fbpx

“Gardh me tela” në korridorin ballkanik, mbi 12 mijë emigrantët të paligjshëm në Shqipëri dhe RMV

Vende të Ballkanit Perëndimor, përveç pandemisë “Covid-19”, u përballën edhe me flukse të shtuara  migratore, kryesisht me refugjatë nga Lindja e Mesme apo Afrika e Veriut. Referuar të dhënave të Ministrisë së Brendshme, në Shqipëri për 8 muajt e vitit 2020 janë shënuar 8,343 emigrantë të huaj të parregullt të kapur në vend, ndërsa deri në muajin qershor në Maqedoninë e Veriut u kapën rreth 4100 emigrantë. Edhe Greqia, Kosova dhe Mali i Zi janë  përdorur si korridor tranzit për kalimin e paligjshëm të emigrantëve  që kanë si synim Europën Perëndimore, shkruan Faktoje.al, transmeton Portalb.mk.

Ayoub Karat, 24 vjeç nga Algjeria erdhi në muajin qershor në kryeqytetin e  Shqipërisë. Ayoub shoqërohej nga i vëllai, Jamal, 18-vjeçar. Ayoub dhe Jamal, pasi kishin qëndruar për ca kohë në Turqi e më pas rreth dy muaj në Greqi, përmes pikës kufitare të Kakavijës erdhën në Shqipëri me synim kalimin drejt Malit të Zi e më pas drejt vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Ayoub dhe Jamal Karat, emigrantë nga Algjeria. Foto në Tiranë, Shqipëri, qershor 2020

Prej disa kohësh 24-vjeçari Ayoub dhe 18-vjeçari Jamal ndodhen në Gjermani.

Munda të shkoja në Gjemani. Tani jam në Mynih. Jemi disi të stabilizuar e falë zotit jemi mire. Shpresa dhe besimi te Zoti na bëri që udhëtimi jonë të përmbyllej me sukses” – i tha “Faktojes” në një bisedë në rrjetet sociale 24-vjeçari Ayoub.

Ayoub dhe Jamal nuk ishin të vetmit që “ngecën” në Shqipëri pasi erdhën nga Greqia. Sipas të dhënave nga Ministria e Brendshme e Shqipërisë gjatë 8 muajve të  vitit 2020 janë shënuar 8,343 emigrantë të huaj të parregullt të kapur në vend. Shifra e 8 muajve të parë të vit 2020 është 47,8 për qind më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Emigrantët e paligjshëm të kapur në vend, burimi: Ministria e Brendshme e Shqipërisë                                         

Shifra totale e emigrantëve të paligjshëm, të cilat përditësohen në mënyrë të vazhdueshme nga Policia e Shtetit, të marra deri më tani shkojnë në rreth 10 mijë.

Greqia, Kosova, Maqedonia e Verut dhe Mali i Zi u përballën gjatë pandemisë edhe me flukse të emigrantëve të parregullt.

Pas lehtësimit të masave të pandemisë “Covid-19” dhe rihapjes së kufijve, policia në Maqedoninë e Veriut në qershor kapi më shumë se 1 mijë migrantë që përpiqeshin të hynin në vend në mënyrë të paligjshme.

Gjatë muajit gusht, për shkak të frikës së kalimeve të paligjshme nga refugjatët, Serbia nisi të ndërtojë  gardh me tela gjemborë në kufirin me Maqedoninë e Veriut, në afërsi të Preshevës.

Tela me gjemba në kufijtë e Ballkanit!

Gardhin e parë me tela gjemborë, për shkak të refugjatëve, e pati ngritur Hungaria, e cila në vitin 2017, përgjatë gjithë kufirit me Serbinë, vendosi gardhin me tela gjemborë të gjatë rreth 150 kilometra, të pajisur me kamera video  termike.

