Të kemi një shtet të mirë social dhe të drejtë

Sistemi pensional, kujdesi social dhe shëndetësor, janë pasqyra e një shteti dhe padyshim tregojnë gjendjen e përgjithshme të popullatës dhe të mirëqenies. Kësaj here do ta fillojmë tregimin më ndryshe, me tre raste individuale nga përvoja personale që tregojnë se si ju qasen shtetet e zhvilluara dhe ato në zhvillim ndërtimit të një sistemi të qëndrueshëm social e që mungon tek ne. Ndryshimet ligjore dhe reformat në fushën sociale që duhet t’i bëjë qeveria e Maqedonisë së Veriut (MV) drejt euro-integrimeve, janë pjesë e hapjes së kapitujve të aderimit me Bashkimin Evropian (BE). Afro dy dekada në botën perëndimore, fillimisht në Gjermani dhe pastaj në SHBA, më la përshtypje sistemi dhe shoqëria ku kujdesi për sigurimet dhe të drejtat ishte i veçantë.

Pas veprimtarisë profesionale në Maqedoni e vazhdova karrierën gazetareske në Gjermani, në radion prestigjioze gjermane “Deutsche Welle”, shërbimi në gjuhën shqipe. Ishte viti 2001 dhe ende më kujtohet ai agim i herët veror kur u nisa me tren nga Bajeri për në Këlnin jugor ku gjindej atëherë selia e DW-së, e vendosur afër qytetit të Bonit, kryeqyteti i dikurshëm i Gjermanisë Perëndimore gjatë Luftës së Ftohtë. Për në Këln më shoqëroi vëllau im, i cili kishte emigruar në Gjermani para rrëzimit të Murit të Berlinit dhe çast pas çasti, gjatë rrugës më tregonte për historitë e Landit të Vestafilsë.

Ndërkohë në zyrën e saj në katin e 18-të më priste kryeredaktorja e redaksisë shqipe të DW-së znj. Adelheid Felicke Tiemann e cila njëherit më kishte ftuar për punë në redaksinë qendrore pas disa muajve si korrespondent nga Tetova i po të së njëjtës radio. Pas takimit formal dhe një bisede të ngrohtë, znj.Tiemann më drejtoi në një zyrë tjetër, ku më priste një zonjë rreth të dyzetave e cila kishte për detyrë që çdo të punësuari të shërbimit përkatës të DW-së, të ishte i siguruar dhe i mbuluar me të gjitha kategoritë e sigurimeve të koorporatave gjermane. Në gjuhën gjermane ajo mu drejtua me “Guten Morgen” dhe vazhdoi: “Unë jam Katie dhe jam këtu që të fillojmë procedurat e kontratës, të sigurimeve dhe të qëndrimit tuaj në Gjermani. Do të shkojmë bashkë në “Ausländeramt” (Zyra Federale e Emigracionit) dhe në “Arbeitsamt” (Zyra Federale e Punësimit).

Përderisa udhëtoja bashkë me Kejtin, mbeta i habitur me trajtimin gjerman të një të punësuari në fushën sigurimeve, të kujdesit, të drejtave të punësimit dhe të pensionimit. Pas disa ditëve mu ofrua kontrata e punës me një pagë mujore prej 4050.00 (DM) marka gjermane dhe 38,5 orë pune në javë. E kështu, pas një viti të vështirë për botën demokratike dhe pas sulmeve terroriste në Nju-Jork, viti tjetër më gjeti në SHBA, udhëtova nga Londra drejt Amerikës, në shtetin e Uiskonsinit (Wisconsin). Një ditë vendosa të konkuroja në gazetën e qytetit ku banoja, në “Whitewater Register”. Redaksia ndodhej në një ndërtesë dy katëshe, e vjetër, por e mirëmbajtur dhe me një stil tipik që i ngjante ndërtimeve të Evropës Perëndimore. Një njeri me flokë të thinjura më priti në zyrë, ai njëkohësisht ishte zyrtarë i burimeve njerëzore që kishte për detyrë pranimin e reporterëve. Më pyeti për përvojën në gazetarinë e shtypit dhe punën që dëshiroja të bëja në gazetën lokale. Në fund tha: “Ky është aplikacioni për pozitën që ju konkuroni dhe këtu i keni formularet e sigurimit”.

