Zaev: Bullgaria e shkeli marrëveshjen, e ka bllokuar fazën e parë në miratimin e kornizës negociuese me Maqedoninë e Veriut

Në mbledhjen në nivel të ambasadorëve KOREPER, në të cilën është shqyrtuar korniza negociuese është shkelur neni 2 i Marrëveshjes për Fqinjësi të Mirë me Bullgarinë dhe e kemi bllokadën e parë, u përgjigj kryeministri Zoran Zaev në pyetje gazetareske, njofton Portalb.mk.

Kjo, sqaroi Zaev, do të thotë se është bllokuar faza e parë në miratimin e kornizës negociuese të Maqedonisë së Veriut për hyrje në BE.

Sipas Zaevit, kjo nuk nënkupton se gjasat janë humbur, vijojnë edhe dy mbledhje në nivel ambasadorësh, pas së cilës do të ketë mbledhje të ministrave më 17 nëntor.

“Neni 2 i Marrëveshjes për Fqinjësi të Mirë me Bullgarinë, thonë në mënyrë precize se si Bullgaria do ta përkrahë Maqedoninë e Veriut në integrimin e saj në Bashkimin Evropian. Dhe definitivisht sot është shkelur ai nen. Ne asgjë nuk kemi shkelur nga Marrëveshja me Bullgarinë, përkundrazi e kemi zbatuar. Kjo është një ndjenjë jo e këndshme që po na ndodh, por besoj se është porosi që të përshpejtohen zgjidhjet në të cilat po bisedohet mes dy grupeve punuese të udhëhequra nga Ministritë e Punëve të Jashtme”, tha Zaev, i cili megjithatë beson se do të gjendet zgjidhje pasi që po zhvillohet komunikim intensiv mes dy vendeve.

Ndryshe, BE ka përgatitur kornizën negociuese për Maqedoninë. Çështjet bilaterale midis Sofjes dhe Shkupit nuk janë përfshirë në draft kornizën negociuese që e ka paraqitur si dokument përpara përfaqësuesve të përhershëm të BE-së në Bruksel. Dokumenti thotë se bashkëpunimi rajonal dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë mbeten elemente thelbësore të procesit të zgjerimit, por nuk adreson kërkesat e Bullgarisë për përcaktimin e kombit dhe gjuhës maqedonase.

Në memorandumin shpjegues nga Sofja për në vendet anëtare të BE-së nga gushti i këtij viti thuhet se maqedonasit janë projekt i ish-udhëheqësit jugosllav Josip Broz Tito, se gjuha maqedonase nuk ekzistonte deri më 2 gusht 1944 dhe është dialekt i bullgarishtes.

Por në dokumentin që do të diskutohet sot, në një pjesë të të cilit ka siguruar qasje Radio Evropa e Lirë në Bruksel, gjuha është emëruar si maqedonase dhe nuk ka afat për zgjidhjen e çështjeve të Marrëveshjes së Fqinjësisë së Mirë me Bullgarinë, por thuhet se marrëveshja duhet të zbatohet “me mirëbesim”.

Përveç një takimit në nivel ministror në Berlin të hënën, në bisedime u përfshi kancelarja Angela Merkel, e cila foli me kryeministrat e të dy vendeve, ndërsa i kyçur në bisedime ishte edhe presidenti gjerman Walter Steinmeier.

“Bashkëpunimi rajonal dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë mbeten elementët kryesorë të procesit të zgjerimit. Maqedonia e Veriut duhet të vazhdojë të angazhohet në mënyrë konstruktive në bashkëpunimin rajonal gjithëpërfshirës dhe të forcojë marrëdhëniet me vendet fqinje. Sot, ne kujtojmë për rëndësinë e arritjes së rezultateve të prekshme dhe zbatimin, në mirëbesim, të marrëveshjeve dypalëshe, përfshirë Marrëveshjen e Prespës me Greqinë dhe Marrëveshjen e Fqinjësisë së Mirë me Bullgarinë,”  shkruan në dokument.

Ministrja e Jashtme Bullgare Ekaterina Zaharieva ka deklaruar në mënyrë të përsëritur se Bullgaria nuk do të pranojë kornizën e negociatave në formën e propozuar, e cila vë në pikëpyetje mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pra fillimin e negociatave me BE.

