KONGRESI I SHPËTIMIT

Kongresi i Alfabetit është njëra nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë tonë. Është ngjarje shpëtimtare për kombin shqiptar. Ky konstatim nuk është i ekzagjeruar. Kongresi pati ndikim të madh jo vetëm në planin kulturor, por edhe në atë politik. Ai ishte si kundërvënie ndaj pretendimeve shoviniste të shteteve fqinje dhe goditje kundër propagandës antishqiptare, e cila, siç e dimë, kishte infektuar shumë qarqe politike, diplomatike e kulturore evropiane.

Në prag të shpërbërjes së Perandorisë Osmane u shumëfishua formula: “Ballkani i ballkanasve”, por pa shqiptarët. Shtetet ballkanike synonin që tokat shqiptare të ndaheshin mes tyre. Politika dhe shtypi serb, për këtë qëllim, filluan t’i etiketonin shqiptarët si: “aleatë të osmanëve”, “popull i paqytetëruar”, “i ndarë në fise”, “pa unitet kombëtar”, “pa vetëdije shtetërore, por fisnore”, “pa vazhdimësi shtetërore”, “pa kuptim për shtetin”, “pa gjuhë të shkruar”, “pa alfabet”, “pa histori e kulturë” etj.

Serbët synonin krijimin e një shteti të ri duke u thirrur në “vazhdimësinë” e shtetit mesjetar serb. Kur shqiptarët përmendën shtetin e Skënderbeut, atëherë elitat shoviniste serbe e mohuan origjinën shqiptare të kryeheroit. Ngjashëm vepruan edhe elitat e shteteve fqinje. Kur ky mashtrim nuk “u shit”, atëherë e shumëfishuan mashtrimin se shqiptarët “nuk ishin popull”, por “bashkësi fisesh”, pa “gjuhë të vetme” dhe “pa alfabet të njësuar”.

Kongresi i Manastirit e hodhi poshtë këtë propagandë. Mos harrojmë se ai u mbajt në kohën kur veçse kishin filluar që ideoheshin kufijtë e shteteve të reja ballkanike.

Le të ndalemi te disa shkrime, nga mijëra të tillë, që botoheshin në shtypin serb të kohës.

Në revistat dhe gazetat serbe, veçanërisht në fillim të shekullit XX, thuhej shpesh se paqja në Ballkan do të rrezikohej nëse shqiptarët do ta kishin shtetin e tyre. Sipas propagandës serbe, shqiptarët “nuk ishin të ngritur kulturalisht” për ta udhëhequr një shtet, madje nuk kishin as alfabetin e tyre.

Menjëherë pas Kongresit të Manastirit, gazetat dhe revistat serbe propagandonin se shqiptarët nuk e donin alfabetin latin. Gazeta “Strazha”, shkruante më 5 mars 1909 se, ndonëse shqiptarët kishin vendosur ta përdornin alfabetin latin, mësuesit shqiptarë në Shkup, siç thuhet në gazetë, “donin alfabetin cirilik, sepse u përshtatej më shumë raporteve me popujt fqinj”. (Strazha, 5 mars 1909, f. 6.)

Kjo propagandë ishte e orientuar kundër krijimit të një shteti shqiptar.

Dr. M. Stojadinoviqi, në shkrimin “Shkaqet ekonomike të luftës serbo – turke”, shkruan se Ballkani duhej t’u takonte ballkanasve, por pa Shqipërinë, sepse, sipas tij, ishte “vetëm nocion gjeografik”. Parimi “Ballkani i ballkanasve”, shkruan ky autor, do të cenohej nëse Shqipëria nuk do të copëtohej ndërmjet Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë.

