RMV, Ndryshimet ligjore për pensionim marrin dritë të gjelbër në Komisionin e Kuvendit

Në Komisionin për sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, u shqyrtuan ndryshimet ligjore në lidhje me pensionimin e detyrueshëm  prej moshës 64 vjeçare, transmeton Portalb.mk.

Propozimi i dorëzuar kryesisht nga disa deputetë të LSDM-së për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për nëpunës administrative kaloi sot në mesditë në lexim të parë në Komision me 8 vota “për”, duke dhënë dritë të gjelbër për vazhdimin e procedurave parlamentare deri në miratim.

Planifikohet vetëm të ndryshohet paragrafi (5) i nenit 98-të nga Ligji për nëpunës administrative.

Propozimi për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për nëpunës administrativ është dorëzuar nga: Jovan Mitreski, Kostadin Kostadinov, Snezhan Kaleska Vançeva, Kastriot Rexhepi, Arta Bilalli-Zendeli, Arber Ademi, Bisera Kostadinovska Stojçevska, Ilija Nikollovski, Marija Angellovska, Sonja Mihailovska, Zekir Ramçiloviq, Daniella Koleva, Mirosllav Jovanoviq, Panço Minov, Lolita Ristova, Lidija Tasevska, Marija Kostadinova, Belkisa Zeqiri, Zhaklina Lazarevska, Beti Rabaxhievska Naumovska, Sonja Mirakovska, Sashko Nikollov, Mile Talevski, Mirosllav Bogdanovski, Dragica Gjavoçanova, Maja Moraçanin, Fadil Zendeli, Bastri Bajrami, Laze Tanevski dhe Emilija Rambabova.

“Deputetët e LSDM-së në procedurë kuvendore kanë dorëzuar Propozim-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për marrëdhënie pune, që parashikon pension të detyrueshëm në moshën 64 vjeçare dhe 15 vjet përvojë pune”, kishin njoftuar nga nga LSDM-ja javën e kaluar, duke e vlerësuar se ky është një nga premtimet kryesore që e kanë dhënë para qytetarëve.

“Në këtë mënyrë ne krijojmë kushte për zvogëlimin e numrit të të punësuarve në administratën shtetërore dhe në sektorin publik, por edhe hapim hapësirë ​​për punësimin e kuadrit të ri që mund të japë kontribut të rëndësishëm në përmirësimin e procesit të punës”, deklarojnë nga LSDM-ja.

Ndryshe, Zoran Zaev pas zgjedhjeve të 15 korrikut, theksoi se janë në shqyrtim të mundësisë që të mundësohet dalja në pension 5 vjet para kohës së pensionimit, si dhe premtoi pensione për personat mbi 65 vjet. Në fushatën parazgjedhore për zgjedhjet e 15 korrikut, kryeministri Zoran Zaev premtoi rritje të pensioneve për 21%.

“Do të japim pension social shtetëror për çdo person mbi 65 vjet, i cili në 20 vjetët e fundit ka jetuar në territorin e vendit tonë dhe nuk i plotëson kushtet për pension pleqëri”, deklaroi Zaev.

Sipas të dhënave të cilat i ka marrë nga MSHIA për momentin ka rreth 10.300 persona të cilët janë në moshën mbi 64 vjet, ndërsa ende janë në marrëdhënie pune.

“Ligji është menduar që të jetë i detyrueshëm pensionimi në moshën 64 vjeçare, gjegjësisht 62 vite për gratë në mënyrë fleksibile, përveç për të punësuarit në shëndetësi, mjekët dhe personelin mjekësor dhe për arsimin e lartë”, kishte deklaruar Zaev.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button