fbpx

Tetovë, NP “Parkingjet e Qytetit” në tentativën e dytë, siguruan kredinë prej 6 milionë denarë

Kredia 6 milionë denarë (rreth 100.000 euro) e Ndërmarrjes Publike “Parkingjet e Qytetit” në Tetovë në seancën e sotme të Këshillit të Komunës arriti të miratohet, procedurë kjo e cila në seancën paraprake nuk u votua për shkak mungesës së numrave. Kjo e fundit nuk u mirëprit nga këshilltarët opozitar, Jovanovski nga VMRO-DPMNE, i cili kërkoi largimin e drejtorit ose të dikujt tjetër nga kjo ndërmarrje për shkak të dështimit të njëpasnjëshëm, deklarata kritike kishte edhe nga këshilltarët e ASh-së, shkruan Portalb.mk.

Sadat Alili, drejtori i kësaj ndërmarrje kërkesën për kredi e arsyeton me humbjet me të cilat është përballur kjo ndërmarrje për shkak të, siç thotë ai, pandemisë me virusin korona e cila i ka detyruar që për një muaj të tërë, të mos punojnë fare dhe rrjedhimisht, të mos kenë asnjë të hyrë.

Sadat Alili, drejtor i NP "Parkingjet e Qytetit".
Sadat Alili, drejtor i NP “Parkingjet e Qytetit”.

“27 ditë nga muaji prill nuk kemi punuar për shkak të gjendjes së jashtëzakonshme ku të ardhurat tona për 90% u zvogëluan, ne varemi nga qytetarët, në qoftë se dalin në qytet dhe dërgojnë mesazh. Në qoftë se ju mendoni se është bëjmë keq menaxhim është tjetër punë, unë mendoj se duhet ti dalim në ndihmë ndërmarrjes në këtë situatë, ne kërkojmë ndihmë për të kaluar këtë situatë, nuk e dimë edhe muajt që do vijnë si do të jetë situata me pandeminë” tha Sadat Alili, drejtor i NP “Parkingjet e Qytetit”.

Përkundër kësaj, Portalb.mk ka siguruar dokument që vërteton se kjo ndërmarrje ka punuar në humbje edhe në kohën kur nuk kishte pandemi.

Për të shpjeguar se pse e ka gabim drejtori i lartpërmendur, këshilltari nga radhët e VMRO-DPMNE-së, Goran Jovanovski, potencoi parimin se kush nuk tregon rezultate në punë, fillimisht ka vërejtje dhe pastaj duhet patjetër të ik.

Jovanovski përmes kësaj kërkoi në mënyrë të drejtpërdrejtë largimin e drejtorit apo të dikujt tjetër nga menaxhmenti i NP “Parkingjet e Qytetit” në Tetovë.

“Kërkoj nga drejtori të arsyetohet për atë se pse e kërkon këtë kredit, që ta ndihmoj pak. Në kompaninë ku punoj unë, në qoftë se nuk punon mirë fillimisht ke vërejtje me gojë, pastaj me shkrim dhe e fundit të largojnë që aty. Ndërkaq sipas raportit tuaj që ishte shumë negativ dhe në të dy tremujoret në minus, si dhe borxhi ishte rreth 3 milion, menjëherë do të largonin nga puna. Ose ju, ose dikush nga stafi juaj duhet patjetër të ik” tha Goran Jovanovski, këshilltar i VMRO-DPMNE-së në Tetovë.

Ndërkaq sipas këshilltarët nga radhët e Aleancës për Shqiptarët, Arif Selami, kërkesa për marrjen e kredisë nuk ka kuptim, sepse kjo ndërmarrje nuk regjistron të ardhura, por vetëm harxhime.

Arif Selami, këshilltar nga radhët e Aleancës për Shqiptarët.
Arif Selami, këshilltar nga radhët e Aleancës për Shqiptarët.

“Ndërmarrja e parkingjeve funksionon me të metat e veta, ne kemi reaguar për shkak se një ndërmarrje e cila funksionon me humbje dhe është ndërmarrje e vetëm harxhon dhe nuk jep të ardhura, për shkak se nuk ka ndonjë investim të madh aty, përveç disa harxhimeve elementare për mirëmbajtje. Nuk ka kuptim të merret kredi për një ndërmarrje e cila duhet të jetë rentabile” tha Arif Selami nga Aleanca për Shqiptarët.

Rikujtojmë se Ndërmarrja Publike “Parkingjet e Qytetit” në seancën paraprake të këshillit të Komunës së Tetovës kërkoi marrjen e kredisë mirëpo nuk u votua kjo kërkesë nga shumica e këshilltarëve.

Ku shkojnë paratë e Ndërmarrjes Publike “Parkingu i Qytetit”?

raportin financiar të tremujorit të parë të vitit 2020, vërehet se pjesa më e madhe apo 85.59% e të dalave shkojnë për pagat e punonjësve, kjo përkthyer në shifra është gjithsej 4.615.369,00 denarë.

Edhe pse kërkon kredi nga paratë e qytetarëve të Komunës së Tetovës, drejtori i Ndërmarrjes Publike “Parkingu i Qytetit”, Sadat Alili, nuk e pa të arsyeshme të përgjigjet në pyetjet e gazetarit të Portalb.mk për shifrën e saktë të të punësuarve.

Megjithatë, jozyrtarisht mësojmë se në këtë ndërmarrje të punësuar janë 72 persona, prej të cilëve 9 janë me kontratë në vepër. Në qoftë se e marrim për të mirëqenë këtë, i bie se secili i punësuar, qytetarëve të Tetovës i kushton rreth 500 euro në muaj apo gjithsej rreth 25.000 euro në muaj.

Të dalat e përgjithshme të tremujori të parë, respektivisht nga 01.01.2020 deri 31.03.2020.

Të dalat e Ndërmarrjes Publike "Parkingu i Qytetit", Tetovë.
Të dalat e Ndërmarrjes Publike “Parkingu i Qytetit”, Tetovë.

Të dalat e përgjithshme nga tremujori i dytë 01.04.2020-30.06.2020

Të dalat e Ndërmarrjes Publike "Parkingu i Qytetit", Tetovë.
Të dalat e Ndërmarrjes Publike “Parkingu i Qytetit”, Tetovë.

Në infografikun e përgatitur nga Portalb.mk kemi vizualizuar të dhënat që të vërehet më lehtë se edhe në tremujorin e parë, gjegjësisht në periudhën kur nuk ka pasur pandemi, kjo ndërmarrje ka punuar me humbje.

Ndryshe, kjo është ndërmarrja e dytë publike në Tetovë ku këshilli komunal ka miratuar marrjen e kredive nga bankat. Në shtator, këshilli miratoi që Ndërmarrja Publike “Tetova” të marre kredi nga banka me qëllim të paguaje punonjësit, edhe atë bëhet fjalë për një kredi prej 26 milion denarëve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button