fbpx

Shkëlzen Pajaziti: Rinia është periudha më e mirë e jetës për të realizuar ëndrrat (VIDEO)

Që në moshën 6 vjeçe kam marrë pjesë në festivale të ndryshme për fëmijë, ku kam kënduar. Por, nuk e gjeta veten te këndimi, më ngjallte emocion koncerti i muzikës klasike kur dikush luante me violinë, më bënte për vete, e shihja veten në atë skenë thotë Shkëlzeni në këtë intervistë për Portalb.

Tani violina është bërë pjesë e pandashme e jetës time, shton ai. Me violinën e tij, ai ka arritur të merr pjesë në manifestime të ndryshme si në Zvicër, Gjermani, Itali, Turqi, Belgjikë dhe të tjera. Çdo manifestim me emocione në vete, momente të bukura dhe të veçanta. Ai gjithashtu tregoi për shoqatën e tij “Artal” të themeluar para 8 vitesh me qëllim të  ringjalljes së vlerave kulturore dhe bashkimit të artistëve nga të gjitha vendet. Ndërsa, për të ligjëruarit në shkollën e mesme të muzikës përgjatë periudhës së pandemisë ai thekson se mësimi i instrumenteve muzikore kërkon prezencë fizike të profesorit dhe studentit në klasë, dhe se është pothuajse e pamundur që mësimi të mbahet online, ashtu siç ishte e paraparë nga  Ministria e Arsimit dhe Shkencës. E mesazhi i tij për të rinjtë ishte rinia është periudha e jetës kur asgjë nuk është e pamundur, andaj dhe është koha më e mirë për të realizuar ëndrrat…

 Ndiqeni intervistën e Shkëlzenit në vazhdim dhe shijojeni në fund videon e tij enkas për lexuesit e Portalb.

Shkelzen Pajaziti- violinist

Kur kanë qenë momentet e para që ju vendosët të merreni me sferën e muzikës dhe pse pikërisht zgjodhët violinën e jo ndonjë instrument tjetër?

Muzika më ka bërë për vete që në moshë të hershme, nuk mund ta them me saktësi moshën, por kam dëgjuar nga prindërit që edhe kur kam qenë shumë i vogël kam pasur një dashuri ndoshta të pa vetëdijshme për muzikën, duke e parë këtë prindërit më mundësuan që nga mosha 6-vjeçare të marrë pjesë në festivale të ndryshme për fëmijë.  Edhe pse kam kënduar në shumë festivale për fëmijë, unë veten nuk e gjeta tek këndimi, por më tërhiqte diçka tjetër tek muzika… Nuk mund ta them nëse unë zgjodha violinën apo violina më zgjodhi mua, por, mund të them që sa herë më ndodhte të shihja ndonjë koncert të muzikës klasike ku në skenë ishte dikush duke luajtur në instrumentin e violinës, më ngjallte emocione të jashtëzakonshme; tingulli i violinës në njëfar mënyre më bënte për vete, eleganca e instrumentistëve në skenë, duartrokitjet e pandërprera të publikut më ngjallnin si me magji dëshirën për të qenë në vend të artistit në skenë…  Nuk mund ta harroj asnjëherë momentin kur u regjistrova në Shkollën e Muzikës, isha në moshë 8-vjeçare kur për herë të  parë mora në duar violinën, në ato momente po fluturoja nga gëzimi duke mos e kuptuar se kisha zgjedhur profesionin tim jetësor i cili nuk ishte në asnjë mënyrë aq i lehtë sa dukej. Kështu vazhdova të ushtroja çdo ditë e më shumë, duke arritur që për një kohë rekord, pas një viti të mbaja koncertin tim të parë recital, e duke vazhduar më pas me shumë koncerte, manifestime si dhe me çmime të shumta në gara.

Një prej koncerteve të Shkelzenit në Tiranë

Ju keni marrë pjesë në manifestime dhe gara të ndryshme brenda dhe jashtë vendit, trego një nga eksperiencat e tua më të bukura që keni përjetuar ndonjëherë gjatë këtyre garave apo manifestimeve?

