Ekaterina Trendafilova u riemërua kryetare e Dhomave të Specializuara të Kosovës

Ambasadori Lars-Gunnar Wigemark(shef i misionit të EULEX-it në Kosovë) ka riemëruar Ekaterina Trendafilovën si kryetare të Dhomave të Specializuara të Kosovës edhe për katër vjetët e ardhshëm, njofton Portalb.mk.

Në njoftimin e Dhomave të Specializuara thuhet se gjykatësja Trendafilova është riemëruar edhe për katër vjet dhe ky emërim hyn në fuqi nga data 15 dhjetor 2020.

“Presidentja Trendafilova shprehu vlerësimin e saj për “besimin që i është dhënë (asaj) për të vazhduar t’i shërbejë Dhomave të Specializuara të Kosovës pasi ka filluar një fazë të re dhe të rëndësishme me fillimin e procedurave gjyqësore”, thuhet në njoftim.

Ajo ka deklaruar se ajo ka besim se proceset do të ndërmerren në një mënyrë të sigurt, të pavarur, të paanshme, të drejtë dhe efikase, në përputhje me mandatin e Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar janë krijuar pas miratimit nga Kuvendi i Kosovës, në vitin 2015, të amendamentit kushtetues dhe legjislacionit për funksionalizimin e këtij institucioni gjyqësor.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 e deri në dhjetor të vitit 2000.

Në javën e parë të nëntorit të vitit 2020, Dhomat e Specializuara kanë konfirmuar akuzat ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, për krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit, duke i ngarkuar ata për “ndërmarrje të përbashkët kriminale”. Ndërsa më 24 shtator, Salih Mustafa, ish-epror i UÇK-së është arrestuar dhe dërguar në Hagë. Aktakuza e ngarkon atë për kryerjen e krimeve të luftës. Kurse ish-pjesëtarët e UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj janë arrestuar më 25 shtator, ku më pas u transferuan në qendrën e ndalimit në Hagë.

Gucati dhe Haradinaj akuzohen “për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, përkatësisht për frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës”.

Të gjithë këta të akuzuar, gjenden në paraburgim në Hagë dhe janë deklaruar të pafajshëm.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button