit të njerëzve të varfër. Mungesa e gatishmërisë ushtarake përgjatë kufirit verior bëri që perandoria të pushtohej nga mançut (popull tunguz nga Mançuria) e fuqishëm, që në vitin 1644 sollën edhe fundin e dinastisë në fjalë. (vijon)

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button