Dy momente që tregojnë se si shtetet e zhvilluara tregojnë interes dhe kujdes për jetën e njeriut kur ai/ajo nuk do të jetë më i aftë për të kujdesur për veten dhe kur shteti dhe agjencitë qeveritare/jo qeveritare duhet të fillojnë ndihmën dhe mbikqyrjen e një individi. Por, të gjitha përvojat nuk kanë përfundim të mirë. Momenti tjetër më i rëndësishëm dhe që dallon nga të dy të parat ishte kur pas dy dekadave që kur Shkupi zyrtarë e kishte fituar statusin e kandidatit për në BE, para Entit Social në Tetovë, takova një çift që jetonin me të ardhura të ulta mujore, me 1540.00 denarë në muaj nga pensioni që bashkëshorti siguronte nga shteti i Maqedonisë së Veriut (MV).

Bashkëshortja e tij e cila kishte punuar për afër pesë vjet në ndërmarjen tetovare “Jedinstvo” gjatë viteve të 80-ta, nuk kishte qenë në gjendje t’ia siguronte vetes një pension nga shteti, pasi agjencia e pensionit ia kishte refuzuar më herët kërkesën, për arsye se nuk i plotësonte kushtet, sepse siç tregonte ajo, zyrtari i kishte njoftuar se ‘njëri nga çifti tashmë merr pension nga shteti’. Ajo ishte rreth 70 vjeç dhe bashkë me bashkëshortin detyrohesshin të jetonin si shumica, buzë kufirit të varfërisë. Gjithashtu, ajo nuk i plotësonte as kushtet për ndihmë sociale nga shteti. Kjo është një gjë e shëmtuar dhe e patolerushme, për një shtet që synon BE-në, megjithatë nuk është rast i vetëm në Maqedoninë e Veriut ku çështjet nuk trajtohen në baza individuale por grupore.

Tani, pasi i përfunduam historitë, t’i shohim disa të dhëna nga sistemet e huaja të kujdesit dhe pensionimit dhe tu kthehmi përsëri disa çështjeve të hapura në Maqedoninë e Veriut. Sistemi i pensioneve në Maqedoninë e Veriut është e rregulluar me Ligjin për Sigurimin Pensional dhe Invalidor. Siç dihet Maqedonia e Veriut pretendon të bëhet anëtare e BE-së. Në kushtetutë MV-ja definohet si shtet social, ndërsa në praktikë vërejmë raste kur qytetarët nuk mund të përfitojnë ndihma dhe t’i realizojnë të drejtat themelore. Sot askushi nuk shqetësohet se si jetojnë pleqtë me një pension, individë dhe familje të tëra pa kujdes nga shteti. Sidoqoftë ligji është, dhe thotë se të drejtat e sigurimit pensional dhe invalidor përfshijnë: e drejta e pensionit të pleqërisë; e drejta e pensionit të aftësisë së kufizuar; e drejta e pensionit familjar / të mbijetuar; e drejta e shumës më të ulët të pensionit; e drejta e rehabilitimit profesional dhe e kompensimit të duhur dhe e drejta e kompensimit të parave për dëmtime fizike. Kemi gjithashtu disa lloje pensionesh: Pension pleqërie ku personi i siguruar fiton të drejtën për pension pleqërie kur ai / ajo mbush 64 vjeç (burra), dmth 62 vjeç (gra) dhe të paktën 15 vjet shërbim pensioni.

