Zaev pret përfundim të suksesshëm të diskutimit mbi kornizën negociuese më 10 nëntor

Në një intervistë për magazinën CorD, Kryeministri Zoran Zaev tha se shpreson që diskutimi mbi kornizën e negociatave në Bruksel të ketë një përfundim të suksesshëm në Këshillin e çështjeve të përgjithshme, më 10 nëntor, pas së cilës do të pritet konferenca e parë ndërqeveritare në dhjetor, shkruan Portalb.mk.

“Qëllimi ynë në këtë mandat është të sjellim transformim të tërësishëm dhe evropeizëm të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Qëllimi ynë është ta aktivizojmë linjën e shpejtë të negociatave me kapituj me plotësim të tërësishëm dhe të pakushtëzuar të agjendës sonë të BE-së, ndërsa optimizmi për periudhë stabile politike vjen pas realizimit në mandatin paraprak, në të cilin treguam se mund të sigurojmë paga më të larta, që të arrihet historikisht papunësia më e ulët, ndërsa paga minimale të rritet për 60 %, prej në 9.000 denarë në 14.500 denarë për tre vite jo të plota”, theksoi Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, duke u përgjigjur në pyetjen se prej ku vjen optimizmi për njoftimin se vendin tonë e pret periudhë stabile politike.

Në intervistë, Kryeministri Zaev  theksoi se rrumbullakimi i konceptit ambicioz për vazhdimin e politikave të filluara pozitive dhe të guximshme për adaptimin e ekonomisë në kohën e re është motiv shtesë që anëtarët e Qeverisë të punojnë dyfish më shumë, jo vetëm në tejkalimin e krizës botërore shëndetësore shkaktuar nga COVID-19, por edhe për kthimin e normave të mëparshme të rritjes.

“Kemi plan për ekonomi inovative, stabile, konkurruese në vend, e përgatitur që të përgjigjet në sfidat e reja dhe të ofrojë mundësi për secilin. Në ekonomi të tillë, pagat do të vazhdojnë të rriten. Gjatë kohës së krizës obligohemi ta mbajmë pagën minimale në lartësi prej 14.500 denarë. Pas përfundimit të krizës, Qeveria do të vazhdojë me angazhimet e dëshmuara; rritje e pagës minimale deri në fund të mandatit në lartësi prej 20% deri në 40% dhe rritje të pagës mesatare deri në fund të mandatit prej 20% deri në 30%, varësisht nga zgjatja dhe ndikimi i korona-krizës mbi ekonominë botërore dhe vendore”, tha Zaev, duke vlerësuar se qëllimi i Qeverisë është që deri në fund të mandatit katërvjeçar të arrihet rritje solide dhe të qëndrueshme deri në 4%.

Lidhur me pritshmëritë për hapjen e negociatave për aderim në Bashkimin Evropian dhe gatishmërinë e shtetit për këtë realitet, Kryeministri Zaev u shpreh:

“Qëllimi ynë është ta aktivizojmë linjën e shpejtë të negociatave sipas kapitujve me plotësim të tërësishëm dhe të pakushtëzuar të agjendës sonë të BE-së. Nga ana jonë nuk do të lejojmë arsye për vonesa tjera. Për ne është i pranueshëm parimi i ri për reverzibilitet të procesit nëse ndodh degradim i ambientit demokratik në vendin tonë, por theksoj, obligim i ynë solemn është të mos e lejojmë këtë në emër të ardhmërisë së shtetit dhe qytetarëve.”

Zaev shtoi se shpreson se diskutimi për kornizën negociuse në  Bruksel do të ketë përfundim të suksesshëm në Këshillim për punë të përgjithshme, gjegjësisht GAK, më 10 nëntor, pas së cilës do të jetë reale të presim mbajtje të Konferencës së parë ndërqeveritare në dhjetor.

Ai, në intervistën për “CorD”, magazinë që shtypet në Beograd në gjuhën angleze dhe lexohet nga përfaqësues të korit diplomatik në vendet në rajon dhe më gjerë, shprehu bindje se edhe krahas krizës shëndetësore-ekonomike, që e prek vendin tonë, si dhe shtetet e tjera në botë, Qeveria që ai e udhëheq mbetet e fokusuar në krijimin e kushteve për një cikël të rritjes ekonomike më dinamike, zhvillim të qëndrueshëm, shtet efikas i së drejtës dhe institucione të fuqishme, arsim modern dhe shoqëri stabile dhe kohezion të brendshëm.

“Ne jemi në rrugë nga e cila nuk ka kthim. Shpenzuam shumë kohë në konflikte në vend të zgjidhjes të së njëjtave. Përfitimet nga puna jonë i ndjejnë gjeneratat e tashme dhe do të vazhdojnë ti jetojnë gjeneratat e ardhshme. Me çdo hap, me çdo kapitull të hapur në negociatat me BE-në, me çdo problem të zgjidhur, punojmë që ta përmirësojmë cilësinë e të gjithë qytetarëve”, tha Kryeministri Zaev, ku përgjigjet edhe në më shumë pyetje për rajonin, për raportet me fqinjët, Marrëveshjen për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim me Republikën e Bullgarisë, për zbatimin e Planit të veprimit për Bashkimin Evropian për Ballkanin Perëndimor për të cilin ndahen nëntë miliardë euro në gjashtë vitet e ardhshme.

Kujtojmë se, Sofja zyrtare ka paralajmëruar Maqedoninë e Veriut se mund të pengojë proceset e integrimit të vendit në BE, nëse nuk zgjidhet kontestet historike mes dy vendeve. Në një dokument gjashtë faqe, me arsyetime të gjata historike për “ideologji shtetërore antibullgare” në Maqedoninë e Veriut, Bullgaria u dërgoi memorandum sqarues vendeve anëtare të BE-së në prag të vendimit për fillimin e negociatave me Unionin. Sofja zyrtare kërkon mbështetje prej tyre për pozitën e vet lidhur me identitetin dhe gjuhën maqedonase, si dhe në kuadër të kornizës negociuese mes Maqedonisë së Veriut dhe BE-së, të futet edhe Marrëveshja për fqinjësi të mirë, që dy shtetet e nënshkruan në vitin 2017.

Mbështetjen për fillim të negociatave met të Maqedonisë së Veriut BE-në Sofja e kushtëzoi me përparim në punën e Komisionit të përbashkët të ekspertëve për çështje historike dhe arsimore. Historianët maqedonas dhe bullgarë pas një pauze prej gati një viti u ulën përsëri, ku biseduan dy ditë, e sipas deklaratave të bashkë-kryetarëve të Komisionit pas takimit Dragi Gjorgiev dhe Angel Dimirov është arritur përparim i vogël, por jo edhe në lidhje me Goce Delçevin. Pas takimit, u theksua se ka disa propozime dhe ide, por ata kërkuan durim me sa më pak emocione e tensione, duke e paralajmëruar një takim të ri në Sofje deri në fund të vitit.

Takimi i fundit për harmonizimin e kornizës negociuese do të mbahet nga Këshilli i BE-së për çështje të përgjithshme më 10 nëntor në Bruksel, që përkon me mbajtjen e Samitit të procesit të Berlinit në Sofje, i cili do të bashkë-kryesohet nga Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria. Për fillim të nëntorit është paralajmëruar takim midis kryeministrit Zoran Zaev dhe homologut të tij Bullgar Bojko Borisov në Sofje, në të cilin pritet të tejkalohen keqkuptimet.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button