Nëntori

Në këto ditë çuditërisht të ngrohta të vjeshtës së vonë, të ndryshme nga ditët me shi kur karroca e Ismail Qemalit udhëtonte për në Vlorë për të ngritur flamurin shqiptar dhe për të shpallur pavarësinë, në këto ditë mes dy festave të rëndësishme të nëntorit, Ditës së Alfabetit dhe Ditës së Flamurit, është mirë të reflektojmë për zhvillimin tonë kombëtar dhe për perspektivën tonë të mëtejme.

Nuk është e rastit që festat e nëntorit fillojnë me Ditën e Alfabetit, ditën kur në Kongresin e Manastirit dijetarët shqiptarë e kodifikuan alfabetin tonë në vitin e largët 1908. Zgjodhën një alfabet me bazë latine, përkundër tendencave për tu përdorur shkronjat arabe të shkrimit otoman që në atë kohë administronte me trojet ballkanase. Nuk i pranuan as tendencat për një shkrim cirilik me bazë greke, përkundër ndikimit të madh fetar të Greqisë së asaj kohe ndaj shqiptarëve ortodoksë. Dhe kështu, në realitetin e sotëm ballkanik, ku shkrimi shqip-latin është i rrethuar me shkrime tjera cirilike, dhe në këtë ditë që shënohet si Dita e Falënderimeve në SHBA, mendoj që duhet të jemi thellësisht falënderues ndaj të parëve tanë që në ato ditë të ftohta nëntori ruajtën autenticitetin shqiptar i cili reflekton në alfabetin tonë që sot e kësaj dite e përdorim, edhe pse jo gjithmonë me respektin e nevojshëm ndaj të gjitha 36 shkronjave të tij.

Ai orientim pro-perëndimor i parë qartazi në vizionin e të gjithë delegatëve të Kongresit të Manastirit, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre fetare, është një shenjë shumë e fuqishme e identitetit të pastër shqiptar intelektual, ai identite që na ka mbajtur autentikë ndër shekuj, e i cili identitet në kohët e sotme fillon e zbehet si pasojë e konkurrencës së më tepër identiteteve që vendosin parime tjera para kombit dhe tendenca ndasie sipas përkatësisë fetare, gjë që për intelektualin shqiptar ka qenë gjithmonë diçka tërësisht e papranueshme. Nuk është aspak rastësi që Dita e Alfabetit i paraprin Ditës së Flamurit dhe të Pavarësisë, sepse si që ka thënë Naimi i madh “Vetëm popujt e arsimuar s’mund të jenë të robëruar”.

Kur flasim për flamurin dhe të qenit patriot duhet gjithnjë ti kemi parasysh fjalët e lartpërmendura të Naimit dhe të gjitha mësimet e Rilindjes kombëtare shqiptare. Kjo renesancë që përforcoi themelet e kombit shqiptar të vendosura shekuj më parë e të artikuluara përmes rezistencës së Skënderbeut ndaj një perandorie që në kohën e tij përjetonte kulminacionin e pushtetit, duhet të jetë gjithmonë në mendjet tona sepse të parët tanë në vazhdimësi kanë mbajtur kahëherë drejtimin pro-perëndimor. Në mësimet e rilindësve shihen vlerat kryesore që sot njihen si vlera evropiane të liberalizmit, vetëvendosjes dhe demokracisë. Në mësimet e rilindësve shihet më së miri nxitja për arsimim dhe ngritja kulturore dhe edukative jo vetëm e elitës por njëherit e gjithë popullit. Këtë insistim të rilindësve për arsimimi kualitativ dhe të përkushtuar duhet ta shqyrtojmë me shumë ndjeshmëri dhe me këmbëngulje të kërkojmë vetëm më të mirën kur bëhet fjalë për edukimin e brezave të rinj. Dhe kjo në kohën tonë, kur teknologjia ka përjetuar zhvillim marramendës dhe informata është larg vetëm një klikim, duhet të na nxisë që ti zgjerojmë njohuritë tona dhe të atyre rreth nesh e pas nesh dhe të mos pranojmë asgjë më pak se profesionalizmi i mirëfilltë në mësimdhënie dhe mësimnxënie.

Në këtë drejtim është mirë të kuptojmë një herë e përgjithmonë se nuk është patriot i madh ai që nuk është në gjendje të lidhë një fjali normale duke përdorur drejt shkronjat e alfabetit shqip, e as ai që gojën e ka plot urrejtje ndaj të tjerëve e pa asnjë varg të mençur e inkluziv të një vepre letrare shqipe. Nuk është patriot ai që ik nga leximi si djalli nga temjani, nuk është patriot ai që ankohet pse fëmija duhet të rijë në mësim e jo të shkojë mysafir te daja. Nuk është patriot ai që zihet me mësuesen pse nuk i ka vënë nxënësit notën 5 kur ai meriton notën 3, e aq më pak është patriot ai që ka vendosur ta keqpërdorë të keqpërdorë detyrën zyrtare dhe ti bëjë favor mikut të vet në një akt korrupsioni.

Patriotizmi është shumë më tepër se deklarim. Patriotizmi është përshtypja që e lëmë te të tjerët, mënyra si i trajtojmë të tjerët dhe niveli i solidaritetit që ne e tregojmë me njëri tjetrin.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button