Sipas ligjit, pensioni i pleqërisë përcaktohet nga mesatarja e pagave mujore që personi i siguruar ka fituar gjatë kohëzgjatjes totale të sigurimit dhe që nga 1 janari i vitit 1970. Pensioni i pleqërisë përcaktohet nga baza e pensionit në përqindje të përcaktuara në varësi të kohë zgjatjes së shërbimit, e cila për çdo vit të shërbimit është 0.75% (burra) dhe 0.86% (gra) nga baza e pensionit, dhe për një periudhë pensioni më e shkurtër se një vit dhe minimumi gjashtë muaj, është e barabartë me 0.375% (burra), ose 0.43% (gra) të bazës së pensionit. Pension invaliditeti, aftësia e kufizuar ekziston kur për shkak të një ndryshimi në gjendjen shëndetësore që nuk mund të rregullohet nga trajtimi ose rehabilitimi mjekësor, aftësia për punë e personit të siguruar zvogëlohet përgjithmonë me më shumë se gjysmën në krahasim me një person të siguruar fizikisht dhe mendërisht të shëndetshëm me arsim të njëjtë ose të ngjashëm.

Në Perëndim është pak ma ndryshe. Një në katër qytetarë të BE-së aktualisht varen nga të ardhurat e pensionit, kurse qytetarët e rinj një ditë do të përfitojnë nga pensionet që ata kontribuojnë në sistemin social, mirëpo pasi popullsia evropiane po plaket, sistemi social dhe pensional në të ardhmen do të jetë në gjendje të vështirë. Agjencia Gjermane e Sigurimeve dhe e Pensioneve (Gesetzliche Rentenversicherung) publikon vlerën e kontributit të çdo viti, të njëjtën e bën edhe Administrata Amerikane e Sigurimeve Sociale (U.S. Social Security Administration) dhe shumë shtete tjera. Në raporte thuhet se kontributet e një individi shumëzohen me numrin e viteve të kontribuara dhe përqindjen e pagës mesatare të fituar gjatë jetës së personit dhe varion nga shteti në shet. Pensioni mesatar sipas të dhënave të Agjencisë së Pensioneve në Gjermani në vitin 2012 ishte 1,263.15 Euro në muaj. Skema e pensioneve gjermane është një sistem i detyrueshëm. Punonjësit, mbi të gjitha, i nënshtrohen mbulimit të detyrueshëm të sigurimeve dhe të pensionit. Sigurimi ligjor i pensioneve siguron pensione të pleqërisë, aftësi të reduktuar fitimi dhe pensionet e të mbijetuarve. Njerëzit kualifikohen për përfitime nga ligji i sigurimi pensional vetëm nëse kanë kryer një periudhë minimale sigurimi. Periudha kualifikuese në Gjermani është pesë vjet, në SHBA dhjetë vjet. Në thelb, kontributet e paguara në skemë përcaktojnë nivelin e pensionit. Aktualisht pensioni standard i pleqërisë në Gjermani paguhet në moshën 65 vjeç dhe dy muaj. Për vitet e lindjes 1947 dhe më të rinj mosha standarde e daljes në pension do të rritet gradualisht në 67 gjatë periudhës 2012 – 2029.

Në Maqdoninë e Veriut, kemi shumë të drejta të garantuara me kushtetutë, ligje dhe norma që shumë kush nuk ka njohuri. Tani mbetet që t’i shfrytëzojmë të gjitha benifitet që na jep shteti ynë social. Fraza këtu duket në rregull, sikur jetojmë në shtetet skandinave, por në Maqedoninë e Veriut ka shumë pengesa burokratike dhe shumë individë nuk përfitojnë asgjë nga shteti dhe aq që mund të kualifikohen edhe për ndihma sociale. Andaj, nuk është e rastit largimi i popullatës nga Maqedonia e Veriut, ku qytetarët ikin nga ky vend përshkak të pasigurisë. Në qoftë se një i ri do të vendosë të jetojë në Maqedoninë e Veriut, është mirë të informohet për disa aspekte ligjore të sistemit pensional. Pandemia tregoi se qeveria është larg shtresave të varfura dhe kategorive të prekura rëndë.

Nga teoria në praktikë nga shumë shkelje ligjore, diskriminim gjinor dhe etnik, qeveria dhe shteti do të duhet të ndryshojë ligjet dhe të ndikojë në përmirësimin e sjelljeve dhe vendimeve të zyrtarëve të mbushur me urretje dhe paragjykime. BE na pret, por jo me shkelje të të drejtave të njeriut. Megjithatë, kohë nuk kemi, dhe këtë duhet ta bëjmë që tani para dhe gjatë hapjes së kapitujve me BE-në.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button