Bullgaria përshkroi pozicionin e saj në një memorandum që u dërgoi vendeve anëtare të BE-së këtë verë duke shpjeguar pozicionin e saj. Bullgaria kërkon që marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë të trajtohen si një çështje thelbësore, siç është sundimi i ligjit.

Sidoqoftë, në dokumentin për kornizën negociuese, në pjesën e parë “bazat”, të cilat duhet të hapen të parat, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë nuk janë pjesë e veçantë. Këto përfshijnë gjyqësorin dhe të drejtat themelore, drejtësinë, lirinë dhe sigurinë, funksionimin e institucioneve demokratike, reformën e administratës publike, kriteret ekonomike për administratën publike dhe prokurimin publik dhe kontrollin financiar. Ky është, në fakt, klasteri më i rëndësishëm sipas metodologjisë së re.

Sa i përket gjuhës, ajo quhet maqedonase në draft-kornizën negociuese.

“Maqedonia e Veriut duhet të sigurojë përkthimin e aquis-it (legjislacionit) në maqedonisht në kohën e duhur para pranimit dhe do të duhet të trajnojë një numër të mjaftueshëm përkthyesish të nevojshëm për funksionimin e duhur të institucioneve të BE-së pas pranimit të saj,” qëndron në drafti-kornizën negociuese.

Autoritetet maqedonase janë optimistë se bisedimet me Bullgarinë fqinjë do të çojnë në mirëkuptim më të madh, ndërtimin e besimit dhe afrimitetin e pozicioneve.

“Ne respektojmë dhe jemi të përkushtuar ndaj Marrëveshjes së vitit 2017 e cila ofron një kornizë dhe instrumente për menaxhimin e çështjeve bilaterale. Besojmë se çështjet historike që janë pjesë e historisë së përbashkët mund të zgjidhen përmes Komitetit për çështje historike dhe arsimore dhe besojmë se zgjidhjet do të forcojnë miqësinë dhe bashkëpunimin midis dy vendeve,” informojnë nga Qeveria.

Dokumenti vë në dukje atë që vendi ka bërë për rrugë të mirë për tu afruar me BE-në, duke nënvizuat kriteret politike, ndërsa mbetet që rekomandimeve tu kushtohet rëndësia e zbatimitimit të reformave themelore në fushën e sundimit të ligjit, në veçanti reformën në drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. krimi, të drejtat themelore të njeriut, forcimi i reformave demokratike në institucione dhe administratë publike, si dhe kriteret ekonomike.

Përparimi në zbatimin e këtyre reformave do të diktojë ritmin e negociatave dhe do të ketë kohë të mjaftueshme për të parë se si zbatohen ligjet përpara se të mbyllen negociatat.

Maqedonia, si një shtet i ardhshëm anëtar, pritet të respektojë vlerat e Unionit, siç janë respektimi i dinjitetit njerëzor, liria, demokracia, barazia, sundimi i ligjit dhe respektimi i të drejtave të njeriut, përfshirë të drejtat e personave që u përkasin pakicave.

Ekziston gjithashtu një pjesë në kornizë që duhet të parandalojë anëtarët e rinj të BE-së që të bllokojnë kandidatët e ardhshëm.

“Maqedonia e Veriut duhet të pranojë rezultatet, nga cilado negociatë tjetër e pranimit, siç është për momentin e aderimi për pranim të saj. Do të nevojiten angazhime të qarta për të siguruar që asnjë shtet anëtar i ardhshëm nuk do të jetë në gjendje të bllokojë hyrjen e kandidatëve të tjerë të Ballkanit Perëndimor, me kusht që ata të përmbushin kriteret e pranimit të Bashkimit,” thuhet në kornizën negociuese.

Në rast të shkeljes serioze dhe të vazhdueshme nga ana e Maqedonisë së Veriut të vlerave mbi të cilat mbështetet BE-ja, Komisioni mund, me iniciativë të vet ose me kërkesë të një shteti anëtar, të rekomandojë ndërprerjen e negociatave ose të propozojë kushte të reja për vazhdimin eventual të negociatave.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button