KOSOVA – SPROVË E DREJTËSISË EVROPIANE

Gjithçka nisi me gënjeshtrat dhe akuzat kundër Kosovës së lirë nëpërmjet borizanëve të Serbisë: Karla Del Pontes – ish kryeprokurores së Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish Jugosllavinë, autores së librit “Gjuetia – unë dhe kriminelët e luftës”, akuzueses së parë të shqiptarëve për trafikim organesh njerëzore gjatë luftës në Kosovë dhe Dik Martit – politikanit zviceran, ish anëtarit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, i cili para këtij institucioni prezantoi raportin (akuzën e mëhershme të Del Pontes) për trafikimin e armëve dhe shitjen e organeve njerëzore nga drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që nuk u dëshmuan në gjykimet e bera në Tribunalin e Hagës.

Në të dy rastet shqiptarët reaguan vrullshëm kundër synimeve për njollosjen e luftës së drejtë që bëri Ushtria Çlirimtare e Kosovës me neoçetnikët e Millosheviqit, por kjo nuk dha rezultate. Të kota qenë dhe kërkesat e Qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë për fillimin e një hetimi të pavarur për këto shpifje monstruoze të sponsorizuara nga Serbia me qëllim të kompromitimit të shqiptarëve, sepse, fillimisht për Tribunalin e Hagës, e më pas edhe për Këshillin e Evropës, më të besueshme ishin gënjeshtrat e hyzmeqarëve të Serbisë – Karla del Pontes dhe Dik Martit se sa zëri i mekur i politikanëve tanë.

Këtu duhet kërkuar shkaku përse Karla Del Ponte ia doli që me profkat e saj idiote të nxjerrë para gjyqit të Tribunalit të Hagës ish krieministrin Ramush Haradinaj, bashkë me Fatmir Limajn, Lah Ibrahimajn, Idriz Balajn…, kurse Dik Marti arriti me të njëjtat gënjeshtra t’i diskreditojë gjithë krerët tjerë të UÇK-së, që nga kryetari i Kosovës Hashim Thaçi, ish kryetari dhe kryetari aktual i Kuvendit, Jakup Krasniqi e Kadri Veseli, deputeti i VV Rexhep Selimi dhe shumë figura të tjera që sot ushtrojnë detyra të rëndësishme politike.

Mjerisht, parësia e dy shteteve shqiptare duket se vetëm tani e ka kuptuar se akuzat e rënda mbi drejtuesit e UÇK-së, janë në fakt akuza që vënë në pikëpyetje themelet dhe ekzistencën e Kosovës shtet. Dhe kjo ndodh edhe për shkak se ata nuk arritën të zbardhin në kohën e duhur të vërtetën e shpifjeve të Del Pontes dhe Dik Martit të gatuara në guzhinat serbo-ruse dhe, akoma më shumë, për shkak të hapjes së rrugës për krijimin e Gjykatës Speciale në Kosovë, nëpërmjet së cilës do të tentohet gjykimi i krimeve që paskan bërë krerët e UÇK-së, që prokurorët dhe gjykatësit e saj kanë nisur t’i qujnë grup kriminal, akoma pa ua administruar fajet.

Duke qenë dëshmitarë të yrishit të Gjykatës Speciale për zbulimin e shpejtë dhe me çdo kusht të krimeve të “hijenave” shqiptarë ndaj “qengjave” serbë; duke e parë anashkalimin e hapur  nga drejtësia evropiane të krimeve monstruoze serbe, të inspiruara nga prijësit aktualë të Sebisë; duke e kuptuar tendencën e shkallë-shkallshme të rehabilitimit të plotë të gjenocideve të panumërta serbe dhe trajektoren e mirëmenduar të konvertimit të UÇK-së në organizatë kriminale, kurse të shqiptarëve në tërësi në komb të paaftë për të qeverisur mirëfilli shtet; duke e parë përpjekjen e ankthshme për katranosjen e imazhit të qeniës sonë…, duhet ta kemi më të qartë situatën në të cilën ndodhemi, jo më si individë po si etni.  Megjithatë dhe përkundër të gjithave, Kosova nuk do të dalë kollaj nga ky pus pa unitetin e plotë të shqiptarëve dhe subjekteve të tyre politike, sepse është në pyetje e ardhmja e shtetit akoma të brishtë dhe me shumë halle. Kuptohet, nga situata e vështirë nuk do dilet as me mbajtjen e gishtit vetëm në drejtim të tjetrit, sepse faje duhet kërkuar edhe te vetvetja, veçmas te klasa politike e Kosovës, e cila, nga përfundimi i luftës e këndej, me pak përjashtime, ka ndjekur udhën e pasurimit marramendës, jo atë të forcimit të shtetit.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button