Tetovë, 1060 raste aktive me virusin korona, mes tyre 50 mësimdhënës, Arifi: Të respektohen masat!

Në Tetovë dhe pesë komunat përreth aktualisht ka 1060 raste akte me Kovid-19, në Spitalin klinik janë duke u trajtuar 49 pacientë. Gjendja është alarmante me punonjësit e arsimit, gjithsej 50 mësimdhënës janë pozitiv me virusin korona kurse si pasojë janë izoluar 11 grupe klasore. Nga Komuna e Tetovës bëjnë thirrje që qytetarët të respektojnë vendimet për izolim, shkruan Portalb.mk.

Si është gjendja në Spitalin klinik të Tetovës?

Arifi në deklaratë potencoi se aktualisht 49 pacientë me Kovid-19 trajtohen në Spitalin klinik të Tetovës, ajo shtoi se kërkesa për terapi mjekësore është në rritje.

“Në Spitalin klinik të Tetovës pranohen për trajtim kryesisht pacientë me pasqyrë më të rëndë klinike të cilët kanë nevojë për përkrahje të oksigjenit. Për momentin në repartin infektiv në Tetovë janë të shtruar 49 persona, që marrin terapinë dhe trajtimin e nevojshëm shëndetësor.

Gjendja epidemiologjike si në vend ashtu edhe në Tetovë akoma paraqitet si kritike, me numra në rritje të rasteve të reja si dhe persona që kërkojnë trajtim shëndetësor në kushte spitalore.

Poashtu Qendra klinike në Tetovë, edhe përskaj gjendjes së vështirësuar epidemiologjike dhe ngarkesës konstante, vazhdon të ofrojë edhe shërbimet tjera të zakonshme të mjekësisë sekondare, për qytetarët e Tetovës dhe më gjerë” theksoi Teuta Arifi pas mbledhjes së Shtabit të Krizës së Komunës së Tetovës.

Një numër i madh i mësimdhënësve në Tetovë, pozitiv me Kovid-19

“Gjendja me COVID19 në çerdhet dhe shkollat komunale është si vijon; Në çerdhet e kopshtit Rinia në Tetovë kemi 8 raste aktive dhe 3 grupe fëmijësh në izolim shtëpiak. Në shkollat fillore janë 22 mësimdhënës pozitiv dhe 8 grupe klasore në izolim. Në shkollat e mesme janë gjithsej 20 mësimdhënës pozitiv, kurse procesi i mësimit në distancë zhvillohet sipas planit të paraparë, kurse paralelisht vazhdon edhe notimi i pare, që pritet të përfundoje më 20 nëntor” informoi Arifi.

Përkundër kësaj, një numër i madh i qytetarëve vazhdojnë të mos respektojnë masat

“Gjatë 7ditëve të kaluara, sipas të dhënave nga SPB – Tetovë për mosmbajtjen e maskave mbrojtëse janë shqiptuar urdhëresa për kundërvajtje për gjithsej 420 persona, në përputhje me nenin 6 nga Dekreti përkatës i qeverisë së RMV. Gjatë kësaj periudhe, në rajonin e Tetovës janë lëshuar 925 vendime të reja për izolim nga Inspektorati Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor, kurse janë kryer kontrolle edhe ndaj 1465 personave me vendime ekzistuese për izolim të detyrueshëm shtëpiak” shtoi Arifi.

Kryetarja e Komunës së Tetovës potencoi rëndësinë e respektimit të vendimit për izolim, vetëm kështu, sipas saj, do të mund të ndikojmë në reduktimin e rritjes së rasteve të reja të infektimit.

“Është jashtëzakonisht e rëndësishme që personat me vendim për izolim, të qëndrojnë të izoluar duke mos kontaktuar me persona të tjerë, dhe kështu të ndikojnë në reduktimin e rritjes së rasteve të reja të infektimit, në këtë fazë shumë kritike të përhapjes së virusit” shtoi Arifi.

Ndryshe, nga fillimi i pandemisë deri sot numri i përgjithshëm i personave të diagnostikuar me Kovid-19 në Tetovë me rrethinë është 3159. Nga ky numër deri tani janë shëruar 1909 persona kurse 129 kanë ndërruar jetë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button