fbpx

“e-Shoqëri.mk”: Nevojitet pjekuri digjitale që të arrihet transformimi digjital i shoqërisë

Edicioni i gjashtëmbëdhjetë i konferencës ndërkombëtare “e-Shoqëri.mk” në temë “Angazhimi dhe efektiviteti: qeverisja e mirë dhe interneti” filloi sot dhe për herë të parë për shkak pandemisë KOVID-19 organizohet tërësisht online. Ngjarjen e ka organizuar Fondacioni për Internet dhe Shoqëri “Metamofozis”, ndërkaq drejtori ekzekutiv, Bardhyl Jashari në fjalimin hyrës të tij në sesionin fillestar u u ndal te pasojat që i ka sjellë KOVID-19 ndaj digjitalizimit të shoqërisë, transmeton Portalb.mk.

“Disi emri i konferencës e-Shoqëri ka më shumë kuptim, pasi që këtë vit jo vetëm konferenca, por edhe për shkak të pandemisë jemi të gjithë të detyruar që shumë gjëra t’i bëjmë online. Punojnë, organizojmë mbledhje, trajnime, uebinare, konferenca, fëmijët mësojnë online dhe e-Shoqëria bëhet realitet”, deklaroi Jashari.

Ai shtoi se askush nga ne nuk e dëshiron E-shoqëri që na imponohet, për çfarëdo rrethana jo fatlume, siç është Kovid-19. Duam E-shoqëri (shoqëri elektronike) ku puna, mësimi dhe argëtimi në internet është zgjedhja jonë, ku do të ndihemi të sigurt, do të dimë ta përdorim teknologjinë me kompetencë, që të jemi më efikas në punën tonë dhe që transformimin digjital të gjithë ta përjetojmë dhe të formësohet në përputhje me prioritetet dhe nevojat.

“Sa do të jetë i suksesshëm transformimi digjital dhe sa do të kontribuojë në cilësinë e jetës sonë, varet nga ajo sa do të jemi të përfshirë aktivisht në krijimin e një hapësire ose ambienti që e përfshin infrastrukturën teknike, por edhe kornizën institucionale dhe ligjore që do të kontribuojë në përdorimin e vërtetë të teknologjisë”. tha Jashari.

Ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Jeton Shaqiri, në fjalën e tij theksoi se Qeveria në periudhën e ardhshme do të punojë për të zvogëluar hendekun digjital.

“Sipas hulumtimeve dhe parashikimeve të BE-së, në vitin 2020 deri në 90 përqind të vendeve të punës do të kërkojnë një nivel të caktuar të aftësive digjitale”, tha Shaqiri.

Ai theksoi se ata do të punojnë në avancimin e aftësive digjitale të të gjithë popullsisë, duke i përfshirë të rinjtë dhe të moshuarit, mësuesit dhe administratorët, burrat dhe gratë edhe ata nga zonat rurale, por edhe ata nga qytetet.

Ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Jeton Shaqiri, foto nga MSHIA

“Patjetër të sigurojmë që të gjithë qytetarët t’i shfrytëzojnë përfitimet nga teknologjitë e reja”, deklaroi ministri Shaqiri.

Sipas ministrit, pasi që MSHIA është koordinator i iniciativave për partneritet të hapur qeveritar, me atë konfirmohet edhe përkushtimi për përmirësim të vazhdueshëm të qeverisë dhe institucioneve të hapura, transparente, efikase dhe të sigurta, të cilat komunikojnë dhe bashkëpunojnë me qytetarët.

Në kuadër të kësaj iniciative, sqaroi ministri Shaqiri, është kyçur projekti i bashkë-krijimit të Planit të Pestë Aksional të partneritetit të hapur qeveritar për periudhën 2021-2023, i cili fokusohet në fushat e radhës prioritare: transparencë, llogaridhënie, proaktivitet dhe gjithëpërfshirje. Këtu janë edhe parandalimi i korrupsionit dhe qeverisja e mirë, ofrimi i shërbimeve publike dhe qasja deri te drejtësia, deklaroi ai.

Kristina Reinslau, drejtore e programit për e-Demokraci në E-Akademinë e qeverisjes, Estoni, në fjalën e saj hyrëse në konferencën e sotme e prezantoi shembullin pozitiv të Estonisë për transformimin e shpejtë dhe të suksesshëm digjital të shoqërisë dhe përfshirjen e komuniteteve në të.

