RMV, Prokuroria ka mbledhur materiale dëshmuese kundër Lidija Dimovës dhe të dyshuarve të tjerë, hetimi mund të zgjerohet

Prokurori i cili ngriti procedurë hetimore për keqpërdorime në Agjencinë Nacionale për Programe Arsimore Evropiane, ka mbledhur material të shumta dëshmuese. Kjo sipas Prokurorisë për ndjekje të krimit të organizuar dhe korrupsionit është arsye që të mos mund të përgjigjen nëse do të ketë deri në fund të vitit vendim për ngritje të akuzës kundër drejtoreshës së shkarkuar, Lidija Dimova, pronarit të parukerisë V.E.Z Trade, Zoran Zllatkovski, ish bashkëpunëtorit të jashtëm, Aleksandër Goçev dhe arkëtares së pensionuar, Ana Pavlidu, transmeton Portalb.mk. 

Prokuroria edhe më tej mbledh dëshmi, ndërsa sipas burimeve të “A1on”, deri më tani nuk janë marrë në pyetje as të dyshuarit në këtë rast. Prokuroria nuk e përjashton mundësinë që hetimi të zgjerohet edhe ndaj personave tjerë.

“Duke pasur parasysh vëllimin e materialit, nevojitet kohë për analizë të detajuar. Njëkohësisht, po ndërmerren edhe veprime të tjera hetimore të domosdoshme për rrjedhën e mëtejmë të procedurës. Zgjerimi i hetimit edhe ndaj personave të tjerë varet nga materialet dëshmuese të siguruara”, thanë nga prokuroria për A1on.

Prej aty potencuan se prokurori vendim për ngritjen e akuzës mund të sjell deri në prill të vitit të ardhshëm.

Një muaj më parë, Gjykata Themelore Penale në Shkup, vendosi që t’ia marrë pasaportën dhe dokumentet e tjera të udhëtimit ish drejtoreshës së Agjencisë Nacionale për programe arsimore evropiane, Lidija Dimova, e cila është e dyshuar në hetimin që ka hapur Prokuroria për ndjekje të krimit të organizuar dhe korrupsionit për keqpërdorime të parave nga ky agjencion. Përveç Dimovës, dokumentet e udhëtimit i janë marrë edhe të dyshuarit që ka qenë bashkëpunëtor i jashtëm i agjencisë, Aleksandër Goçev.

Prokuroria Publike  hapi hetim kundër Dimovës dhe disa personave të tjerë, pas padisë penale të dorëzuar nga Policia financiare për keqpërdoriom, mashtrim dhe dëmtim prej mbi 400 mijë euro të holla evropiane. Krahas Dimovës, në këtë rast janë të përfshirë edhe pronari i Shoqatës për tregti dhe shërbime “V.E.Z. trejd” Zoran Zllatkovski, bashkëpunëtori i jashtëm me iniciale A.G. dhe A.P., si arkëtar në Agjencinë nacionale.

Tre nga personat, njoftoi Prokuroria, dyshohen se si bashkëkryerës kanë kryer vepër penale mashtrim në dëm të mjeteve të Komunitetit evropian, ndërsa Dimova në mënyrë plotësuese është e dyshuar edhe për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe autorizimeve.

Personi i katërt është i dyshuar për punë të pandërgjegjshme në shërbim. Pas publikimit të këtij skandali, Qeveria vendosi që ta shkarkojë Dimovën nga detyra e drejtoreshës së Agjencisë Nacionale.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button