Boçvarski: Vitin e ardhshëm do të investojmë 4 miliardë denarë në hekurudha, gazifikim, furnizim me ujë dhe kanalizime, rrugë lokale dhe projekte të tjera kapitale

Buxheti i vitit 2021 i Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve parashikon që shumica e fondeve ose 83 përqind të jenë shpenzime të destinuara për projekte kapitale. Me këtë Buxhet planifikohet sigurimi i një niveli të lartë të realizimit të investimeve kapitale në fushën e gazifikimit, infrastrukturës hekurudhore dhe komunale si dhe ndërtimin stabil, tha Ministri i Transportit dhe Lidhjeve Bllagoj Boçvarski në konferencën e sotme për shtyp ku prezantoi projekt-buxhetin e Ministrisë së Transportit dhe Lidhjet për vitin 2021, njofton Portalb.mk.

Projektbuxheti i Ministrisë pozicionohet në nivelin e 5 miliardë e 306 milionë denarë, nga të cilat 4 miliardë e 404 milionë denarë janë të destinuara për projekte kapitale.

“Republika e Maqedonisë së Veriut është në një fazë në të cilën investimet e mëdha në infrastrukturë janë të nevojshme si parakusht për rimëkëmbjen dhe zhvillimin e shpejtë të vendit. Prandaj, për vitin 2021 ne kemi hartuar një Buxhet që realisht do të mundësojë realizimin në kohë të të gjitha investimeve kapitale si dhe sigurimin e nevojave të një numri të madh të qytetarëve. Një projekt kryesor kapital, të cilit do t’i kushtojmë vëmendje të madhe është ndërtimi i hekurudhës në Korridorin 8, për të cilin kemi projektuar 1 miliard e 800 milion denarë. Ne do të përqendrohemi fort në përfundimin e tubacioneve kryesore të gazit si një segment i rëndësishëm për ruajtjen e stabilitetit ekonomik të ekonomisë vendase, për të cilën kemi planifikuar 749 milion denarë. Për jetë më të mirë të qytetarëve, ne kemi siguruar 937 milion denarë për ndërtimin dhe rindërtimin e kanalizimeve dhe sistemeve të furnizimit me ujë në komuna. Për vitin e ardhshëm, tashmë kemi siguruar 615 milion denarë për ndërtimin dhe riparimin e rrugëve dhe rrugëve lokale në komuna, një projekt shumë i rëndësishëm për përmirësimin e jetesës urbane. Ajo për të cilën unë jam veçanërisht krenar si ministër dhe parasëgjithash si kryetar i komune është që fillojmë me ndërtimin e digës Otinja në Shtip. Për atë qëllim, ne kemi projektuar 150 milion denarë për vitin e ardhshë “, tha Ministri i Transportit dhe Lidhjeve Bllagoj Boçvarski.

Duke prezantuar projektet kapitale, ai shtoi se vitin e ardhshëm 134 milion denarë janë dhënë për ndërtimin e banesave sociale, si dhe 114 milion denarë për një projekt për lehtësimin e tregtisë në Ballkanin Perëndimor.

Vitin e ardhshëm, në bashkëpunim me Qytetin e Shkupit, njoftuan nga kjo ministri, fillon një projekt për transport të shpejtë me autobusë në qytet, ku Qyteti i Shkupit është bartës dhe zbatues i projektit, ndërsa Ministria e Transportit dhe Lidhjeve është përfaqësues i autorizuar i vendit për tërheqjen e fondeve të BERZH-it. Për atë qëllim, në vitin 2021, janë siguruar 33 milion denarë.

Buxheti parashikon gjithashtu 69 milion denarë për mbështetje financiare për futjen e linjave të reja ajrore.

“Në mënyrë që të përshpejtohen të gjitha këto projekte kapitale, jo vetëm nga resori i Transportit, por edhe përmes ministrive të tjera, do të krijohet një njësi në nivelin qendror për të monitoruar dhe zbatuar projektet kapitale në mënyrë që të ofrohet nivel i lartë i zbatimit të tyre. Kështu, për shembull, në tremujorin e parë do të jemi të detyruar të realizojmë të paktën 15% të fondeve të planifikuara, në tremujorin e dytë deri në 40%, gjegjësisht 65% deri në tremujorin e tretë, sipas Ligjit për miratimin e Buxhetit për vitin 2021. Prandaj mund të presim një angazhim të fortë në realizimin e të gjitha projekteve të planifikuara “, tha Ministri Boçvarski.

Ai shtoi se në bashkëpunim me Ndërmarrjen Publike për Rrugë Shtetrore, cikli i investimeve në rrjetin rrugor në të gjithë vendin vazhdon përmes ndërtimit të autostradave dhe rrugëve, si dhe riparimin e rrjetit rrugor rajonal.

Ndryshe, dje ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Bllagoj Boçvarski në emisionin 24 Analiza në TV 24 deklaroi se autostrada Kërçovë-Ohër është një nga projektet problematike të trashëguara, për të cilat nuk kishte projekte për rrugë lidhëse dhe kishte shumë mospërputhje, të tilla si mospërcaktimi i pjerrësive, ndërtimi pa testime gjeomekanike si dhe ndërtimi i një tuneli ku nuk duhet të ketë.

Ai theksoi se tani të gjitha problemet janë hequr, të gjitha projektet për tetë rrugët lidhëse ose hyrje/daljet kanë përfunduar.

Ai shtoi se shpenzimet për ndërtimin e kësaj rruge janë zvogëluar, nga ato të dakorduara në katër sy nga Mile Janakieski dhe Nikolla Gruevski, për të cilën të gjithë qytetarët kanë dëgjuar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button