Meta: E gjithë vëmendja duhet të jetë te rivendosja e kontrollit ndaj pandemisë

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka deklaruar se e gjithë vëmendja e institucioneve duhet të jetë tek rivendosja e kontrollit ndaj pandemisë, sepse sipas tij “pandemia po del jashtë kontrollit”, raporton Anadolu Agency(AA).

Në një konferencë për mediat, Meta u fokusua në çështjet që lidhen me situatën e pandemisë COVID-19, pas propozimeve të tij në ditët e fundit që institucionet shëndetësore të shtojnë masivisht numrin e testimeve, për rimbursimin e pacientëve të cilët mjekohen në shtëpi dhe rritjen e buxhetit për sistemin shëndetësor.

“Jam shumë i shqetësuar për numrin gjithmonë në rritje të të prekurve dhe fatkeqësisht edhe të numrit të personave të cilët kanë humbur jetën. Në këto kushte mendoj marrjen e masave të menjëhershme për të frenuar këtë përhapje masive të COVID-19 në funksion të mbrojtjes së shëndetit të çdo qytetari të Republikës së Shqipërisë. Është tepër e domosdoshme që qytetarët duhet të testohen, vetëm kështu do të dinë të vërtetën për shëndetin e tyre, por edhe që të mbrojnë familjarët dhe komunitetin”, u shpreh Meta.

Presidenti Meta theksoi se qytetarët duhet të trajtohen me protokolle mjekësore të qarta dhe të miratuara me përgjegjësi.

Meta theksoi më tej se “Duhet miratuar sa më parë nga qeveria rimbursimi i barnave dhe shërbimeve për të sëmurët me COVID-19 të cilët trajtohen në banesat e tyre pasi shumë prej tyre nuk marrin dot barnat e kërkuara për shkak të pamundësisë ekonomike dhe varfërisë”.

“E gjithë vëmendja e qeverisë, parlamentit, presidentit, mediave, e të gjithëve, e opozitës duhet të jetë tek rivendosja e kontrollit ndaj pandemisë, sepse pandemia po del jashtë kontrollit.Telefonatat që marrim tregojnë një ritëm të lartë të të prekurve dhe një vështirësi tepër serioze të sistemit tonë shëndetësor sidomos atij publik për të përballuar këtë ngarkesë të madhe. Prandaj sugjerimet e mija kanë qenë prej kohësh”, tha presidenti i Shqipërisë.

Ai u shpreh se është koha për të mbështetur shëndetin publik, për të bërë transparencë me opinionin publik dhe për të mbështetur edhe shtresat më në nevojë të popullsisë të cilat nuk kanë mundësi të përballojnë vetë shpenzimet e këtij mjekimi.

Kujtojmë se në Shqipëri vazhdon rritja e rasteve dhe vdekjeve nga COVID-19. Që nga fillimi i pandemisë në vend janë regjistruar gjithsej 26.211 raste pozitive me COVID-19, mes tyre 598 persona kanë ndërruar jetë.

Ndërkohë, gjatë ditës së sotme presidenti i Shqipërisë u takua me drejtorin rajonal të Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Evropën, Hans Kluge, që sipas Metës diskutuan për “përkeqësimin e ritmeve të përhapjes së pandemisë COVID-19 dhe masat efektive të menjëhershme, që duhen ndërmarrë në funksion të mbrojtjes së shëndetit të çdo qytetari”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button