“Nuk mund të flitet për komb shqiptar, sepse ata (shqiptarët – shënim yni) janë shumë fise të ndryshme, të ndarë sipas fesë, gjuhës, gjakut dhe me kulturë shumë të ulët (…) Një shtet i pavarur është i pamundur. Do të ishte vetëm lodër në duar të huaja (…) Shqipëria do të ishte vatër e cenimit të paqes dhe burim konfliktesh (…) Ajo do të ishte një Maqedoni e re (…) Shqiptarët, pos tjerash, kanë luftuar për ruajtjen e zotërimit turk. Si humbës duhet ta kenë fatin e turqve (…) Okupimi i viseve të tyre nga shtetet ballkanike do të sillte rendin e lirinë dhe, kështu, do të mundësohej zhvillim i qetë kulturor dhe një përparim (…) Të gjitha këto janë shkaqet që Serbia duhet ta refuzojë çdo mendim për ndonjë autonomi të Shqipërisë (…) Ka edhe një tjetër shkak nga këndvështrimi serb, që është më i rëndësishmi: Serbisë i duhet që nëpërmjet territoreve të saj të sigurojë dalje në Adriatik”, shkruan ai. (Delo, 1.10.1912, f.179.)

Autori Zherzh St., në shkrimin “Jeta në Elbasan”, e quan Shqipërinë si “komedia e Europës”. Ai i përsërit paragjykimet e shprehura në mijëra shkrime e libra autorësh serbë.

“Të pranosh të udhëheqësh në Shqipëri është shumë e rrezikshme, prandaj këtë rol e marrin vetëm komitët (…) Është turp për Evropën që lejon ekzistimin e këtij përbindëshi (…) Shqipëria asnjëherë nuk ka pasur as mbret, as qeveri. Përulja ndaj krerëve fisnorë është çështje lokale, e përkohshme dhe pa ligje administrative. Edhe krerët e fiseve jetojnë vetëm për plaçkë (…) Edhe ne serbët jemi larg Europës, por shqiptarët janë edhe larg Lindjes (…) Turqit e patën të vështirë rregullimin e Arnautllëkut, por as të tjerët nuk do ta kenë të lehtë”. ( “Balkanski rat”,  Beograd, 24 mars 1912, f.151.)

Pas mbajtjes së Kongresit të Manastirit, shtypi serb shkruante se kjo ngjarje nuk ishte ide e shqiptarëve, por e sponsorëve të tyre: Austro – Hungarisë dhe Italisë.

Gazetat serbe, por edhe gazetat që botoheshin në Slloveni dhe Kroaci, por që e mbronin idenë serbe, jo rastësisht, pas Kongresit të Manastirit, shkruanin “për përplasjet shqiptare” rreth alfabetit.

Gazeta sllovene “Slovenski narod” shkruan në vitin 1910 për “luftën shqiptare rreth alfabetit”. Sipas gazetës, shqiptarët nuk e donin një alfabet me shkronja latine. Ithtarët e përdorimit të alfabetit me shkronja latine, shkruan gazeta, ishin: ish-veziri i madh Ferid Pasha, Ismail Qemali, Dr. Ibrahim Temo, Dervish Hima dhe deputeti i Shkupit, Nexhip Draga, por “në Shkup e Prishtinë kishte protesta kundër përdorimit të alfabetit me shkronja latine”.

Le ta marrim si shembull edhe artikullin e botuar në gazetën “Zastava“, në vitin 1914. Në artikullin “Si është në Shqipëri”, thuhet: “Dr. K. Brerican, një avokat me përvojë, ishte në Shqipëri dhe u bind se shqiptarët nuk kishin gjuhë të përbashkët, as alfabet. Shqiptarët e veriut dhe të jugut nuk kuptohen mes vete, sepse ka shumë dallime në gjuhët e tyre. Ndërmjet të krishterëve dhe myslimanëve nuk mund të ketë paqe. Qeveria është tërësisht myslimane dhe as nuk do që të dëgjojë për reforma që nuk janë në përputhje me Kuranin. Gjuhë zyrtare është turqishtja. Fiset shqiptare nuk e njohin qeverinë dhe as duan të paguajnë tatime. Mirdita nuk e pranon qeverisësin e ri. Në Durrës dhe në Shqipërinë e Jugut ka edhe vllahë. Duhen disa shekuj që shqiptarët të mësohen me jetën shtetërore. Austrinë e urrejnë kudo në Ballkan. Anglezët qeverisin mirë në Shkodër”. (Zastava, 22.4.1914, f.1.)

