ARM-ja nuk do të sigurojë spitalet, por ish-ushtarët pa uniforma dhe armë do të jenë roje

Armata nuk do të sigurojë spitale për shkak të pandemisë Covid-19, por ish-ushtarë profesionistë, të cilët aktualisht punojnë në Ministrinë e Mbrojtjes do të jenë roje të spitaleve. Këtë e theksoi sot ministrja e mbrojtjes Radmilla Shekerinska Jankovska, duke u përgjigjur në pyetjeje e një gazetari për spekulimet se ARM do të sigurojë spitalet për shkak të rritjes së lartë të numrit të të infektuarve me koronavirusin e ri SARS-KOV-2, njofton Portalb.mk.

“Sipas urdhrit të Presidentit të shtetit, armata është e përfshirë si mbështetje e institucioneve civile në pandemi. Armata ka marrë detyra të ndryshme, mbështetje mjekësore me stafin mjekësor, mbështetje shtesë në transport, magazinim…por jo sigurim direkt. Ne do të përfshihemi në shërbimin e sigurisë, ndoshta me disa nga ish-ushtarët profesionistë që aktualisht punojnë në Ministrinë e mbrojtjes. Do të jetë shërbim pa uniforma dhe armë, në mënyrë që të vendoset pak më shumë rregull për qytetarët”, tha Shekerinska.

Ministrja gjithashtu njoftoi se një numër i ambulancave ushtarake me shoferë do të sigurohen për institucionet shëndetësore publike për të ndihmuar në përballjen me epidemisë. Në mbështetje të autoriteteve civile në përballjen me krizën shëndetësore, ARM tashmë ka marrë pjesë, ndër të tjera, në sigurimin dhe dezinfektimin e zonave të krizës në Dibër, ngritjen e një spitali të terrenit në Qendrën klinike dhe ka përfshirë ekipe mjekësore ushtarake si përforcim të ekipeve mjekësore civile.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button