fbpx

Ministria e Drejtësisë paralajmëroi dënime rigoroze për sulmet ndaj gazetarëve, SHGM kërkon që në këto raste të veprohet sipas detyrës zyrtare

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë do të kërkojë nga Ministria e Drejtësisë që në ndryshimet e reja të Kodit Penal në pjesën për dënimet e sulmeve ndaj gazetarëve dhe punonjësve mediatik, të paralajmëruar nga numri një i kësaj ministrie, Bojan Mariçiq, të përfshihet edhe zgjerimi i kompetencave të prokurorisë për të vepruar në këto raste, shkruan Portalb.mk. 

Kryetari i SHGM-së, Mladen Çadikovski, deklaroi për Portalb.mk se, kjo shoqatë do të kërkojë nga Ministria e Drejtësisë që, prokurorisë t’i zgjerohen kompetencat dhe të mund të veprojë sipas detyrës zyrtare në vepra penale që kanë t bëjnë me sulmet dhe kërcënimet ndaj gazetarëve dhe të rrisin dënimet për sulmuesit.

“Nga Ministria e Drejtësisë kemi kërkuar ndërhyrje në kodin penal përmes së cilit do t’i jepet kompetencë plotësuese Prokurorisë Publike që të veprojë sipas detyrës zyrtare në situata të caktuara kur shkelet e drejta e gazetarit gjatë kohës së detyrës zyrtare, si dhe parashikim të dënimeve më të mëdha për ata që kryejnë këto vepra. Në këtë mënyrë, do të zgjidheshin një pjesë e sfidave dhe do të kurseheshin gazetarët nga procedurat e shtrenjta gjyqësore të cilët jo çdoherë janë në gjendje t’i iniciojnë vetë”, deklaroi Çadikovski.

Përpos kësaj, SHGM do të kërkoj edhe repart special në kuadër të Prokurorisë Publike, i cili do të merret me ndjekje të sulmeve ndaj gazetarëve.

“Nga Prokuroria Themelore Publike kemi kërkuar edhe formimin e repartit special për ndjekje të sulmeve ndaj gazetarëve. Presim që së shpejti ajo të zgjidhet, fillimisht me atë që të do obligohet një prokuror me bashkëpunëtorët e vet që në mënyrë urgjente t’i procesojë këto ngjarje. Në prokurorinë që do të obligohet, jo vetëm për ndjekje të sulmeve ndaj gazetarët dhe punonjësve mediatik në të ardhmen, por do të hetohen edhe rastet më të vjetra. Pritet që vetëm në këtë mënyrë të përmirësohet praktika negative e mosndëshkimit e cila momentalisht është prezentë”, deklaroi Çadikovski për Portalb.mk.

Ministri i Drejtësisë, Bojan Mariçiq në fjalimin e tij të mbajtur në webinarin “Ndryshime dhe plotësime të Kodit Penal të Maqedonisë së Veriut: Zgjidhje për përforcimin e sigurisë së gazetarëve”, tha se ministria veç më ka filluar procedurë për përgatitjen e Kodit të ri Penal në të cilin do të përfshihen edhe veprat penale me të cilat do të ngritët niveli i mbrojtjes së gazetarëve dhe punonjësve mediatik.

Për përpilimin e një teksti cilësor të ligjit, nga kjo ministri veç më kanë mbajtur mbledhje me përfaqësues të gazetarëve dhe shoqatave të gazetarëve, përfshirë edhe SHGM-në dhe sindikatën.

“Kuptohet se propozimet e tyre janë të mirëseardhura, sepse vetëm përmes dialogut të hapur pikërisht me gazetarët, do të mundemi të sjellim ligj të ri i cili do t’i mbrojë plotësisht që ta kryejnë lirshëm punën e tyre të përgjegjshme, ndërsa të gjithë ata që do të tentojnë që t’i frikësojnë apo t’i sulmojnë gazetarët në mënyrë fizike apo verbale, përkatësisht punonjësit mediatik, të dënohen në mënyrë rigoroze”, potencoi Mariçiq.

Sipas statistikave të SHGM, të publikuara në fillim të muajit nëntor, nga fillimi i këtij viti ka pasur gjithsej 14 sulme dhe kërcënime të vrazhda kundër gazetarëve që janë raportuar, nga të cilat më shumë se gjysma janë kundër gazetareve. Në krahasim, vitin e kaluar kishte katër incidente të tilla, që do të thotë se këtë vit ka tre herë më shumë sulme dhe kërcënime.

Megjithëse sulmet fizike janë ulur, fakti që gjithnjë e më shumë kërcënime për jetën e gazetarëve po raportohen në rrjetet sociale është shqetësues. Në këtë drejtim, duhet të bëhen përpjekje shtesë nga Ministria e Brendshme duke sanksionuar autorët, ndërsa për raste më të rënda të kërkohet nga Prokuroria Publike të fillojë procedurat penale.

Krijimi i kushteve të sigurta të punës për gazetarët dhe punonjësit e medias shënohet rregullisht në raportet e Komisionit Evropian për Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Ky tekst është përgatitur në kuadër të projektit “Оbservatori i reformave mediatike“, të cilin e realizon Fondacioni për internet dhe shoqëri “Metamorfozis“, me mbështetjen financiare të “Fondacionit “Shoqëri e hapur” – Maqedoni“. Përmbajtja e tekstit është përgjegjësi vetëm e autorëve dhe në asnjë mënyrë nuk i pasqyron pikëpamjet e Fondacionit “Shoqëri e hapur” – Maqedoni.

Teksti është prodhuar në kuadër të projektit “Opservatori i reformave në media” të cilin e zbaton Fondacioni për internet dhe shoqëri “Metamorfozis”, me mbështetje financiare nga “Fondacioni Shoqëri e Hapur – Maqedoni”.

Përmbajtja e tekstit është përgjegjësi e vetme e autorëve dhe në asnjë mënyrë nuk mund të merret se i pasqyron pikëpamjet e “Fondacioni Shoqëri e Hapur – Maqedoni”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button