Subkultura

“Të martat me Morin” është vërtet një libër që duhet lexuar. Jo vetëm që është i shkruar në një gjuhë të qartë dhe të kuptueshme, jo vetëm që lexohet shpejt dhe lehtë, por njëherit krijon atë ndjenjën e kënaqësisë të të lexuarit një libër që për gjatë kohë do të mbetet në kujtimet e lexuesit. Për më tepër, është ngjarje e vërtetë, është një tërësi shprehjesh për kuptimin e jetës nga një njeri me shpirt të mrekullueshëm i cili i jeton ditët e fundit të jetës së tij. Është libër që çdo njeri, e mbi të gjitha çdo mësues, duhet ta lexojë.

Secili nga ne është nga pak mësues në jetë. Ndoshta jo të gjithë e ushtrojmë zyrtarisht profesionin e mësuesit, por secilit njeri i vjen rasti në jetë kur duhet ti përcjellë njohuritë ose eksperiencën e tij deri te dikush tjetër, zakonisht te dikush më i ri. Po të lexojmë për eksperiencat që Mori i transmeton përmes bisedave me autorin e librit, studentin e tij të dikurshëm, do të vërejmë që shumë nga ato mësime tani më veç i dimë por jo gjithnjë zgjedhim që ti zbatojmë si të tilla.

Personalisht më la përshtypje të veçantë e marta e njëmbëdhjetë e bisedës me Morin. Atë të martë, studenti dhe njëherit autori i librit, Mitch Albom flet me profesorin e tij të sociologjisë Morrie Schwartz rreth kulturës sonë. Fjala është për kulturën e një shteti perëndimor të zhvilluar kapitalist për shkak se ngjarja ndodh në SHBA. Por kjo është një bisedë që përmes procesit të globalizmit ka fituar aktualitet në gjithë botën. Sot të gjitha shtetet mundohen të arrijnë zhvillimin ekonomik të shteteve perëndimore, ndërsa të gjithë njerëzit ëndërrojnë të jetojnë jetën si nëpër filma të një shoqërie tipike konsumatore.

Edhe shtetet të cilat nuk janë të organizuara sipas parimeve të një shoqërie demokratike dhe liberale ku të drejtat e njeriut sigurohen dhe liria e shprehjes është thelbësore, pra edhe këto shtete jo-demokratike në aspektin ekonomik mbeten shtete kapitaliste ku paraja vlerësohet më shumë se gjithçka tjetër ndërsa njerëzit punojnë orë të gjata për ta siguruar atë. Mori ka një shprehje shumë të bukur lidhur me këtë të cilën e gjejmë pikërisht në kapitullin e lartpërmendur:

“Njerëzit janë të këqij vetëm kur ndihen të kërcënuar. Pikërisht këtë bën kultura që kemi ne, këtë bën ekonomia jonë. Madje edhe njerëzit që kanë punë të mira, ndihen të kërcënuar, pasi shqetësohen se mos i humbasin ato. Dhe kur ndihesh i kërcënuar, ti mendon vetëm për vete. Paraja bëhet zot. Është e gjitha pjesë e kësaj kulture-” thotë Mori, ndërsa ne e dimë që kjo kulturë tani më është aq e shprehur jo vetëm në perëndim por edhe në lindje, jo vetëm në SHBA por edhe në Rusi, jo vetëm në Kanada e Francë por edhe në Kinë dhe Indi. Si që do të konstatojë një tjetër autor shumë i arrirë i shekullit tonë, Juval Noah Harrari në librin e tij “Sapiens”, të gjithë njerëzit, pa marrë parasysh të cilit religjion janë, besojnë në një religjion të përbashkët që është paraja. Dhe është vështirë ta kontestosh këtë të vërtetë kur e dimë që e gjithë jeta gjatë gjithë kohës rrotullohet pikërisht rreth këtij “religjioni”, sado që të mundohemi ta kundërshtojmë këtë.

Mori është njëri ndër personazhet që shpërndan energji pozitive dhe përmes kësaj energjie depërton te të gjithë lexuesit që kanë pasur mundësinë të kalojnë disa çaste me mendimet e tij. Ai sheh kundërpeshën e realitetit materialist botëror i cili është aq i dukshëm në tërë globin, tek ajo që ai e quan krijim i një subkulture të ndryshme me kulturën e përgjithshme. Si njeri i arsyeshëm që është, Mori e di që njeriu i sotëm nuk ka ku ik nga kultura e përgjithshme, nga mënyra e sotme e funksionimit të botës.

Por megjithatë, Mori është i bindur se njeriu mund të krijojë subkulturën e vet me një grusht njerëzish shumë të afërt që besojnë te disa vlera të përbashkëta dhe e jetojnë jetën sipas rregullave të veta. Ai sqaron që u bindet gjërave të vogla të kulturës së përgjithshme dhe nuk injoron çdo rregull ose normë që ka komuniteti. Por sa u përket gjërave të mëdha, kur është fjala si të mendojmë dhe çfarë të vlerësojmë, Mori thotë se këto janë tërësisht zgjedhja jonë, për të cilat ne nuk mund të lejojmë askënd, e as shoqërinë që të zgjedhë për ne.

Ky është një mendim mjaft i fuqishëm që i jep mundësi individit ta organizojë dhe rregullojë jetën e tij sipas vlerave te të cilat ai beson. I jep kontroll mbi atë që ai vlerëson pavarësisht se çfarë vlerëson shoqëria. Dhe kjo subkulturë i jep qetësi njeriut, sepse pavarësisht rrjedhës së shoqërisë ai ka mundësinë të krijojë një grup njerëzish, në familje dhe në shoqërinë më të ngushtë me të cilët ndihet mirë dhe ndan të njëjtat vlera. Fundja ky është kuptimi i jetës, sepse të gjithë të mençurit thonë që ai që ka një grusht miqsh me të cilët mund të jetë vetvetja pa asnjë sforcim është vërtet i pasur. Po ashtu të mençurit thonë që në këtë botë ka njerëz aq të varfër sa gjithçka që ata kanë janë vetëm paratë.

Ky vit që po kalon e që i ka shkundur themelet e shoqërisë kapitaliste që e kemi njohur gjer tani, njësoj si tërmeti që na shkundi mirë dje edhe atë dy herë radhazi brenda një dite, na ka bërë të mendojmë pak më thellë për kuptimin e jetës dhe vlerave te të cilat besojmë. Përnjëherë kemi kuptuar se duke vrapuar gjatë tërë kohës kishim harruar të kënaqemi me gjërat e vogla në jetë e të mësojmë prej tyre, kishim harruar ta çmojmë shëndetin, dashurinë, solidaritetin dhe mirësinë. Ndoshta këto vlera mund të jenë pjesë e subkulturave tona pavarësisht zhvillimeve globale shoqërore. Ndoshta pas gjithë kësaj do të arrijmë të mendojmë me thellësisht për kuptimin e jetës dhe ta gjejmë kënaqësinë tek një ditë e zakonshme duke e ditur se shumë shpejt një ditët të tillë mund të mos e kemi më.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button