Tetova me vetëm 5 inspektorë ekologjik, kryetarja e kënaqur, qytetarët të painformuar se ku të denoncojnë

Një prej komunave më të mëdha në Maqedoninë e Veriut, Tetova, ka të angazhuar vetëm pesë inspektorë ekologjik. Sipas kryetares Arifi, ky numër megjithatë është i kënaqshëm duke marrë parasysh faktin që disa vite më herët, i angazhuar ka qenë vetëm 1 inspektor. Arifi gjithashtu shtoi se shumë ndotës janë gjetur dhe dënuar pas denoncimeve, megjithatë, Portalb konfirmoi se numri i komunës ku denoncohen ndotësit, është jofunksional dhe qytetarët, nuk kanë njohuri se kush janë inspektorët dhe ku duhet të paraqesin rastet, shkruan Portalb.mk.

Si “parajsë” për ndotësit e ajrit e cilësuam Komunën e Tetovës një vit më herët, situata ka ndryshuar për vetëm 1 inspektor më shumë ndërkaq ajri në Tetovë vazhdon të jetë i ndotur, sidomos gjatë stinës së dimrit.

Vitin e kaluar, kur Komuna e Tetovës kishte 4 inspektorë ekologjik për të kontrolluar tërë territorin e pranoi se ky numër i inspektorëve është i vogël dhe premtoi se do ta rrit. Vetë 1 i punësuar i është kyçur ekipit të inspektorëve të cilët e kanë për detyrë t’i ndjekin qytetarët apo ndërmarrjet e pandërgjegjshme që e ndotin ajrin.

Kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, theksoi se është e vetëdijshme për periudhën kritike aktuale në lidhje me ndotjen e ajrit në raport me pandeminë kovid-19, megjithatë, ajo tha se aktualisht ka vetëm 5 inspektorë ekologjik dhe nuk u përgjigj për atë se a planifikon të bëje rritjen e këtij numri.

Teuta Arifi
Teuta Arifi

“Ne si komunë në 5 inspektorë ekologjik kemi ardhur pas rritjes që e kemi bë për katër persona, meqenëse se deri para disa vitesh ka pasur vetëm një inspektor ambienti, ne kemi shtuar vendimet për inspektor dhe kemi arritur në këtë numër. Normalisht jemi të vetëdijshëm që kjo periudhë është periudhë më problematike, duke pasur parasysh faktin që te virusi ndikojnë më shumë elemente, ndikon edhe ndotja e madhe e ajrit për shkak të nxehjes edhe përdorimit të mënyrave të ndryshme për nxehje, ndikojnë ambientet e mbyllura, është një kompleks i rrethanave të cilat krijojnë probleme” tha Teuta Arifi për Portalb.mk.

Edhe kur janë dëshmitar të krimeve kundër natyrës, qytetarët nuk e dinë ku të denoncojnë

Një prej pronarëve të një shitoreje në “Bllok 82” për Portalb.mk tha se shumë herë ka qenë dëshmitar se para shitores së tij, janë djegur mbeturina, të cilat siç thotë ai, nuk e din nga kanë ardhur por i njëjti nuk është i informuar se ku duhet të paraqesë këtë.

“Kam pa vet, shumë herë, para shitores time kanë djegur mbeturina të cilat vetë i kanë sjellë. Numri që fillon me 0800 i komunës nuk është funksional, paraqitet sekretarja, nuk bën, ndërkaq inspektorë nuk e dimë se kush janë” tha ai.

ueb faqen zyrtare të Komunës së Tetovës tash disa vite ekziston një numër, gjegjësisht numri 0800-55-043 i cili është krijuar në mënyrë që qytetarët të denoncojnë ndotësit e ambientit jetësor.

Megjithatë, Portalb.mk disa herë me radhë tentoi të lajmërohet në këtë numër dhe, ky numër nuk është funksional.

Screenshot nga ueb faqja e Komunës së Tetovës.
Screenshot nga ueb faqja e Komunës së Tetovës.

“Aplikacioni e-report Tetova është krijuar që qytetarët në çdo kohë të mund t’i paraqesin sjelljet e pandërgjegjshme të personave fizik dhe juridik të cilët me veprimet e tyre ndotin ambientin jetësor. Inspektorët ekologjik komunal do të reagojnë për secilin rast të paraqitur nga qytetarët të cilët duhet të plotësojnë formularin dhe të ngarkojnë fotografi nga vendi i ngjarjes” shkruan në ueb faqen e Komunës së Tetovës.

Ndërkaq edhe pse kemi kërkuar disa herë, identiteti i inspektorëve ekologjik vazhdon të ngelet i fshehur nga autoritetet komunale të Tetovës.

