Nëntori i ABC-së

Alfabeti i Gjuhës shqipe – njërës ndër gjuhët më të vjetra të kontinentit evropian dhe ndër më të veçantat e trungut gjenealogjik të Indoevropianishtes, ka bërë udhë të gjatë dhe të mundimshme, udhë identike me atë të etnisë shqiptare, gjer në konsolidimin e saj në Kongresin e Manastirit, të vitit 1908.

Shtrohet pyetja: si u bë që gjuha e vendit fqinj me grekët antikë, në gjirin e të cilit u shkruajtën të paktën 3 prej 7 Kodikëve të purpurt të kohës së Krishtit; vendit që Rilindjes evropiane i dha vepra autorësh të kalibrit të Marin Barletit, Marin Beçikemit, Mikel Marulit, Gjin Gazullit…, të heqë të zinjtë e ullirit dhe vetëm pas shekujsh e mileniumesh ta zgjidhë çështjen e ABC-së së vet?

Përgjigjen e kësaj pyetjeje na e jep akademiku Mehmet Kraja në romanin “Udhëzime për kapërcimin e detit”, ku, përmes shtresave të nëntëshme, flet për zhbërjen e arkivave vendase në kohët e mugëta mesjetare, nga ana e pushteteve të huaja. Kjo e vërtetë letrare ngjan e gjasshme, sepse pushtuesit, kushdoqofshin ata, të cilësdo kohë dhe të çfarëdo feje e etnie, menjëherë pas pushtimit të territoreve të tjetrit, një gjë të vetme bëjnë: djegin bibliotekat, zhbëjnë mbamendjen e arkivuar të popujve të nënshtruar dhe dënojnë rreptë Prometejët që vetëdijësojnë të shtypurit për statusin e tyre mjeran në të cilin i ka katandisur dhuna.

Fatmirësisht dhe përkundër të gjithave, ëndrra shekullore për ABC-në shqipe mbeti e gjallë dhe u bë shkak i lindjes së shumë projekteve dhe kërkimit të udhës më të përshtatshme për dalje nga situata e palakmueshme. Në vazhdën e projekteve në fjalë u gjend dhe kryefjala e çështjes shqiptare: projekti për një komb, për një gjuhë dhe për një shtet, tamam sipas modelit të cilin e kishte ndjekur Evropa dekada më parë. Por, meqë kjo nuk mund të realizohej nga kombi i mbetur në terrin e prapambetjes, nga kombi analfabet, nga kombi i ndarë simos më keq e me plot plagë në shtat që mund të shndërroheshin sa ora në varrin e tij, Rilindësit hodhën idenë e emancipimit dhe u vunë pas gjurmimit të një alfabeti të përbashkët, që do të rezultonte me unifikimin e kombit dhe ringjalljen e shpirtit të tij. Për këtë, ata iu kthyen udhës së ndërprerë të shkrimit të shqipes dhe sfiduan numrin e stërmadh të alfabeteve në të cilët ndërkohë ishin shtypur libra e gazeta të shumta, sepse përdorimi i alfabeteve të ndryshme (latin, grek dhe turko-arab) me variantet e panumërta të tyre i kishte çorientuar shqiptarët, aq sa nuk ekzistonte shkrim që mund të lexohej më shumë se në një krahinë të ngushtë, më shumë se në një kolini rilindësish.

Janë me qindra emra të shquar që u përpoqën për një alfabet të vetëm, por, duhet thënë, pa mashtruar vetveten, se, mjerisht, janë dhe me qindra emërfikur që e bënë të kundërtën, që u shdërruan në masha të huaja dhe luftuan çdo nismë përparimtare. Kjo duhet pranuar hapur, pavarësisht në u pëlqen apo jo pasardhësve eventualë të kësaj mendësie të prapë antihistorike. Kjo duhet thënë jo për të problematizuar të sotmen, por për të shmangur mundësitë e përsëritjes së fatkeqësirave, sepse: një komb që nuk merr mësimet e duhura nga dështimet e tij rrezikon t’i përsëriten ato tim për tim, tamam si në baladat popullore me kuçedra shumëkokëshe dhe bajlozë të zinj katran.

Përveç përpjekjeve individuale, ishin dhe shumë shoqëri kulturore e atdhetare, që i kontribuan zgjidhjes së çështjes së alfabetit, në mesin e të cilave u dalluan: “BASHKIMI” i Gjergj Fishtës, “AGIMI” i Ndre Mjedës dhe “SHOQËRIA E SHKRONJAVE SHQIPE”, me seli në Stamboll e vëllezërve Naim e Sami Frashëri.

