Prindërit mund të kontrollojnë fëmijët e tyre se çfarë shikojnë në TikTok

Platforma e videove të shkurtra TikTok ka futur ndryshime në aplikacion për t’u mundësuar prindërve më shumë kontroll mbi privatësinë e profileve të fëmijëve të tyre dhe asaj që ata bëjnë kur kyçen në aplikacion. Karakteristikat e reja janë pjesë e një funksioni të quajtur “Lidhje familjare” (Family Pairing), njofton Portalb.mk.

Shumica e ndryshimeve kanë të bëjnë me privatësinë, kështu që, ndër të tjera, prindërit tani mund të vendosin se kush mund të ketë qasje në profilet e fëmijëve të tyre dhe kush mund të shikojë videot që ata postojnë. Ndryshimet gjithashtu u lejojnë prindërve t’ua ndalojnë fëmijëve qasjen në përdorues të caktuar, video, hashtage ose këngë që ata i konsiderojnë të papërshtatshme. Në mënyrë që të fitojnë kontroll mbi përmbajtjen, prindërit duhet së pari të krijojnë llogarinë e tyre në TikTok dhe pastaj ta lidhin atë me atë të fëmijëve. Pasi të jenë lidhur dy profilet, prindërit do të jenë në gjendje të kontrollojnë cilësimet përmes telefonave të tyre.

Ky është një hap përpara në përpjekjet e TikTok-ut për të mbrojtur sigurinë e adoleshentëve, pasi platforma prej kohësh është përballur me reagime dhe ankesa nga prindërit për përmbajtje të papërshtatshme që fëmijët mund të hasin në platformë.

TikTok-u më parë pagoi 5.7 milion dollarë amerikan për të zgjidhur akuzat nga Komisioni Federal i Tregtisë i SHBA-së se shkelte ligjin e privatësisë së fëmijëve.

Kjo është vetëm një nga përplasjet e shumta të TikTok-ut me autoritetet amerikane. Pasi kompania e saj amë ByteDance u urdhërua t’i shesë filialet e saj amerikane disa muaj më parë, administrata e Presidentit në ikje Donald Trump tani i ka dhënë kompanisë një afat të ri për shitjen – 27 nëntor. Deri atëherë pritet që çështja konfuze e shitjes së TikTok-ut që filloi këtë verë pritet të marrë fund.

Paraprakisht, një gjykatës federal nga shteti i Pensilvanisë bllokoi urdhrin e Departamentit Amerikan të Tregtisë, sipas të cilit TikTok do të duhej të ndalohej nga 12 nëntori.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button