“Rekomandimi im i parë për çdo vend ose organizatë është që të krijojnë partneritete të mençura në korniza të shoqërive”, porositi Reinsllau.

Në rastin e Estonisë, kjo ishte e mundur si rezultat i qeverisë progresive, sektorit proaktiv të TI-së, por edhe të vetë shoqërisë. Në të njëjtën kohë, partneriteti i krijuar midis qeverisë dhe organizatave të shoqërisë civile ishte i rëndësishëm, gjë që ka rezultuar me zgjidhje të zgjuara.

“Estonia është me të vërtetë shembull i mirë për përfshirjen qytetare dhe shoqëri digjitale pasi që shumë procese të ndryshme kanë ndodhur njëkohësisht. Pavarësia jonë, revolucioni teknologjik dhe zhvillimi i kulturës civile dhe politike”, deklaroi ajo.

Përvoja e dytë pozitive nga Estonia është qeveria të punojë me qytetarët në nxitjen e shfrytëzimit të internetit në krijimin e shërbimeve online. Qeveria estoneze në bashkëpunim me sektorin privat vazhdimisht i kanë nxitur qytetarët që të rriten në shfrytëzues të avancuar të internetit.

Shefi i Delegacionit të BE-së në RMV, Dejvid Gir, në fjalimin e tij në konferencë theksoi se për të përfituar nga revolucioni digjital, shumë gjëra duhet të jenë në vend.

David Geer, foto nga Delegacioni i BE-së në Shkup/Facebook

“Duhet të kemi infrastrukturë dhe të tërheqim përsëri planin e investimeve për të ndihmuar zhvillimin e infrastrukturës së tillë. Gjithashtu, duhet të ketë një kornizë rregullatore që do të sigurojë se kjo është fushë e drejtë për lojë”, tha Gir.

Ai njëkohësisht theksoi se një nga mënyrat ku BE-ja i ndihmon Maqedonisë së Veriut është mbështetja për e-shërbimet për kompanitë dhe qytetarët. Qytetarët tani mund të marrin të dhëna onlajn, në vend që të presin në radhë.

“Tani qytetarët mund të marrin të dhëna online, në vend që të presin në radhë. Mbështetje tjera janë drafti i strategjisë digjitale, dhe ashtu siç ministri tha, grupi i ekspertëve të BE-së që punuan me MSHIA-në dhe ekspertët nacional të TIK strategjia nacionale do të jetë baza për aktivitetet e reja dhe planifikim buxhetor për transformim digjital të shoqërisë së Maqedonisë së Veriut”, theksoi ambasadori Gir.

Kris Vorman, drejtor i lartë i Shoqatës për Përfshirje të Komuniteteve në Techsoup Global, theksoi se për të digjitalizuar shoqërinë duhet të përdorim strukturën bazë që është në dispozicion. Kjo infrastrukturë themelore e digjitalizimit ka disa komponentë dhe nëse njëri prej tyre hiqet, mund të prishet e tërë infrastruktura.

“E para është lidhja, a kanë njerëzit internet?” E dyta janë mjetet, a kanë njerëzit mjete për të përdorur internetin, e treta është a kanë aftësi për të përdorur internetin, e katërta janë politikat, a ka politika të mjaftueshme për të siguruar që shoqëria civile mund të përdorë internetin në mënyrë të sigurt dhe e fundit është nëse kemi komunitete për mësim, gjegjësisht vende ku njerëzit mund të zhvillohen dhe të mësojnë ashtu si ndryshon teknologjia.”, sqaroi Vorman.

Pjesa e dytë e konferencës “e-Society.mk – Përfshirja dhe efektiviteti – qeverisja e mirë dhe interneti” do të mbahet nesër, 26 nëntor 2020.
Agjendën për këtë ngjarje mund ta shikoni në linkun në vijim: https://e-society.mk/ëp-content/uploads/2020/11/Agenda-e-Society-2020_3.pdf.

Në konferencë morën pjesë ekspertë, aktivistë, gazetarë, nëpunës shtetërorë dhe avokues nga rajoni i Ballkanit Perëndimor dhe më gjerë ku i ndanë pikëpamjet dhe mendimet e tyre mbi temën Angazhimi dhe efektiviteti – qeverisja e mirë dhe interneti.

Agjendën e ngjarjes mund ta shihni në ueb-faqen e e-Society.mk.

Lexo hulumtimin e Portalb.mk për shërbimet elektronike:

Tags

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close