Kërkesat për alfabetin unik qenë të shumta, ashtu si dhe mospajtimet dhe tendencat e shumëkujt për të imponuar alfabetet e tyre si më të përshtatshmit. Megjithatë, koha e tregoi se angazhimi për shkronjat latine ishte më i esëllti në stinët kur truri shqiptar qe shpëlarë me sistem përmes injektimit të ndjenjës së inferioritetit dhe paperspektivës së gjithanshme.

Shtrohet pyetja: përse Rilindësit insistonin për një alfabet Latin?

Sepse, për alfabetin latin me të cilin qenë shkruarë librat shqip dëshmon murgu francez Brokardi, që në vitin 1332; sepse në alfabetin latin u shkruan librat e autorëve shqiptarë të kohës së humanizmit dhe rilindjes evropiane, kur i gjithë kontinenti në atë alfabet e gjuhë i shkruante letërsitë nacionale; në alfabetin latin të krijuesve të veriut u shkruajt dokumenti i parë i shqipes: Formula e pagëzimit e Pal Engjëllit; libri i parë shqip “Meshari” i Gjon Buzukut; veprat e njohura të Bogdanit, Budit e Bardhit; me këto shkronja u shkruajt vepra madhore e Naimit dhe rilindësve të tjerë; kryevepra e letërsisë së Rilindjes “Këgët ë Milosaos” e Jeronim de Radës, për të cilën folën fjalë të mëdha titanët e letërsisë evropiane: Hygoi, Lamartini, Aleksandar Dyma e shumë të tjerë. Me një fjalë, alfabeti latin heq vijë që nga kohët ilire e këndej, në dallim prej atij grek e turko-arab që u imponoheshin shqiptarëve me arsyetime të paargumentuara shkencërisht as dje as sot.

Arsye më vete u luftës për një ABC u bë dhe anarkia e alfabeteve që përdoreshin në vigjilje të Kongresit të Manastirit, që e bëri gjuhën, jo vetëm mjet shpëtimi të kombit, po dhe element që nisi të rrezikojë seriozisht ekzistencën e tij. Ishte momenti i fundit për ta kuptuar se dezintegrimi i gjuhës nënkupton dezintegrimin e etnisë. Çështja e shumësisë së padurueshme të ABC-ve arriti përmasat e një burlesku, sa qesharak, aq edhe shqetësues për të ardhmen e Gjuhës shqipe. Arbëreshi Mikel Markianoi (1908) këtë fenomen e pagëzoi: “konfuzion babilonik në alfabetin shqiptar”, kurse Gjergj Fishta e satirizoi me vargjet:

Për çdo kaçubë na mbinë nga një letrar,

Përfton ma në fund e pjell nji Abecedar…

Përpjekjet për dalje nga ky qorsokak, u bënë masive dhe të gjithanshme. Fillimisht, ishin vetë shpikësit e disa alfabeteve që hoqën dorë nga projektet e tyre në favor të një alfabeti të vetëm për të gjithë shqiptarët. Kështu, nisi qartësimi i gjërave dhe pranimi, fillimisht i heshtur, pastaj dhe i hapur i alfabetit të “Bashkimit”, i përpiluar prej njerëzish që, për momentin e dhënë, garantonin më shumë neutralitetit krahinor, dialektor e fetar…

Për alfabetin e vetëm të shqipes qenë dhe promotorët e politikës kombëtare të asaj kohe: Hasan Prishtina, Dervish Hima, Bajram Curri… dhe kjo ishte me shumë rëndësi për trasimin e udhës së Kongresit të 1908-ës. Shtytje të veçantë alfabeti latin pati edhe prej krijuesit erudit Faik Konicës dhe revistës së tij me renome ndërkombëtare “Albania”, e cila një vit më herët e paralajmëroi mbajtjen e Kongresit të Manastirit.

Hapjen e mirëfilltë të udhës së alfabetit të sotëm të shqipes, e bëri Kongresi shqiptar i Bukureshtit, i vitit 1905, ku pjesëmarrësit e shumtë në numër  i thanë: PO alfabetit latin të shoqërisë “Bashkimi”, në çka ndikoi dhe popullariteti i revistës“Albania” të Faik Konicës, që angazhohej për po atë zgjidhje.

Natyrisht, debatet rreth alfabeteve të shumta të shqipes devalvonin nganjëherë në polemika të rrepta, po, parë nga distanca e sotme ka ndodhur në fakt gjëja më e zakonshme, sepse të gjithë ata që propozonin alfabetet e tyre e bënin këtë me shtytjet më pozitive të mundshme, hiq rastet e imponimeve të orkestruara nga pushtetarët e huaj.