Arifi nuk pajtohet me të lartpërmendurat, ajo tha se ka pasur raste të paraqitjes së ndotësve dhe gjetjes së autorëve, duke mos potencuar se ku janë paraqitur të njëjtit, dhe ndaj të njëjtave, sipas saj, janë shqiptuar dënime përkatëse.

“Ne ashtu si edhe vitet tjera, do të vazhdojmë që të inspektojmë, kemi pasur raste të paraqitjes dhe në ato raste inspektorët kanë konstantuar, ka pasur vendime dhe dënime për kompani jo të vogla dhe e njëjta me të njëjtin kujdes do të vazhdoje edhe tani” tha Teuta Arifi, kryetare e Komunës së Tetovës.

Këto janë vetëm disa nga rastet ku ndotësit nuk janë gjetur, si pasojë e paaftësisë të inspektoratit ekologjik janë djegia e deponisë së Tetovës, djegia e mbeturinave te lagjet “Bllok 70” dhe “Dardania” , djegia e mbeturinave në “Lagjen e romëve”, si dhe shumë tjera të cilat qytetarët vazhdimisht i denoncojnë në “E-report”.

Si sukses në luftën kundër ajrit të ndotur, Arifi përmendi projektin e pajisjes me inverter të 1500 familjeve në Tetovë, që sipas saj, kjo do të ndikoje përmirësimin e cilësisë së ajrit në Tetovë.

“Dëshiroj të nënvizoj edhe disa masa të cilat mendojmë që do të kenë ndikimin e tyre pozitiv, duke pasur parasysh faktin që është në përfundim e sipër i tërë projekti i pajisjes me inverter të 1500 familje që ne vlerësojmë se do të arrimë ta kompletojmë deri në fund të nëntorit, deri tani për 1200 është procedurë e përfunduar dhe e realizuar, që besojmë se kjo do të ketë ndikim në kuadër të masave kundër ndotjes por gjithsesi që është një betejë që kërkon angazhim të të gjithëve që të dalim të suksesshëm” shtoi Arifi.

Ekspertët alarmojnë, sa më i ndotur ajri, aq më gjatë qëndron virusi korona në ajër

Ratko Davidoski, specialist i ekologjisë shëndetësore në Qendrën për Shëndet Publik të Tetovës kishte deklaruar se përqendrimi i grimcave PM-10 në ajër mund të përkeqësoje gjendjen me pandemisë pasi që virusi korona mund të qëndroje në ajër më shumë se zakonisht, pikërisht për shkak të ajrit të ndotur.

Ratko Davidovski, drejtor i ISHP Tetovë
Ratko Davidovski, drejtor i ISHP Tetovë

“Sezoni i nxemjes filloi duke rritur përqëndrimin e grimcave PM-10 në ajër. Kjo mund ta përkeqësojë gjendjen pasi koronavirusi do të “varet” te grimcat PM-10, sidomos te PM-2,5, dhe do të qëndrojë në ajër më shumë se zakonisht. Kemi të bëjmë me një kombinim të keq pasi PM-10 janë grimca fluturuese, dhe kur kombinohen me temperaturën e ulët dhe nivelin e ulët të lagështisë së ajrit shkaktohet efekti i padëshiruar i “stuhisë perfektë”, thotë Ratko Davidovski, specialist i ekologjisë shëndetësore në Qendrën e shëndetit publik të Tetovës për SDK.

Ndërkaq kërkimet e shkencëtareve të një Universiteti Gjerman, kanë vërtetuar se rreth 15% e viktimave të kovid-19 janë të lidhura me ndotjen e ajrit. Kjo sipas kërkimeve, veçanërisht është për vendet e Azisë Lindore dhe Europës.

“Kur njerëzit marrin frymë me ajër të ndotur, grimca të vogla prej tij depërtojnë përmes mushkërive në enët e gjakut, duke shkaktuar inflamacion dhe stres qelizor. Si rezultat, sipërfaqja e brendshme e arterieve dëmtohet, ato ngushtohen dhe humbin fleksibilitetin. Diçka e ngjashme ndodh kur koronavirusi hyn në të njëjtën mënyrë në organizëm ”, tha Thomas Munzel, një nga autorët e studimit, profesor në Universitetin Gjerman, Johann Gutenberg.

Ndërkaq sipas informacioneve në ueb sajtin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), rreth 7 milion njerëz çdo vit vdesin për shkak të ndotjes së ajrit nga substanca të ndryshme të dëmshme.

Ndryshe, kujtojmë se në Tetovë gjatë vitit 2019 ka pasur vetëm 88 ditë kur ajri ka qenë i pastër, për 120 ditë ajri ka qenë i ndotur mbi të lejuarën kurse për 157 ditët tjera nuk janë shfaqur të dhëna.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button