Zaharieva: Eurointegrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor është në interes të Bullgarisë

Ministrja e Jashtme e Bullgarisë, Ekaterina Zaharieva ka deklaruar për televizionin bullgar Nova se vendi i saj i respekton fqinjët dhe ka interes për integrimin evropian të vendeve nga Ballkani Perëndimor. Duke folur për veton bullgare për kornizën negociuese për Maqedoninë, Zaharieva potencoi se mbështetja për vendin nga Bullgaria asnjëherë nuk ka qenë e pakushtëzuar, transmeton Portalb.mk.

“Autoritetet në Shkup shumë kohë më parë e din se ka probleme që nuk i kanë zgjedhur në raportet bilaterale me ne. Në vitin e kaluar gjatë kohës së takimit të fundit ndërqeveritar i janë theksuar këto probleme vendit”, theksoi Zaharieva.

Ajo tha se pas qëndrimit të Sofjes ka edhe “pengesa të bizneseit”, si bllokim të investimeve bullgare në vend me pengesa administrative, zvarritja e ndërtimit të Korridorit 8, “mos miratimi i programit trevjeçar për arsim dhe kulturë” nga ana e Maqedonisë dhe “refuzim i bashkëpunimit në mbrojtje”.

Zaharieva tha se për Bullgarinë është e papranueshme edhe “rritja e fushatës antibullgare” në vend. Ajo vlerësoi se “gjuha e urrejtjes nuk është ndalë” dhe çdoherë përkeqësohet para momenteve të rëndësishme.

“Nëse duan të anëtarësohen në BE, duhet t’ju përmbahen vlerave evropiane. Mendoj se nuk është mirë për qytetarët e këtij vendi të jenë të edukuar me urrejtje”, shtoi Zaharieva.

Ajo mohoi se Bullgaria ka qenë nën presion të Gjermanisë që të lëshojë pe për kornizën negociuse, duke theksuar se madje edhe disa në Shkup kanë menduar se do të ketë presion të tillë ndaj Sofjes.

“BE nuk funksionon në atë mënyrë. Çdo vend është i barabartë në këtë Union. Zgjerimi duhet të miratohet nga të gjithë shtetet anëtare”, shtoi ajo.

Zaharieva vlerëson se formimi i Komisionit të përbashkët bullgaro-maqedonas për çështjet e historisë nuk paraqet gabim.

Sofja zyrtare kohëve të fundit ka paralajmëruar vazhdimisht Maqedoninë e Veriut se mund të pengojë proceset e integrimit të vendit në BE, nëse nuk zgjidhet kontestet historike mes dy vendeve.

Në një dokument gjashtë faqe, me arsyetime të gjata historike për “ideologji shtetërore antibullgare” në Maqedoninë e Veriut, Bullgaria u dërgoi memorandum sqarues vendeve anëtare të BE-së në prag të vendimit për fillimin e negociatave me Unionin. Sofja zyrtare kërkon mbështetje prej tyre për pozitën e vet lidhur me identitetin dhe gjuhën maqedonase, si dhe ë kuadër të kornizës negociuese mes Maqedonisë së Veriut dhe BE-së, të futet edhe Marrëveshja për fqinjësi të mirë, që dy shtetet e nënshkruan në vitin 2017.

Anëtarët e Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë në Komisionin e përbashkët për çështjet e historisë dhe arsimit më 15 dhe 16 tetor, realizuan takime në Shkup, por nuk arritën të gjejnë zgjidhje për kontestet mes dy vendeve.

Dy palët kanë pranuar se më e mundimshme do të jetë shqyrtimi i periudhës rreth ngjarjeve dhe figurave të shek. 19 dhe fillimi i shek. 20, periudha e paraqitjes së lëvizjeve kulturore, shpirtërore dhe politike në territorin e Maqedonisë së Veriut, ku ka dallime serioze midis historive të dy vendeve.  Njëra ndër temat më të vështira është qasja ndaj figurës dhe veprës së Goce Dellçevit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button