fbpx

Bullgaria vendosi veto për kornizën negociuese për Maqedoninë e Veriut, zyrtarët evropian porositën vendin që të zgjidh kontestin me bullgarët

Bullgaria vendosi veto për Maqedoninë e Veriut, ndërsa dha dritë të gjelbër për Shqipërinë. Ministrja e Jashtme e Bullgarisë, Ektaerina Zaharieva deklaroi se vendi i saj e mbështetë kornizën negociuese për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, por jo edhe për Maqedoninë e Veriut, transmeton Portalb.mk.

“Bullgaria në këtë fazë nuk mund të mbështesë kornizën negociuese me Republikën e MV dhe mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Propozimi nuk i pasqyron kërkesat bullgare dhe nuk mund të përkrahet në formën aktuale”, theksoi Zaharieva.

Ajo tha se Shqipëria i plotëson shumicën e kushteve të vendosura në mars.

Zaharieva gjatë video-konferencës me ministrat e Jashtëm të BE-së, falënderoi Berlinin për ndihmën gjatë negociatave me Shkupin.

Ajo tha se nuk është arritur progres i dukshëm në zbatimin e Marrëveshjes për Fqinjësi të mirë nga viti 2017.

“Ne kemi tre kushte themelore – respektimin e formulës për gjuhën nga viti 1999 dhe të konfirmuar me marrëveshjen për miqësi dhe fqinjësi të mirë, udhërrëfyes për zbatimin e marrëveshjes së vitit 2017, tekst shumë të qartë, në të cilin do të theksohet se Maqedonia nuk ka pretendime për pakicën maqedonase në Bullgari. Këto kushte ende nuk janë përfshirë në kornizën negociuese”, theksoi Zaharieva.

Ministri gjerman për Evropë, Michael Roth, në konferencën e mbajtur pas përfundimit të takimit, tha se dëshirojnë që konferenca e parë ndërqeveritare të fillojë sa më shpejtë të jetë e mundur, por shtoi se tani nuk është koha për shkak të kontestit bilateral mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë.

“Ne e kemi bërë të qartë sot se në kërkim të një zgjidhje racionale, ne duam të ndihmojmë dhe ta pastrojmë rrugën sa më shpejtë të jetë e mundur, në mënyrë që të mbajmë konferencën e parë ndërqeveritare. Por, tani e ndjejmë se nuk është koha. Nëse kemi problem bilateral i cili nuk mund të zgjidhet në javët vijuese, ne e kemi ndjerë se nuk kemi kohë që ta referojmë tani atë në nivelin e Këshillit Evropian. Ne dëshirojmë që t’i dërgojmë porosi të qarta dy vendeve të Ballkanit Perëndimor, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë se ata tash më kanë bërë shumë, ata kanë pretendime që të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian. Kjo është një rrugë e gjatë, një rrugë e vështirë por, duhet të fillojë me negociata”, deklaroi Roth.

Ndërkaq, nëkryetari i Komisionit Evropian, Maros Shefqoviq, porositi që të dyfishohen përpjekjet për zgjidhjen e kontestit me Bullgarinë, në mënyrë që të zgjidhet kontesti me Bullgarinë.

“Ne jemi në përfundim të arritjes së një marrëveshje për dy kornizat negociuese për të filluar edhe zyrtarisht negociatat qasëse për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Përpjekjet duhet të dyfishohen, në mënyrë që çështja e ngritur nga Bullgaria në lidhje me Maqedoninë e Veriut të mund të zgjidhet dhe të mund të arrihet marrëveshje për kornizën negociuese. Ne dëshirojmë që konferenca e parë ndërqeveritare të mbahet sa më shpejtë të jetë e mundur. Prandaj, komisioni do të jetë në kontakt të afërt me presidencën gjermane me BE-në që të mbështesë këto përpjekje. Kjo do të ishte një sinjal i fuqishëm për të gjithë rajonin se zgjerimi funksionon dhe jep rezultate”, deklaroi Shefqoviq.

Edhe eurokomesari për zgjerim, Oliver Varhejli, ka dërguar porosi të ngjashme, nëpërmjet profilit të tij në Twitter.

“Puna duhet të vazhdojë dhe është e rëndësishme që korniza negociuese me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut të dakordohet sa më shpejtë të jetë e mundur, në mënyrë konferenca e parë ndërqeveritare të mund të mbahet këtë vit.  Të gjithë duhet të vazhdojnë përpjekjet për të zgjidhur çështjet e hapura. Unë jam në kontakt me presidencën gjermane me BE-në dhe të gjitha palët relevante për të mbështetur gjetjen e një zgjidhjeje”, ka shkruar Varhejli.

Sofja zyrtare kohëve të fundit ka paralajmëruar vazhdimisht Maqedoninë e Veriut se mund të pengojë proceset e integrimit të vendit në BE, nëse nuk zgjidhet kontestet historike mes dy vendeve.

Në një dokument gjashtë faqe, me arsyetime të gjata historike për “ideologji shtetërore antibullgare” në Maqedoninë e Veriut, Bullgaria u dërgoi memorandum sqarues vendeve anëtare të BE-së në prag të vendimit për fillimin e negociatave me Unionin. Sofja zyrtare kërkon mbështetje prej tyre për pozitën e vet lidhur me identitetin dhe gjuhën maqedonase, si dhe ë kuadër të kornizës negociuese mes Maqedonisë së Veriut dhe BE-së, të futet edhe Marrëveshja për fqinjësi të mirë, që dy shtetet e nënshkruan në vitin 2017.

Anëtarët e Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë në Komisionin e përbashkët për çështjet e historisë dhe arsimit më 15 dhe 16 tetor, realizuan takime në Shkup, por nuk arritën të gjejnë zgjidhje për kontestet mes dy vendeve.

Dy palët kanë pranuar se më e mundimshme do të jetë shqyrtimi i periudhës rreth ngjarjeve dhe figurave të shek. 19 dhe fillimi i shek. 20, periudha e paraqitjes së lëvizjeve kulturore, shpirtërore dhe politike në territorin e Maqedonisë së Veriut, ku ka dallime serioze midis historive të dy vendeve.  Njëra ndër temat më të vështira është qasja ndaj figurës dhe veprës së Goce Dellçevit.

Tags

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close