Qasja serbe ishte shumë e shprehur edhe në shtypin kroat, por me ndikim serb. Studiuesi, Igor Despot, ka bërë një studim të gjerë për qëndrimin e shtypit kroat kundrejt çështjes shqiptare në periudhën ndërmjet dy luftërave ballkanike, kur në Kroaci botoheshin 30 gazeta me përmbajtje politike, ekonomike dhe zbavitëse. (Igor Despot, Tisak Hrvatske i Dalmacije o balkanskim ratova 1912 – 1913, IZ, Nr. 1. Zagreb, 2009, f. 109.)

Despot shkruan se gazetaria kroate dhe koalicioni politik serbo – kroat ishte në pozicionet serbe, por kishte edhe gazeta me qëndrim të kundërt, sikurse “Jutarnji list”, që i denoncoi krimet serbe ndaj shqiptarëve. Politika e jashtme austriake u përkrah edhe nga gazeta “Narodne novine”, kurse më pas edhe nga gazetat: “Hrvatska” dhe “Dan”, ndërkaq u kundërshtua nga gazetat: “Rieçki Novi list”, “Crvena Hrvatska”, “Hrvatska rieç”, “Sloboda”, “Hrvatski pokret”, “Obzor” dhe “Serbobran”. (Po aty, f.133.)

Revista dyjavore “Srpsko kolo” e Zagrebit, në shtojcën “Arbanasi”, që u botua në disa vazhdime, në vitin 1912, përmend “të metat” e shqiptarëve. Revista, që njihej për qëndrimin antishqiptar, konsideronte se shqiptarët nuk mund të kishin shtet të pavarur, sepse “nuk e njihnin origjinën e tyre”; se “përveç shqiptarëve ekzistonin edhe arnautashët” (term që përdorej për kinse serbët, grekët dhe vllehtë e shqiptarizuar); se “shqiptarët i kishin pushtuar tokat serbe”; se ata “nuk kishin alfabet të tyre”; se “për ta nuk ekzistonin ligjet, por vetëm ligjet e hakmarrjes” etj.

Të njëjtin diskurs antishqiptar e përdor edhe gazeta “Rieçki Novi list”. Sipas kësaj gazete, shqiptarët ishin “gjysmë të egër”, pa “ndikim në histori”, për të cilët “nuk mund të thuhej se ishin me origjinë ilire” dhe “nuk kuptoheshin as ndërmjet tyre”. (I. Despot, f. 117.)

Teksa gazetat e botuara në Kroaci, që vepronin nga pozitat serbe, i paraqisnin shqiptarët si grumbuj fisesh, pa tradita të përbashkëta, pa gjuhë të vetme, pa alfabet, pa program politik, të paaftë për të organizuar një shtet të tyre kombëtar dhe kërkonin me ngulm që Serbia të kishte dalje në det, gazetat “Jutarni list” dhe “Narodne novine”, që e mbronin qëndrimin e diplomacisë austriake, ishin pro pavarësisë së Shqipërisë dhe e kundërshtonin formulën: “Ballkani ballkanasve, por pa shqiptarët”.

Edhe shtypi slloven ishte i ndarë për sa i përket çështjes shqiptare. Studiuesi slloven, Davorin Jerman, në një studim mbi imazhin e shqiptarëve në shtypin slloven gjatë viteve 1912 dhe 1913, ka vënë re se tri gazetat: “Dan”, “Slovenski narod” dhe “Slovenec”, mbronin qëndrime pro – serbe në raport me shqiptarët, kurse gazeta socialdemokrate “Zarja”, mbronte idenë për autonomi apo pavarësi të Shqipërisë, kurse shqiptarët i quan “popull i aftë për ta organizuar shtetin e tyre të pavarur”. (Davorin Jerman, “Slovenski tisk o Albanci v času balkanskij vojn“, revista “Vse za zgodovino”, verë VIII, 2001.)