Maqedonia e Veriut, në vitin 2016, me një gardh të dyfishtë me tela gjemborë, kishte siguruar kufirin e saj jugor me Greqinë. Sipas të dhënave zyrtare ishin ngritur 37 kilometra gardh me tela gjemborë, i lartë 2.5 metra me tela të mprehtë në majë.

Sllovenia kishte nisur të vendoste gardhin me tela gjemborë në kufirin me Kroacinë, në vitin 2015, ndërkaq vitin e kaluar ka nisur vendosjen e një gardhi shtesë prej 40 kilometra, në mënyrë që të sigurojë pjesët e rrezikshme përgjatë kufirit.

Para dy vjetësh, Drejtoria e Policisë e Malit të Zi, ka theksuar që shteti është duke evidentuar rrjedhje të shtuar të migrantëve që vijnë nga Shqipëria dhe se nuk e përjashton mundësinë e vendosjes së gardhit me tela gjemborë në pjesët e rrezikuara të kufirit.

Emigrantët e paligjshëm dhe “biznesi” i trafikimit!

Komiteti Shqiptar i Helsinkit në bashkëpunim me organizatat partnere nga Ballkani Perëndimor, publikoi raportin, në kuadër të nismës “Siguri për Njerëzit dhe Kufijtë – Lufta kundër Trafikut të Emigrantëve në Ballkanin Perëndimor”.

Në mënyrë të veçantë pasojat e pandemisë globale Covid 19 kanë ndikuar fuqishëm në lëvizjet e parregullta migrantore si rezultat i masave të rrepta kufizuese kundër lirisë së lëvizjes dhe migrantëve që janë marrë nga të gjitha shtetet në rajonin e Ballkanit në fillim të marsit të këtij viti. Kjo ka bërë që të lulëzojnë forma të ndryshme të trafikimit nën organizimin e grupeve kriminale. Ka disa rrugë të trafikimit të migrantëve të parregullt në rajonin e Ballkanit por një nga rrugët kryesore fillon në Shqipëri dhe kryesisht ndjek Bregun e Adriatikut, duke vazhduar në Mal të Zi. Presioni i vazhdueshëm i migrimit ndihet veçanërisht në kufirin shqiptaro-malazez dhe shumë trafikantë migrantësh janë aktiv në pjesën veriore të Shqipërisë. Kjo rrugë duket se përdoret më së shumti nga Irakianët dhe Sirianët që janë në disa raste të mbështetura nga grupe aktive rajonalë të krimit të organizuar nga vendet e Ballkanit” – thuhet në raport.

Raporti nxjerr në pah se në Shqipëri situata me emigrantët e paligjshëm, shpeshherë u bë edhe kaotike.

Në Shqipëri, situata në kufij u bë edhe më e vështirë në muajt e parë të vitit 2020 për shkak shpërthimit të pandemisë “Covid-19”. Me qëllim mbrojtjen nga infektimi Qendra Kombëtare Pritjes për Azilkërkuesit në Babrru refuzoi të pranonte ardhje të tjera. Masat e rrepta të qeverisë bënë të pamundur monitorimin e kushteve akomoduese të emigrantëve nga ana e OJF-ve. Kemi bërë thirrje ndaj autoriteve të kryejnë verifikime me qëllim garantimin e kushteve dhe të drejtave të kësaj kategorie” – thekson raporti.

Raporti thekson gjithashtu se emigrantët po përdorin edhe kufirin mes Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut për t’u larguar drejt vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Një tjetër rrugëkalim është kufiri nga Greqia për në Maqedoninë e Veriut, ku numri i migrantëve të paligjshëm që trafikohen po rritet. Shumë nga të kapurit janë regjistruar dhe menjëherë janë kthyer në Greqi dhe vetëm disa prej tyre lejohen të qëndrojnë në vend dhe akomodohen” – thuhet në raport.

Një sërë organizatash kombëtare dhe ndërkombëtare i kanë bërë thirrje qeverive në Ballkan të rrisin kapacitetet pritëse me qëllim menaxhimin e flukseve të mundshme migratore.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button