fbpx

2 vjet nga arratisja e Gruevskit në Hungari, as u dënuan ndihmësit, as u kthye në burg

Sot bëhen dy vjet nga arratisja spektakolare e ish kryeministrit Nikolla Gruevski në Hungari, për t’iu shmangur burgut prej dy vjetësh që u dënua në rastin “Tanku”. Kërkesat për ekstradim nga ana e RMV-së janë refuzuar, ndërkaq ende askush nuk është thirrur në përgjegjësi në lidhje me atë se kush i ndihmoi të largohet nga vendi, derisa të gjithë pritnin të dërgohet prapa grilave, njofton Portalb.mk.

Në ueb-faqen e Ministrisë së Punëve të Brendshme, vazhdon të mbetet fotografia e 48-vjeçarit Gruevski për të cilin është shpallur fletë-arrest ndërkombëtar. Hungaria nuk e dorëzoi në Maqedoninë e Veriut, e shteti amë i tij me këmbëngulësi për të tretën herë me radhë do ta kërkojë ish kryeministrin të kthehet në vend, gjegjësisht në burg.

Korrieri gjyqësor përpara dy viteve, më saktësisht më 9 nëntor, e premte, të vitit 2018-të, tre herë është përpjekur, por nuk ka mundur që ta gjejë ish kryeministrin në adresën e letërnjoftimit të tij, për t’ia dhënë letrën e burgut. Institucionet disa ditë me radhë e kanë kërkuar, por pa asnjë gjurmë.

Gruevskit iu dha edhe një mundësi që pas vikendit që pasonte t’i dorëzohej letra për të shkuar në burg, ai këtë e shfrytëzoi, por për t’u arratisur, në një vend evropian me të cilin udhëhiqte një mik i tij i idealit, e sidomos asaj që kishin më së shumti të përbashkët – luftën kundër sektorit civil.

“Çfarë është ky budallallëk të pritet deri të hënën. Personat e dyshuar për vepra penale i kanë kërkuar dhe ndjekur njësitet speciale dhe me pranga i kanë dërguar në paraburgim, ndërkaq kriminelin e dënuar duhet që ta lusim që të vijë ta mbajë burgun. Dhe në vikend nuk po punojnë shërbimet. Hajde bre mos na bëni budalla me tru të shëndoshë. Çka, në vikend nuk paraburgosen njerëzit? Në vikend nuk ka gjykatës? Ose në vikend mund të bëhen vepra penale?”, shkruante asokohe aktivistja Mirjana Najçevska, në lidhje me atë se si është e mundur që të lutet për të shkuar në burg i dënuari.

Nikolla Gruevski, Budapest
Nikolla Gruevski, Budapest

Më 13 nëntor, Gruevski u paraqit në rrjetin social Facebook se e ka lëshuar Maqedoninë për shkak të kërcënimeve dhe ka kërkuar azil politik në Hungari.

“Në ditët e fundit, kam pranuar një numër të madh të kërcënimeve për jetën time. Unë jam në Budapest tani dhe kam kërkuar azil politik nga autoritetet hungareze. Gjithmonë do t’i mbetem besnik kauzës së Maqedonisë. Asnjëherë nuk do të  kthehem mbrapa!”, shkruan Gruevski, në Facebook.

Gruevski, edhe pse s’ka pasur pasaportë, ai në Hungari ka arritur nga Shqipëria, ku me ndihmën e diplomatëve hungarez ka kaluar në Mal të Zi, Serbi dhe në fund në shtetin me të cilin udhëheq konservatori dhe miku i tij, Orban. Sipas hetimit të deritanishëm nga Prokuroria, Gruevski e ka lëshuar Maqedoninë në mënyrë ilegale.

Pas arratisjes pasoi një valë e madhe reagimesh, si nga qytetarët ashtu edhe nga përfaqësuesit politik në vend.

14 organizata joqeveritare në një letër të përbashkët, kërkuan dorëheqjen e ministrit të Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski dhe dy drejtorë të tjerë duhet të japin përgjegjësi, gjegjësisht dorëheqje për rastin e arratisjes së Gruevskit, pavarësisht nëse hetimi tregon se s’ka përgjegjësi penale. Por, Spasovski nuk e lëshoi postin, mbase siç tha kryeministri Zoran Zaev, “nuk e ia kam pranuar un”.

Gruevski më 20 nëntor të vitit 2018-të nëpërmjet një letre të gjatë shpjegoi se si ka arritur të fitojë azil nga autoritetet hungareze.

Prokuroria menjëherë hapi hetim për arratisjen e Gruevskit, por deri më tani hetimi nuk ka epilog.

Hera e fundit që Gruevski është shfaqur në publik, përveç statuseve të tija në rrjetet sociale, ka qenë më 27 qershor të vitit 2019-të, kur Gjykata e Hungarisë e ka refuzuar kërkesën e Maqedonisë së Veriut për ta ekstraduar në vend.

“Kushtet për ekstradim nuk janë të vlefshme”, tha gjykatësja, në seancë gjyqësore ku Gruevskin, e kishin sjellur me në sallë me pranga. Ai gjithashtu mbante kapelë të zezë dhe syze dielli.

Tags

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close