fbpx

LSDM akuzon VMRO – DPMNE se po bllokon punën e Kuvendit

Partia maqedonase në pushtet LSDM, akuzoi VMRO-në opozitare se me qëllim po bllokon punën e Kuvendit. Jovan Mitrevski, koordinator i grupit parlamentare të LSDM-së, në konferencën e sotme për gazetarë tha se, opozita vazhdon me sjellje të papërgjegjshme dhe joserioze në Kuvend, në dëm të qytetarëve dhe institucioneve, transmeton Portalb.mk.

Mickoski dhe VMRO-DPMNE sipas tij, nuk duan Kuvend funksional dhe vazhdojnë me destruktivitetin e tyre të punojnë në dëm të qytetarëve.

“Të enjten më 26-tin të muajit të kaluar, kur kaloi koha e izolimit të deputetëve pozitiv me korona virus mbajtëm seancë pa prezencën e opozitës. Seancën të cilën e bojkotoi opozita me shpresë se nuk do të sigurojmë kuorum. Në atë seancë votuan nevojën e miratimit të ligjeve të rëndësishme. Të rëndësishme për qytetarët sepse kanë të bëjnë me masat ekonomike për ballafaqim me pasojat e covidit. Njëri prej tyre është për vauçerët prej 6000 denarë për pensionistët, shfrytëzues të së drejtës për sigurim pensione, prindër të vetëm, fëmijë pa prindër, artistë etj. Kur nuk patën sukses me bojkotimin e seancës tani i bllokojnë komisionet. Akoma nuk janë caktuar komisionet e udhëhequra nga deputetë të opozitës që këto ligje të vazhdojnë në fazën e mëtutjeshme. Ndoshta për to 6000 denarë nuk vlejnë aspak, por për qytetarët janë shumë me rëndësi në këto kohëra të vështira”, tha Mitrevski.

Ai e ka vlerësuar këtë si sjellje të papërgjegjshme dhe të turpshme dhe sipas tij VMRO-ja çdoherë pengon punën dhe vepron në dëm të shtetin dhe institucioneve

“Për këtë është tentimi që të pengohet miratimi i ndryshimeve të Rregullores me numër të madh të amendamenteve të palogjikshme. Ajo e tregon dëshirën e VMRO-DPMNE-së për bllokim të qëllimshëm të punës së Kuvendit, gjatë kohës së pandemisë së korona virusit. Në kohë të sfidave serioze me korona virusit, qytetarëve u nevojiten institucione me kapacitet të plotë. Qytetarëve dhe shtetit u nevojitet Kuvend që do të ketë mundësi t’i kryejë funksionet e veta edhe në rrethana të këtilla. Me ose pa VMRO-DPMNE-në, qytetarët do të kenë Kuvend funksional, i përkushtuar në reformat e rëndësishme për shtetin dhe për qytetarët”, deklaroi Jovan Mitrevski, koordinator i grupit parlamentare të LSDM-së.

Ndryshimet e rregullores së Kuvendit me të cilën do t’ju mundësohet deputetëve të infektuar me corona virus të votojnë online janë bllokuar me rreth 3000 amendamente të partive opozitare. Nga VMRO – DPMNE kanë dorëzuar 1350 amendamente, Levica rreth 1300 dhe Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa 400 amendamente. Të punësuarit e Kuvendit duhet t’i arkivojnë amendamentet e dorëzuara, më pas të njëjtat duhet të përkthehen, të skenohen dhe të ngarkohen në sistemin elektronik të Kuvendit, që në fund të vendosen për shqyrtim para deputetëve. Duke pasur parasysh vëllimin e amendamenteve, procesi do të zgjatë me ditë.

Opozita ka paralajmëruar edhe më herët, se është kundër që Kuvendi të punojë online. Sipas tyre, me këtë propozim pushteti e dëmton besimin reciprok edhe ashtu të brishtë.

Nga pushteti insistojnë që Kuvendi të mbetet funksional dhe rikujtojnë se muajin e kaluar gjashtë deputetë ishin të sëmurë në të njëjtën periudhë, ndërsa askush nuk mund të dijë se sa deputetë mund të sëmuren në të ardhmen. Amendamentet e opozitës i cilësojnë si obstruksion.

Tags

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close