RMV, “pastrimin” e gjykatësve dhe prokurorëve do ta bëjë shteti, por nën mbikëqyrjen e Bashkimit Evropian

Metodologjia për pastrimin e gjyqësorit, pritet të publikohet në mbarim të 100 ditëve të para të mandatit të ministrit të Drejtësisë, Bojan Mariçiq. Në proces janë të kyçura të gjitha institucionet relevante, nën mbikëqyrje të përfaqësuesve të Bashkimit Evropian, shkruan Portalb.mk.

Ministria e Drejtësisë po punon në metodologjinë për pastrimin apo filtrimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, pasi që Bashkimi Evropian nuk dha leje për “veting” klasik, sipas modelit të Shqipërisë. Momentalisht po punohet në gjetjen e përgjegjësisë për ata që i kanë vjetërsuar lëndët.

“Patjetër duhet të theksojmë se nuk bëhet fjalë për veting klasik si u zbatua në Shqipëri, pasi që nuk kemi marrë dritë jeshile nga BE për proces të tillë, i cili u tregua problematik. Procesi i konsultimit për pastrim ose filtrim të gjyqësorit po zhvillohet në komunikim me Këshillin Gjyqësor dhe Këshillin e Prokurorëve Publik, Komisionin për Parandalimin e Korrupsionin; i cili duhet të kyçet në kontrollin e gjendjes pronësore të gjykatësve dhe prokurorëve, a gjithsesi janë të kyçura edhe odat dhe shoqatat relevante. Modeli për filtrim të gjyqësorit dhe prokurorisë do të jetë i njohur së shpejti, gjegjësisht në 100 ditët e para të mandatit të ministrit Mariçiq. Ajo që tani është e njohur është se duhet që të locohet përgjegjësia për vjetërsimin e lëndëve, për veprimin e gabuar ose për rastet e korrupsionit eventual apo ndikimit politik”, thonë për Portalb.mk nga Ministria e Drejtësisë.

Në lidhje me atë, nëse pritet që të formohet ndonjë komision prej Bashkimit Evropian për zbatimin e këtij procesi, nga Ministria thonë se shteti do të jetë përgjegjës për të njëjtin, por për mënyrën se si do të zbatohet do të njoftohen përfaqësuesit e BE-së.

“Për procesin e filtrimit të gjyqësorit, Ministria e Drejtësisë është në komunikim të ngushtë me Bashkimin Evropian. Përgjegjësia për procesin është gjithsesi e shtetit, por për mënyrën se si do të zbatohet filtrimi do të njoftohen edhe përfaqësuesit e institucioneve evropiane”, thonë nga Ministria e Drejtësisë.

Reformat në gjyqësor gjithsesi janë ndër parimet kryesore të kryeministrit Zoran Zaev, duke e pasur parasysh se Maqedonia e Veriut duhet t’i fillojë bisedimet – a të njëjtat do të ndalohen menjëherë nëse gjyqësori vazhdon me praktikën e vjetër – jo-transparencë, jo-profesionalitet, anshmëri, pabarazi apo ndikim të pushtetarëve në vendimet e tyre. Gjatë periudhës së mandatit të kaluar, reformat në gjyqësor ndonëse u premtuan dhe vazhdimisht ishte në fjalimet e pushtetarëve se i njëjti do të reformohet, megjithatë përveç ligjeve të miratuara në letër – në terren ishte po e njëjta situatë, madje me një arsye më pak për t’i besuar resorit me më pak besueshmëri te qytetarët, pas skandalit/zhgënjimit me kryeprokuroren speciale, Katica Janeva.

“Vetingu” ishte një ndër zgjidhjet që vazhdimisht është folur e përfolur si një mjet i drejtpërdrejtë për ta ndaluar praktikën e jotransparencës apo mosndëshkimit të strukturave gjyqësore, pavarësisht rezultateve të dobëta dhe vendimeve skandaloze. Megjithatë, BE-ja një gjë të tillë nuk e preferonte për shkak të përvojës së hidhur në Shqipëri, ku u bllokuan institucionet. Por kjo nuk do të thotë që ata nuk kërkonin pastrim të gjyqësorit. Kërkesa e evropianëve ishte që autoritetet shtetërore të RMV-së ta pastrojnë gjyqësorin, por me mekanizmat ekzistues, gjë e cila u respektua dhe “vetingu” sipas modelit të Shqipërisë u hoq nga tavolina.

Për modelin e ri, profesoresha universitare, Besa Arifi, në një analizë të Portalb.mk, vlerësoi se i njëjti do të japë rezultatin e dëshiruar, por edhe nëse ky proces mbaron në mënyrën më të mirë të mundshme, vetë gjyqësori duhet ta kthejë besimin e qytetarëve.

Nuk ka ende detaje se kush dhe si do ta zbatojë vetingun te politikanët.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button