DITA E FLAMURIT

Për 28 Nëntorin – Ditën e Flamurit kombëtar, Ditën e pavarësisë së Shqipërisë natyrale, janë shkruar mijëra shkrime, janë kënduar mijëra këngë, janë bërë mijëra piktura, janë luajtur drama e janë xhiruar filma…, sepse është fjala për ngjarjen më të madhe historike të shqiptarëve.

Ndër ata që e kanë kujtuar shpesh Flamurin në veprat e tyre është dhe Enciklopedia e gjallë -Faik Konica, nga i cili po sjellim në vijim prozën poetike ”Flamuri”:

Flamuri përmbledh kujtimet e shkuara të një kombi në një gjuhë të pashkruar, që mund ta kuptojë syri dhe zemra e çdo njeriu me ndjenja. Cilat janë kujtimet që shfaq, duke valuar, Flamuri ynë? Nuk janë kujtime goditjesh kundra fqinjëve, nuk janë kujtime lakmirash dhe rrëmbimesh: janë kujtime vetëmbrojtjeje me mundime të palodhura dhe me trimërira të gjata e të forta, që kanë lënë gjurmë në letërsitë e gjithë popujve të qytetëruar. Nga kjo pikëpamje mund të mburremi se Flamuri ynë, siç është njëri nga më të vjetrit e botës, është dhe njëri nga më të drejtët.

Shkrimi brilant i Konicës na kthen në faqet e ndritshme historike, po dhe në hidhësitë e copëtimeve tragjike të trungut etnik, me ç’rast, deri në shpalljen e Kosovës shtet i pavarur, më shumë se gjysma e territorit dhe popullit shqiptar mbeti nën thundrat e fqinjëve nepërka, të cilët, edhe në rrethanat e reja akoma nuk kanë hequr dorë nga tendencat e zhbërjes sonë nga faqja e dheut, sado që i kanë sofistikuar mekanizmat drobitës të idealeve të gjalla rilindëse.

Megjithatë, përkundër vështirësive me të cilat vazhdojmë të përballemi si komb, duket sikur akoma nuk e kemi kuptuar mirëfilli se çelësi që hap dyert e një historie ndryshe prej asaj të stërgjyshërve, është në duart tona. Prej nesh varet, a do të lejojmë akoma të na përçajnë e të na bëjnë pikë e pesë, për të na sunduar më lehtë, si dikur, apo do të lëmë mënjanë hasmëritë ndërvëllazërore dhe do të punojmë përnjëmend për kultivimin e frymës përbashkuese të energjive, që nuk kërkojnë asgjë më shumë se orientim të drejtë. Së këndejmi, dua të besoj se shqiptarët janë të vetëdijshëm për sfidat e kohës aktuale, që nuk janë aspak më të lehta se sfidat e së shkuarës. Dua të besoj se të rinjtë tanë, që sot kanë në dorë armën e fuqishme të dijes, do ta gjejnë rrugën e kompensimit të kohës së humbur në vorbulla shekujsh, për të mos e derdhur kurrë më djersën për të tjerët dhe, mos e dhëntë Zoti, të lënë kockat nën flamujt e huaj gjithandej çanakalave e sremeve, prapa të cilëve mbeten baladat e dhembshme të nënave shqiptare mbi korbat e zinj që hanë sytë e djemve të tyre Dua të besoj se fëmijët dhe nipat tanë do t’i dallojnë më mirë se paraardhësit e tyre miqtë prej armiqve dhe dashamirët prej dashakëqinjëve, do t’i njohin me lehtësi ata që ua hanë hisen e bukës dhe ata që ua konsumojnë dritën e diellit, ata që ua brejnë substancën etnike dhe ata që tentojnë t’ua ndryshojnë kodin identitar… Dua të besoj se ata do të dinë të mbrojnë të drejtat legjitime kolektive dhe individuale, t’i imponohen botës me vlera dhe profesionalizëm të lartë në të gjitha fushat e dijes, të jenë pjesëmarrës dhe hisedarë të mirëfilltë në garën e përhershme ndërmjet etnish dhe qytetërimesh. Kjo është rruga e vetme që e bën të përjetshme Shqipërinë dhe shqiptarët. Rrugët tjera nuk janë tonat.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button