Komisioni Evropian parasheh rënie të ekonomisë së Maqedonisë së Veriut për 4,9 për qind

Në pranverë kur filloi pandemia, parashikuam se për vitin 2020, BPV i Maqedonisë së Veriut do të ketë rritje negative prej 3,9 për qind, por tani e kemi korrigjuar atë numër dhe vlerësojmë se do të jetë -4,9 për qind. Ekonomia deri në fund të vitit nuk do të mund të rimëkëmbet, ndërsa problem kyç, që nuk ka të bëjë vetëm me vendin, por është global, është mundësia që pandemia me covid-19 të zgjasë më shumë, tha sot shefi i sektorit të ekonomisë në Delegacionin e Komisionit Evropian në Maqedoninë e Veriut, Frek Janmat, duke prezantuar raportin e vjeshtën për prognozat ekonomike të KE-së për Maqedoninë e Veriut, transmeton Portalb.mk.

Sipas këtij raport, rritja e BPV në vitin 2021 do të jetë 3,8 për qind ndërsa në vitin 2022 3,5 për qind. Parashihet rimëkëmbje ekonomike e ngadalshme dhe e pasigurte.

Borxhi i shtetit me siguri do të tejkalojë 50 për qind nga BPV, ndërsa është paraparë edhe rritje shtesë e tij në vitin 2021 dhe 2022.

Deri në fund të vitit, parashihet edhe ulje e fuqisë punëtore, por norma e papunësisë supozohet se do të mbesë stabile.

“Ka sinjale paralajmëruese se aktiviteti ekonomik vendor po rritet, kreditimi i sektorit privat edhe më tej është optimist, ndërsa rimëkëmbja në masë të madhe do të mbështetet në përforcimin e kërkesës vendore dhe me siguri do të zgjasë deri në vitin 2022, pikërisht për shkak të paparashikueshmërisë se sa do të zgjasë pandemia”, theksoi Janmat në brifingun online me gazetarët.

Në raport thuhet se kërkesa vendore mbetet e “mbytur” edhe pas ndërprerjes së masave kufizuese.

Raporti tregon se të ardhurat janë ulur për 8 për qind, ndërsa rishikimi i dytë i buxhetit projekton deficit më të madh nga ai që u planifikua paraprakisht, që të realizohet pakoja e katërt e masave prej 470 milionë euro.

“Për mbulimin e nevojave të buxhetit, Qeveria këtë vit ka marrë 176 milionë euro linjë kreditore nga FMN-ja dhe ndihmë makrofinanciare prej BE-së në vlerë prej 160 milionë euro, përkrah eurobondit prej 700 mln euro të lëshuar në maj”, thuhet në raportin e KE-së.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button