LEKSIONE MBI ADMINISTRIMIN

Menaxhimi i mirë nënkupton t’u tregosh njerëzve mesatarë se si të bëjnë punën e njerëzve superiorë. (John Rockfeller)

Për nga natyra njeriu është një qenie sociale, e destinuar “të administrojë” ose “të administrohet”. Të parën, administrimin apo menaxhimin e të tjerëve nuk mund ta bëjë çdokush, përveç atyre që kanë “personalitet”, frymë, frymëzim, aftësi, që zotërojnë teknika të veçanta. Leksione mbi administrimin (Logos-A, 2020) është një tekst me vlerë për sa i takon menaxhimit si art dhe si shkencë, si shkathtësi për një funksionim sa më efektiv të burimeve materiale dhe njerëzore; si profesion për udhëheqjen apo koordinimin e aktiviteteve të një organizate apo biznesi, për të përmbushur kështu qëllime të caktuara. Ky libër është fryti intelektual i një njeriu që ka lundruar me sukses nëpër kompani, shoqata dhe fondacione, për të mbërritur deri te katedrat universitare, ku jep lëndët e administrimit/menaxhimit, ku shpalos dhe shkëmben dijen me përvojën e vet të vyer me studentët, administruesit e ardhshëm, duke hapur horizonte të reja në këtë fushë me një impakt social të jashtëzakonshëm.

Përmes disa qasjeve të ndryshme, Mustafa Özel trajton kulturën dhe filozofinë e administrimit të figurave me peshë të filozofisë, politikës, biznesit; të administrimit në rastin e qytetërimeve, që nga antikiteti deri te kapitalizmi; formulat e menaxhimit nëpër kompanitë gjigante globale (McDonald’s, Walmart, Honda, Sony, Ülker); lidershipin dhe strategjizmin ndërkombëtar (Gandi, Eisenhower, Nixon, Kissinger, Schmidt), si dhe ndikimin e anës shpirtërore në këtë drejtim. Autori zbërthen alkiminë e udhëheqjes, thekson rëndësinë e vizionit për të pikasur gjërat e padukshme, rëndësinë e fuqisë së imagjinatës apo të ëndrrave në rrugën drejt suksesit në administrim. “Ëndrrat janë ato që formojnë personalitetin. Jeta pa ëndrra është si një anije pa vela.” (Kim Woo-Choong)

Gjithashtu autori vë në pah edhe peshën e planifikimit, të strategjisë, duke shpjeguar nocionin e stimulimit/motivimit, që sipas  N. Gregory Mankinw-it, i influencon fuqishëm sjelljet e njerëzve. (Bexheti, 2019) Po ashtu, trajton edhe autoritetin, cilësinë, klientin, epërsinë konkurruese, mënyrën se si duhet administruar një kompani në mënyrë që të shtohet prodhimi dhe vlera; përshkruan tiparet e menaxhimit parimor, të liderit të virtytshëm krahasuar me autokratin. Një lider i mirë është ai që ia del të administrojë pa urdhëruar.

Özel trajton edhe fazat e kalimit nga një kompani e mirë drejt një kompanie të përsosur. Lidhur me këtë të fundit ai ofron edhe një çelës: “zgjedhja e njerëzve të duhur”. Disa faktorë të tjerë drejt suksesit janë zgjuarsia, mendimet e reja (risitë) dhe ndërgjegjja për kohën. Kultura e kompanisë apo organizatës si sistem, sipas autorit kalon nga të kuptuarit, që vlen si përgjigje për çdo gjë. “Kur të jeni në gjendje të kuptoni, do të dini se çfarë duhet të bëni.”

Parë në bazë të kapitujve, i pari merret me administrimin në përgjithësi, i dyti eksploron problematikën e liderit dhe lidershipit, i treti arkitekturën e kompanisë, i katërti marrëdhëniet me klientin dhe i pesti vetëdijen për cilësinë. Ky libër mund të lexohet edhe si një vepër akademike, po aq edhe si literaturë për kohën e lirë, pjesë-pjesë ose sipas preferencës në lidhje me tituj të veçantë, pa u privuar nga koherenca.

Besojmë se Leksione mbi administrimin do të jetë i vyer për ata që merren me administrim, me administrimin e biznesit/ekonomisë, për afaristët dhe të gjithë ata që duan të jenë pjesë e analeve të historisë së suksesit, si në vendin e punës, në afarizëm, në udhëheqje, në shtetformim e kështu me radhë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button