Pasi kërkoi dy ditë oksigjen nga infermieret, pacientja 41 vjeçare nga Shtipi ndërroi jetë nga Covid-19, inspektorët shëndetësor do të hetojnë rastin

Inspektorati shtetëror sanitar dhe shëndetësor momentalisht po realizojnë mbikëqyrje të jashtëzakonshme inspektuese në Spitalin Klinik në Shtip, për rastin me paciente 41 vjeçare, e cila në orët e hershme të 14 nëntorit, ndërroi jetë pas komplikimeve nga Covid-19 në repartin infektiv, kumtoi Ministria e Shëndetësisë, njofton Portalb.mk.

E bija e pacientet që ndërroi jetë, mbrëmë në Facebook publikoi screenshot-e nga telefoni i saj, ku shihet se pacientja e shtrirë në spital 2 ditë i është paraqitur me këmbëngulje nga krevati i spitalit infermiereve, u ka dërguar edhe sms porosi se i nevojitet oksigjen, por sipas screenshot-ave, askush nuk i është përgjigjur dhe as nuk ka ardhur, pas çka ka ndërruar jetë. Sipas së bijës, pacientja paraprakisht nuk ka pasur asnjë sëmundje, ndërsa në repartin infektive është mjekuar nga 6 nëntori. Vajza e saj sqaron se nuk ka marrë asnjë informacion për gjendjen e nënës së saj.

Drejtori i Spitalit Klinik në Shtpi, Alen Georgiev, po ashtu ka kërkuar që të përgatitet raport komplet për mënyrën e trajtimit të pacientes.

“Pas përfundimit të mbikëqyrjes së jashtëzakonshme, opinioni do të jetë i informuar në mënyrë të detajuar”, njoftuan nga ministria.

Më 1 nëntor, drejtori Georgiev deklaroi se Spitali i Shtipit nuk mund të blejë oksigjen dhe ilaçe për të sëmurët nga Covid-19 për shkak të zgjedhjeve lokale, ndërsa Komisioni për Antikorrupsion i këshilloi që të huazojnë nga spitale të tjera.

“Na paraqesin problem më shumë furnizime, por në këtë periudhë më së shumti oksigjeni medicinal. Për këtë i intensifikojmë procedurat për furnizime të bombolave për oksigjen, pajisje medicinale dhe mjete të ndryshme mbrojtëse. Komisioni për Antikorrupsion si të rregullta i pranon vetëm furnizimet me programet vjetore të cilat nuk bien ndesh me Kodin Zgjedhor dhe Ligjin për Furnizime Publike, por në fillim të vitit kur janë miratuar planet vjetore që mund të parashikonte se do të ndodhë edhe pandemia edhe zgjedhjet e parakohshme për kryetar komune”, deklaroi atëherë Georgiev dhe shtoi se kanë kërkuar mënyrë që përmes Byros për Furnizime Publike që t’i sigurojnë sipas të gjitha bazave ligjore vetëm të mos vuajnë pacientët.

Në Shtip do të ketë zgjedhje për kryetar komune më 13 dhjetor, sepse kryetari i deritanishëm, Blagoj Boçvarski është bërë ministër i Transportit dhe Lidhjeve.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button