RMV, Për shtatë ditë inspektorët mbyllën shtatë objekte ku organizoheshin dasma pa distancë dhe pa maska

Këshilli i Inspektorëve raportoi se për shtatë ditë ka arritur të realizojë 4 716 kontrolle, ndërkohë shtatë objekte hotelerie kanë marrë ndales për kryerjen e aktiviteteve, transmeton Portalb.mk. Ndalesa për punë ka ardhur si rezultat i mosrespektimit të protokolleve shëndetësore.

“Në periudhën prej 26 tetorit deri më 1 nëntor, gjithë shërbimet e inspektimit në kuadër të përgjegjësive të tyre kanë realizuar gjithsej 4 716 kontrolle, prej të cilave 1 750 ishin inspektime”, raportojnë nga Këshilli i Inspektorëve.

Inspektorati shtetëror i tregut ka realizuar 2 966 kontrolle, duke shqiptuar ndalesë për punë në shtatë objekte në Gostivar, Manastir, Shkup dhe Kumanovë. Theksohet se në këto objekte organizoheshin dasma pa respektuar distancën dhe mbajtjen e maskës.

Inspektorati shtetëror sanitar dhe shëndetësor ka kryer 91 inspektime, ndërkohë Inspektorati shtetëror i punës ka realizuar 572 inspektime.

Inspektorati shtetëror për transport ka realizuar 66 inspektime, duke regjistruar katër kallëzime penale, dy për transport ndërkombëtar dhe dy për transport ndërmjet qyteteve.

Agjencia për ilaçe dhe mjete mjekësorë MALMED ka realizuar 39 inspektime, ndërkohë Agjencia për ushqim dhe veterinary ka realizuar 394 inspektime.

Autorizime të reja më të mëdha për shërbimet e inspektimit për përballje me shkelësit e protokolleve të KOVID janë parashikuar në ndryshimet e Ligjit për mbrojtje të popullsisë nga sëmundjet Infektive.

Nëse inspektorët konstatojnë shkelje të protokolleve shëndetësore, ata do të kenë autorizim aty për aty të shqiptojnë vendim për ndalim të përkohshëm të kryerjes së veprimtarisë për 10 deri në 30 ditë për personat juridikë që nuk i respektojnë masat.

Lidhur me lartësinë e gjobës, me ndryshimet parashihen gjoba prej 2.500-3.000 euro në kundërvlerë me denarë për mikro ndërmarrje që e shkel protokollin, 5.500-6.000 euro për  ndërmarrje të vogël, 17.500-18.000 euro për ndërmarrje të mesme dhe 25.000-30.000 euro për ndërmarrje të madhe, si dhe gjoba përkatëse për personin përgjegjës të personit juridik (1.500 euro), 750 euro për tregtar individual dhe 250 euro për person fizik.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button