Në fund fare, kur 32 delegatët e Kongresit të ABC-së, të ardhur nga 26 qytete shqiptare arritën në Manastir, disponimi anti alfabetit latin u kreshpërua tej mase, por kthim prapa nuk kishte. Luigj Gurakuqi propozoi përzgjedhjen e alfabetit më të përshtatshëm që nuk do të thente asnjë zemër pjesëmarrësi, rrethi e krahine shqiptare. Vendimi ishte ky: ”Të merret ABC-ja e Stambollit e bashkë me të një ABC thjesht latine që së bashku të përdoren nga shqiptarët…” Më vonë e dëshmoi koha se alfabeti pastër latin rezultoi më i miri për shqiptarët e të gjitha krahinave.

Në Manastir, përveç alfabetit, kongresistët debatuan dhe për çështje të tjera të rëndësishme: për pozitën e shqiptarëve nën sundimin e huaj, mosbesimin ndaj qeverisë xhonturke, situatat ekonomike dhe kulturore të vendit etj. Shi për këtë ata u kujdesën që asgjë e rëndësishme të mos shpërthejë jashtë mureve të shtëpisë së Kongresit, sepse duhej shmangur konfliktet eventuale.

Megjithatë, vendimet e Kongresit u sfiduan ashpër nga njerëzit që e kishin gëlltitur pamendueshëm grepin e huaj. Pasuan kundërshtime të dirigjuara nga më shumë anë: nga politika greke, sllave e xhonturke, gjë që paralajmëroi mbajtjen e një Kongresi paralel në Dibër, më 1909.

Kongresi në fjalë u ideua për të pamundësuar përdorimin e alfabetit latin, por, për çudi, pjesa dominante e pjesëmarrësve i kuptoi tendencat politike që shkonin në dëm të çështjes shqiptare. Kështu, në pamundësi për të përkrahur vendimin e Kongresit të Manastirit të vitit 1908, u soll një vendim i ndërmjetëm, që gjithsesi ishte dëshmi e dështimit të përpjekjeve për luftimin e alfabetit latin. Vendimi kërkonte që të mos imponohet alfabeti turko-arab, por të lihet i lirë gjithsecili të përdorë alfabetin që preferon.

Kjo, ashiqare, nënkuptonte vazhdimin e situatave anarkike të kohës para Kongresit të Manastirit të vitit 1908 dhe sërish rrezikonte integritetin shpirtëror të shqiptarëve.

Pas kësaj ngjarjeje, Klubi i Manastirit, si amë e gjithë klubeve të tjera, inicoi Kongresin e dytë të Manastirit (1910), që u mbeshtet fuqishëm pothuajse nga të gjitha viset shqiptare dhe nga gjithë kolonitë rilindëse. U bënë demondstrata, debate pa fund, shkrime gazetash, vepra letrare…, gjë që i trimëroi shqiptarët që u zotuan se, nëse e do nevoja, alfabetin e tyre do ta mbrojnë deri në pikën e fundit të gjakut.

Por, atëherë kur pritej që të uleshin gjakrat dhe të niste një epokë e re respekti e mirëkuptimi mes njerëzish, kulturash dhe etnishë, në Vilajetin e Kosovës shpërthyen demonstratat kundër alfabetit latin të shqipes, kundër librave e gazetave të shkruara në këtë alfabet, kundër shkollave shqipe, kundër shoqatave e intelektualëve kriujes që e përkrahnin atë. Protestat ishin masive, sepse u instrumentalizua dhe feja për të rebeluar turmat e painformuara rreth asaj që realisht po ndodhte. Manipulatorët thonin se alfabeti latin është antifetar, gjë që s’kishte të bëjë fare me të vërtetën.

Parë nga distanca e sotme, duhet thënë se Kongresi i alfabetit të Gjuhës shqipe përfaqëson njërën prej fitoreve të mëdha historike e kulturore që ka korrur kombi ynë. Pa të nuk do ta kishim as standardin e sotëm të gjuhës, që edhe përkundër vërejtjeve që mund t’i bëhen, na përcolli gjer këtu ku jemi si një komb i vetëm, duke sfiduar fuqishëm, pikërisht përmes SHQIPES, ndarjet tragjike që na i bënë të tjerët.

Falë këtij monumenti që përbën vijën kryesore identitare të shqiptarëve, paraardhësit tanë bënë të pamundurën për të krijuar nga hiri qytetërimin shqiptar. Ne na mbetet vetëm të kujdesemi mos të shkelim turpshëm mbi djersën dhe gjakun e tyre.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button