Raportuesi Ilhan Kyçyk, historia nuk është temë e lehtë, por RMV-ja nuk duhet ta humbasë shansin gjatë presidencës gjermane

Duhet të japim një sinjal të fortë pro-evropian, pasi Bashkimi Evropian e sheh Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe të gjithë rajonin si pjesë përbërëse të saj, jo vetëm gjeografikisht por edhe politikisht dhe ekonomikisht. Deri në mbledhjen e procesit të Berlinit më 10 nëntor, nuk ka kohë për vendime madhore. Do të ishte për të ardhur keq po të humbnim këtë mundësi gjatë presidencës së fortë gjermane, deklaroi eurodeputeti bullgar Ilhan Kyçyk, shkruan Portalb.mk.

Kjo u tha në një deklaratë për Radion bullgare nga eurodeputeti bullgar dhe raportuesi për vendin tonë në Parlamentin Evropian Ilhan Kyçyk, duke komentuar zhvillimet midis Sofjes dhe Shkupit dhe kërcënimet bullgare se ajo do të bllokojë integrimin Evropian të Maqedonisë.

“E kuptoj që nuk është e lehtë. Por duhet të jemi të arsyeshëm. Le të bëjmë gjithçka që është e mundur, edhe qeveria edhe politikanët të tregojnë më shumë guxim”, theksoi Kuçuk.

Ai si arritje të madhe të Marrëveshjes për fqinjësi të mirë midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, e sheh formulimin “e përbashkët” , sepse, siç thotë ai, e kaluara e përbashkët, historia e përbashkët dhe rrënjët e përbashkëta, do të hedhin baza shumë të forta për një të ardhme të përbashkët.

“Komisionet nga pala bullgare dhe maqedonase kanë arritur shumë. Historia nuk është një temë e lehtë për tu diskutuar. Askush nuk thotë të heqim dorë nga kjo bisedë, por duhet dhënë kohë. Nëse Marrëveshja e Prespës zgjidhi problemin me Greqinë dhe e eliminoi atë njëherë e përgjithmonë, duke dashur të tregojë se e kaluara e të dy palëve nuk ka asgjë të përbashkët, atëherë marrëveshja e Bullgarisë me Republikës së Maqedonisë së Veriut fillon një proces – për të treguar se gjithçka ishte e përbashkët”, tha Kuçuk.

Ai pranon, megjithatë, se intensiteti i këtij procesi ka humbur.

Eurodeputeti Bullgar dhe raportuesi për Maqedoninë e Veriut në Parlamentin Evropian gjithashtu beson se Brukseli e ka të vështirë të kuptojë mosmarrëveshjet midis Sofjes dhe Shkupit dhe kërkon sjellje bashkëkohore dhe aktivitete konkrete brenda formateve ndërkombëtare.

Bullgaria, shpesh e ka kërcënuar Maqedoninë e Veriut se do të vendosë veto për fillimin e bisedimeve për integrim në BE. Së fundmi ministrja e Jashtme e Bullgarisë, Ekaterina Zaharieva tha se Bullgaria do ta pengojë procesin euro-integrues nëse maqedonasit nuk pranojnë se identiteti dhe gjuha e tyre kanë rrënjë bullgare.

Sofja zyrtare ka paralajmëruar Maqedoninë e Veriut se mund të pengojë proceset e integrimit duke përpiluar një dokument gjashtë faqe, me arsyetime të gjata historike për “ideologji shtetërore antibullgare” në Maqedoninë e Veriut, Bullgaria u dërgoi memorandum sqarues vendeve anëtare të BE-së në prag të vendimit për fillimin e negociatave me Unionin. Sofja zyrtare kërkon mbështetje prej tyre për pozitën e vet lidhur me identitetin dhe gjuhën maqedonase, si dhe në kuadër të kornizës negociuese mes Maqedonisë së Veriut dhe BE-së, të futet edhe Marrëveshja për fqinjësi të mirë, që dy shtetet e nënshkruan në vitin 2017.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button