Violina është bërë pjesë e pandashme e jetës time duke qenë se pjesën më të madhe të kohës e kam kaluar me të… por, gjithsesi më ka dhënë momente shumë të bukura në jetë, momente që fjalët janë të varfëra për t’i spjeguar, momente që vetëm mund të përjetohen… Kam marrë pjesë ashtu siç e potencuat dhe ju në shumë manifestime, koncerte dhe gara si në vendin tonë, në rajon dhe po ashtu edhe në vende tjera ku mund të përmendim: Zvicrën, Gjermaninë, Italinë, Turqinë, Belgjikën etj. Dhe çdokund kam takuar njerëz të ndryshëm, personalitete të ndryshme të vendeve të tyre, të cilët më pas më janë bërë miq shumë të afërt. Të them të drejtën është thuajse e pa mundur të veçoj ndonjë moment të bukur duke qenë se çdo eksperiencë është po aq e bukur sa tjetra, por për momentin do të kujtoj një moment të bukur që më ka ndodhur para disa viteve pas një koncerti në Bosnjë, ku nje djalë i vogël pasi që mbaroi koncertin erdhi me vrap tek unë, mendova që do më përqafonte, u ula ta përqafoj, por ai më kapi dorën dhe filloi të ma puthë duke thënë ”Edhe unë dua një ditë të bëhem violinist si ti”.

Shkelzen Pajaziti- violinist

Për të gjithë ata që do të ju interesonte një violinist a arrin të ketë të ardhura të larta dhe sa në përgjithësi vlerësohen violinistët dhe muzika në RMV?

Pyetje e vështirë,haha… Edhe pse në vendin tonë janë të rralla, për të mos thënë nuk ka profesione që vlerësohen aq sa e meritojnë, përsëri, çdo punë që bëhet me dashuri, përkushtim dhe shumë sakrifica patjetër që edhe të shpërblehet mirë një ditë.

 

Shkelzen Pajaziti- violinist

Ju jeni ligjërues në shkollën e mesme të muzikës, e tash në kohë pandemi sa ka qenë e vështirë të ligjëruarit online për ju dhe studentët tuaj?

Duke pasur parasysh që mësimi i instrumenteve muzikore, posaçërisht violinës, kërkon prezencë fizike të profesorit dhe studentit në klasë, është pothuajse e pamundur që mësimi të mbahet online. Gjatë fillimit të pandemisë provuam që të vazhdojmë mësimin nga distanca, mirëpo u përballëm me shumë vështirësi duke pasur parasysh që duhet teknologji më e sofistikuar për të përcjellur tingullin e ndjeshëm të instrumenteve nga distanca.  Edhe pse Ministria e Arsimit dhe Shkencës të RMV tani ka dhënë pëlqim që mësimi individual i instrumenteve muzikore të mbahet me prezencë fizike duke i respektuar të gjitha protokolet, përsëri është shumë e vështirë mbajtja e orës mësimore në kushte pandemie.

Shkelzen Pajaziti- violinist

Vlen të theksohet dhe shoqata e themeluar para 8 vitesh nga ju e quajtur “Artal”, cili ishte qëllimi i themelimit të kësaj shoqate dhe çfarë zhvillohet në të?

Shoqata “Artal” është shoqatë që funksionon tashmë 8 vite dhe në bagazhin e saj janë radhitur aktivitete nga më të ndryshmet. Ideja kryesore për themelimin e kësaj shoqate ishte që në  qytetin e dy universiteteve të ringjallim vlerat e mirëfillta kulturore duke i bashkuar artistët nga të gjitha vendet, si dhe rinisë t’i jepet hapësirë funksionimi. Kjo shoqatë që nga themelimi ka realizuar më shumë se 200 projekte në sfera të ndryshme të kulturës, artit dhe sportit. Do të theksoj se forca e vetme në këtë shoqatë është  vullneti dhe dëshira për të kontribuar sadopak në ngritjen e vetëdijes kulturore në vendin tonë.  Kur përmendim shoqatën “Artal” nuk mund të kalojë pa e përmendur dhe Festivalin Mbarëkombëtar “Meridians” të cilin e organizojmë për 3 vite me radhë, ku kanë marrë pjesë artistë të njohur nga vendi, Shqipëria, Kosova, Turqia, Luksemburgu, Italia etj.

Shkelzen Pajaziti- violinist

Një mesazh për të rinjtë nga ju?

Rinia është periudha e jetës kur asgjë nuk është e pamundur, andaj dhe është koha më e mirë për të realizuar ëndrrat…

 

 

Në fund Shkelzeni ka përgatitur një video ku ai luan me violinë enkas për ndjekësit e Portalb. Ndiqeni videon dhe shijoni tingujt e violinës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button