Libri “Pushtetarët e Mjegullnajës” nga Ismail Arsllani hedh dritë mbi deformimet pushtetare

Nga Gëzim SULEJMANI

Libri publicistik “Pushtetarët e mjegullnajës” nga autori Ismail Arsllani, që doli këtyre ditëve nga shtypi, nëpërmjet vështrimeve dhe analizave të shtruara mbi rrjedhat shoqërore-politike në kohë dhe hapësirë të caktuar (Maqedonia e Veriut, 2009-2019), mëton të pasqyrojë për publikun lexues një hark kohor të historisë më të re, shumë delikate për shtetin dhe pushtetin, pushtetmbajtësit dhe pretendentët e tyre, të cilët, të mbërthyer nga joshja për famë dhe pasuri, me mjete e forma të palejuara të pasurimit, kapën institucionet me të gjitha instrumentet shtetërore, ngritën hipoteka dhe limite, duke marrë në mbrojtje një nomenklaturë elitare në strukturën e krijuar parti-pushtet.

Libri i publicistit Ismail Arsllani hedh dritë mbi kulmin e këtij deformimi pushtetar, që mori krah sidomos nga viti 2008 dhe arriti zenitin më 2014, duke rrënuar me makineri despotike të gjitha pengesat, në saje të një marketingu mashtrues të medieve të paguara e të privilegjuara nga pushteti, në shërbim të pushtetit autoritar, që ngriti lart gënjeshtrën mbi të vërtetën në rrafshin e shpëlarjes së trurit të masave.

Në këtë libër, nëpërmjet vrojtimeve dhe vlerësimeve në vijim, hidhet dritë mbi një tjetër platformë qeverisëse, që instalohet në këtë vend nga ndërkombëtarët, të cilët, me diplomaci të imponuar, shembën strukturën ekzistuese retrograde e anti-perëndimore, për të sjellë një garniturë të re shpresëdhënëse për kthim të vendit në rrugën e integrimeve evropiane dhe veri-atlantike, që fillon nga viti 2016-2017, pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dhe vendosjes së një koalicioni qeverisës me disa parti shqiptare.

Ismail Arsllani, në librin e tij “Pushtetarët e Mjegullnajës” trajton jo vetëm aspektet politike me fokus të caktuar, në një shtet konkret të Ballkanit, siç është Maqedonia e Veriut, si ekzemplar autentik i zhvillimeve dramatike politike, por shqyrton edhe kategoritë morale në politike, siç janë dinjiteti, gënjeshtra, heshtja, dorëheqja, erozioni, katandisja, interesi, kalkulimi, kushtëzimi, parimi, participimi, diplomacia, urtësia, vendosmëria e të tjera mekanizma politikë, që i japin formë dhe gjallëri veprimit të subjekteve të caktuara në skenën politike.

Një numër i punimeve në këtë botim, gërshetohet me sajesa anekdotash nga më të ndryshmet që nga e kaluara antike, deri te ato mesjetare dhe osmane, sikundër dhe me fraza apo fjalë të urta popullore prej popujsh të meridianëve të ndryshme, të gjitha të përmbledhura në një përvojë shekullore, që mishërohen me mesazhin e fokusuar politik të përtashëm, për t’i dhënë një dimension human dukurive shoqërore në trajtim e sipër, me një gjuhë të shprehjes specifike ezopiane.

Libri ka katër kapituj, ka vendin e ndodhive dhe ngjarjeve politike, ku dominojnë pushtetarët, të cilët, në mënyrë narrative i vendos në një hapësirë absurde të “mjegullnajës”, për të ilustruar sa më mirë atmosferën politike, shtet-ndërtuese e drejtuese, si dhe jetesën që po zhvillohej në një shtet që quhet Maqedonia e Veriut, i cili brenda një harku kohor prej vitit 2006 deri më 2019, periudhë e trajtimit të ngjarjeve politike, pësoi një katrahurë të paparë në historinë e vet.

“Pushtetarët e mjegullnajës”, me gjithsej 300 faqe, doli nën përkujdesjen e shtëpisë botuese “Shtypi Akademik” në Shkup, me redaktor Nijazi Muhamedi dhe recensent, Xhelal Zejneli.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button