RMV, Banorët e Qendrës do të paguhen deri 1.5 denarë për një shishe plastike të recikluar

NP “Parkingjet Komuna Qendër” prej sot ka lëshuar në përdorim shtatë makinat e para për reciklimin e shisheve të plastikës dhe kanaqeve, transmeton Portalb.mk. Banorët do të fitojnë 0.5 denarë për reciklimin e shisheve dhe kanaqeve me vëllim 0.25 deri 0.75 litra, 1 denarë për shishet nga 1 deri 1.75 litra, ndërsa 1.5 denarë për shishet prej 2 deri 2.25 litra.

Banorët e komunës Qendër në Shkup, përmes riciklimit të shisheve të plastikës dhe kanaqeve do të mund të fitojnë para.  Këtë mundësi mund ta shfrytëzojnë banorët në makinat e vendosura në shtate vende të ndryshme në këtë komunë, ndërsa deri në fund të vitit planifikohet numri të arrin në 27-të.

Qytetarët do të mund të shfrytëzojnë këtë të drejtë duke u furnizuar me kartelën GreenPay në parkingun në kate në “Pallatin Gjyqësor”, në kuadër të NP “Parkingjet Komuna Qendër”. Paralajmërohet se ditët në vazhdim do të mundësohet edhe aplikimi online.

Ndryshe, rreth 117.000 tonë mbeturina nga ambalazhi krijohen çdo vit në vend. Përmes sistemit të kompanisë “Pakomak”, Shoqëria për menaxhim me paketim dhe mbeturina nga paketimi, për riciklim grumbullohen rreth 28.000 tonë mbeturina të ndryshme nga ambalazhi (letër, plastikë, qelq, metal dhe dru) nga gjithsej 50.000 tonë aq sa krijojnë kompanitë anëtare të këtij sistemi.

“Kjo masë riciklimi do të vlejë vetëm për banorët e Qendrës, përkatësisht paratë do të rimbursohen vetëm në kartelën “Grin pej kard”. Shuma maksimale në muaj që një qytetar mund të marrë është 1.000 denarë. Këto para mund të përdoren për blerje në market, dyqane, për pagesa në kafene dhe bare, si dhe për shërbimet e ndërmarrjes”, kishte sqaruar më herët Vasko Kiçevski, drejtor i NP ” Parkingje Komuna Qendër”.

Ndryshe, vetëm bateritë, nga të gjitha mbeturinat e selektuara në vend, përpunohen dhe përdoren. Në Maqedoni, riciklimi nuk është biznes, ndërsa investitorët vendas nuk shohin interes në teknologjitë për ekonomi të qëndrueshme.

Megjithatë, nga viti në vit krijojmë gjithnjë e më shumë mbeturina komunale, ndërsa pothuajse një e treta e plehrave që gjenerojmë u humbasin gjurmët. Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave, 915,943 ton mbetje komunale u gjeneruan në vend vitin e kaluar. Sasia vjetore e mbetjeve komunale të gjeneruara në vitin 2019 ishte 456 kilogramë për kokë banori, që është një shifër rekord që nga fillimi i publikimit të këtyre të dhënave në vitin 2008.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button