Kosovë: 11 të vdekur dhe 765 raste të reja me COVID-19

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK) njoftoi të shtunën se gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar edhe 765 raste me koronavirusin e ri, që e shkakton sëmundjen COVID-19, shkruan REL.

Rezultatet janë në bazë të 1791 mostrave të testuara. Nga sëmundja COVID-19 kanë vdekur edhe 11 pacientë.

“Rastet e vdekjes janë nga komunat: Gjilan 3 raste (71, 71, 69 vjeç), Prishtinë 3 raste (82, 68, 60 vjeç), Ferizaj 1 rast (50 vjeç), Gjakovë 1 rast (70 vjeç), Mitrovicë 1 rast (76 vjeç), Prizren 1 rast (77 vjeç), Vushtrri 1 rast (70 vjeç)”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.

Sipas të dhënave gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar edhe 193 pacientë, ndërsa numri i rasteve aktive është 10.752.

Që nga fillimi i pandemisë më 13 mars të këtij viti, në Kosovë janë infektuar 28.616 persona prej të cilëve 17.055 janë shëruar ndërsa 809 kanë vdekur.

Më herët Policia e Kosovës njoftoi se gjatë 24 orëve të fundit ka shqiptuar gjoba ndaj 778 qytetarëve të cilët nuk kanë respektuar Ligjin për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19.

Ligji për parandalimin dhe luftimin e pandemisë së COVID-19, është miratuar në muajin gusht nga Kuvendi i Kosovës. Gjobat për mosrespektim të Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID -19 fillojnë nga 35 deri në 2000 euro, varësisht nga shkeljet.

Të premten më 13 nëntor në Kosovë kanë hyrë në fuqi masat e reja për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.

Masat e marra parashohin tri zona të rrezikshmërisë, sipas numrit të të infektuarve nëpër komuna: zona e kuqe me rrezikshmëri të lartë, zona e verdhë me rrezikshmëri mesatare dhe zona e gjelbër e cila ka rrezikshmërinë më të ulët.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button