Gazetat pro – serbe në Slloveni jo vetëm ishin kundër pavarësisë së Shqipërisë, por shumëfishonin stereotipat serbe për shqiptarët si: “njerëz të egër”, që “nuk njihnin normat qytetëruese”“popull pa alfabet” etj.

Gazeta pro – serbe, “Slovenec”, më 8 nëntor 1912, i quan shqiptarët “bishat më të liga prej se ekzistonte njeriu”. (“Slovenec”, 8 nëntor 1912). E njëjta gazetë, më 12 nëntor 1912, shkruan se shqiptarët “ishin popull i paaftë për të qenë të pavarur”, se “nuk ishin komb, por të ndarë në fise dhe me besime të ndryshme”, të dhënë “pas normave të traditës” dhe “pa gjuhë të shkruar”, prandaj, sipas saj, vetëm “nën Serbi apo Greqi ata do të përparonin kulturalisht”.

Në shkrimet e kësaj gazete shqiptarët paraqiten si masë jo homogjene, kurse për autonominë (pavarësinë) e shqiptarëve thuhet se do të ishte shumësi territoresh drejtuar prej bajraktarëve shqiptarë.

Edhe gazeta “Dan”, në një shkrim të botuar më 9 nëntor 1912, shqiptarët i quante “element i pa kulturuar”, “masë fanatike myslimane”, “egërsira gjakpirëse me pamje njeriu”, që ishin “nën mbrojtjen e qeverisë turke”. (“Dan”, 9 nëntor 1912.)

Gazeta “Zarja” shkruante të kundërtën. Sipas saj shqiptarët ishin popull i aftë,  i guximshëm, i zgjuar, që shënonin shumë përparime, që kishin 19 revista dhe shumë shpejt do të përparonin kulturalisht. Gazeta e përkrahte pavarësinë e Shqipërisë dhe i kritikonte sllovenët se ishin bërë të egër ndaj viktimave shqiptare dhe i ofronin një recetë antikristiane ushtrisë serbe. Më 14 nëntor 1912, e njëjta gazetë, shkruante se Austria mbante qëndrim të drejtë rreth autonomisë ose pavarësisë shqiptare, kurse ky qëndrim ndikonte për vendosjen e paqes në Ballkan. Të njëjtin qëndrim e kishte edhe gazeta “Shtajerc”.

Gazetat politike sllovene, me orientim pro – serb, nuk e ndryshuan qëndrimin edhe pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë. Gazetat sikurse: “Slovenec”, “Slovenski narod” dhe “Dan” vazhduan t’i fyenin shqiptarët, duke i quajtur të “paqytetëruar“, “vrasës“, “hajdutë“, “jo besimtarë me tri fe”, “burim destabilizimi në Ballkan“, “të papjekur politikisht” etj.

Bazuar në shembujt e mësipërm, që janë të panumërt, vërehet se propaganda agresive serbe synonte t’i paraqiste shqiptarët si popull i paqytetëruar dhe i paaftë për ta organizuar një shtet të pavarur, kurse qëllimi ishte pushtimi i tokave shqiptare. Njëri prej “argumenteve” ishte se shqiptarët nuk kishin alfabet të vetëm. Kongresi i Alfabetit ishte kundërvënie e fuqishme kundër planeve të qarqeve që e kundërshtonin krijimin e shtetit të pavarur shqiptar dhe që e kërkonin ndarjen e tokave shqiptare. Pra, ky Kongres, pati ndikim të madh në planin politik dhe ishte si uverturë e shpalljes së shtetit të pavarur shqiptar.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button